Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, i harruari i Kombit në ditëlindjen e tij

Analizë nga Frank Shkreli, ish-drejtor i VOA-s

Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, i harruari i Kombit në ditëlindjen e tij. 6 Maji, 1405 shënon, 615 – vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar, por kjo datë erdhi dhe shkoi pa e përmendur kush as me gojë dhe as të kujtohej me zemër

Fatkeqësisht, duket se “I përgjithëmonshmi i fisit shqiptar”, siç e ka cilësuar Papa Pali i VI, Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin Skenderbe – për fisin e tij, në ditët e sotëme – pikërisht në ditëlindjen e tij me 6 maj, nuk është i përgjithëmonshëm, por i harruar.

Në një bisedë satirike, në veprën At Gjergj Fishtës, “Nën Hajat të Parrizit”, (botuar më 1914) midis Shën Pjetrit, Skënderbeut dhe djallit, Skënderbeu e pyet djallin: Deshta me pyet: a e xen kush në gojë emnin tem, a më përmendë kush ndër Shqiptarët”?  Djalli e pyet: Kush je ti? Ai i përgjigjet: “Unë jam Skënderbeu”.  “Po ti qenke Skënderbeu”, ia kthen djalli.  Po si nuk të përmendin ty shqiptarët.  Veçse në shkolla jo, por gjithkush të ka në gojë, por në zemër nuk e di”, i përgjigjet djalli.

6 Maji, (1405) që shënon 615-vjetorin e lindjes Heroit Kombëtar të shqiptarëve, erdhi e shkoi, pa e përmendur kush as me gojë, e të kujtohej me zemër, jo se jo, askund në trojet shqiptare, por as në diasporë.  Udhëheqsit politikë në Shqipëri dhe në Kosovë munguan madje edhe me një deklaratë, të llojit që bëjnë ditë për ditë në rrjetet sociale, për gjëra aspak me rëndësi.  Udhëheqësit politikë në pushtet por edhe ata të opozitës në Shqipëri, si zakonisht dhe pa mungesë, shënuan me lëvdata dhe vendosën kurora lulesh në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, para disa ditësh.  (Për aq sa vura re, ishte një freski se të pakën sivjet nuk u panë portretet e diktatorit, siç janë parë viteve të fundit, gjatë ceremonive zytrtare në Ditën e Dëshmorëve.)  Në rregull, me ceremonitë në kujtim të deshmorëve  po Gjergj Kastrioti Skenderbeu nuk e meriton të kujtohet në ditëlindjen e tij, të pakën me një buqetë me lule, pranë monumentit të tij në Tiranë, në Prishtinë, e në vende të tjera. A nuk meriton i përgjithmonshmi i Kombit shqiptar të ketë një ditë kushtuar atij, për ta nderuar e kujtuar ashtu siç bëjnë kombet e përparuara me heronjtë e tyre kombëtarë, anë e mbanë botës?

Fatkeqësisht, kjo datë nuk kujtohet më as në diasporë, siç shënohej dikurë, të paktën me ndonjë mbledhje të posaçme, me ndonjë darkë përkujtimore, me ndonjë shkrim ose botim historik, siç ishte zakon.  Kjo ndodhë për fat të keq se mendohet dhe llogaritet, gabimisht, se tani kemi dy shtete të lira e të pavarura shqiptare, që pretendojnë të jenë “demokratike”, janë dy shtetet shqiptare, me dy akademi e me një numër universitetesh e kuadrosh të përgatitura, që në rrethana normale qeverisjeje e kanë për detyrë dhe përgjegjësi, kujtimin e datave historike dhe nderimin e heronjëve të Kombit, siç është ditëlindja e Kryetrimit të Shqiptarëve.

Për fat të keq, si në atdhe ashtu edhe në mërgim, 615-vjetori i Lindjes së Herorit Kombëtar kaloi në heshtje ashtu siç ishte mbyllur në heshtje edhe Viti (2018) i shpallur nga Shqipëria dhe Kosova si Viti kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbe.  Më kujtohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare, mbajtur në Korçë, më duket ishte në nëntor të vitit 2017, në të cilën Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama shpalli me mburrje dhe krenari “Vitin e Skënderbeut”, ndërsa u shpreh se, “Duke bërë të mundur që me bashkëpunimin e ngushtë të dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, t’ia dalin së bashku që, duke respektuar historinë e lavdishme që Skënderbeu shkroi me shpatën e një krenarie të madhe, të vazhdojmë rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese, të reformave transformuese në një rrugëtim europian të dëshiruar që kur u vendos pavarësia”.

Nga këndveshtrimi i sotëm, ishin këto fjalë të mëdha premtuese por plot zhgënjime.  Kjo rrugë në të cilën janë nisur sot Shqipëria dhe Kosova, në të vërtetë, mund të jetë një rrugë pa kthim drejtë së keqës.  “Rruga pa kthim të proceseve demokratizuese dhe të reformave transformuese”, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, duket se është e mbyllur, edhe pas 30-vjet post-komunizëm.  Për këtë fajin e keni ju vet.  Por, nëqoftse e keni seriozisht, gjë për të cilën unë i kam dyshimet e mia serioze, në këtë rrugëtim evropian, as Tirana as Prishtina nuk do t’ia dilni t’ia arrini qëllimit pa vlerat kastriotjane të fisit shqiptar, pa Gjergj Kastriotin Skënderbe, Mbrojtësin e Madhërishëm të Kombit dhe të qytetërimit evropian, i cili është mishërimi i këtyre vlerave.

Shqipëria dhe Kosova kanë dështuar mizorisht për të përdorur përvjetorë si 615-vjetori i lindjes ose “Vitin e Skenderbeut”, t’i paraqisnin jo vetëm vetvetes ,por edhe Evropës dhe botës vlerat e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve ,Skenderbeut, ashtu siç është ai dhe çfarë përfaqëson ai për shqiptarët dhe për botën.  Çdo komb tjetër do të çpikte një Skenderbeg, jo vetëm si përcaktuesin e identitetit të Kombit Shqiptar.  Por duke mos kujtuar këto data historike, kjo klasë politike shqiptare dështoi t’i paraqesi botës edhe rolin e rëndësishëm që ka luajtur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe në historinë e botës së atëhershme si përfaqësuesi numër një i këtij kombi të vogël, por krenar. Kujt i intereson që të mos kujtohet dhe të mos shënohen datat e rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë heroike si dhe të mbetetn në heshtje kontributet e rëndësishme që ka dhënë Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe populli shqiptar gjatë shekujve në historinë e qytetërimit evropian, sidomos në një kohë kur Kryeministri i vendit është shprehur se Shqipëria është në rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese dhe të reformave transformuese, drejtë Evropës?  Nuk shkohet drejt Evropës pa Gjergj Kastriotin Skënderbe!

Është për të ardhur keq, por vlerat e kësaj klase politike shqiptare, në të vërtetë, janë antiteza e vlerave të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.  Të pakën në raste siç është përvjetori i ditëlindjes së Heroit Kombëtar, tregohuni të guximshëm dhe të denjë të Besës së Skendërbeut, duke e kujtuar, të pakën me ndonjë deklaratë.  Ose, të pakën për një ditë në kujtim të 615-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe , hiqni dorë nga grindjet shkatërrimtare politike dhe nga interesat personale e partiake.  Kthehuni tek vlerat kombëtare të Kastriotit, të besës, nderit e burrërisë.  Në frymën e jetës dhe të veprimtarisë së tij, lidhuni me besa-besën për një kthesë historike për Kombin shqiptar duke u angazhuar, me atdhedashuri dhe me guxim politik, për të zgjidhur konfliktet dhe mos marrëveshjet me njëri tjetrin në traditën historike të Besëlidhjes së Lezhës, të Kastriotit të Madh dhe të Lidhjes së Prizrenit.  Të lidhni besën për një dashuri, në mos ndaj njëri tjetrit, atëherë ndaj interesave madhore të çështjeve të Kombit shqiptar, duke çuar kështu përpara idenë e besës së Krye-Heroit të Kombit Shqiptar: duke bashkuar sa më shumë nga fisnikët e principatave shqiptare, me qëllim për të rimbëkëmbur trojet Arbërore.

Ndoshta nuk e shihni, por toka arbërore është e lodhur e nuk duron më!  Siç është shprehur me një rast ish-Arkimandriti Minishi i Abacisë së Arbëreshëve të Italisë në Grotaferratë, “Tepër gjak ka skuqur plisat e tokës së Atdheut, shumë zëra kanë shkëputur zemrat e popullit tonë, tepër familje janë shkatërruar dhe prishur tragjikisht prej plumbit e shpatës, prej urrejtjes, prej mërgimit. Sytë e motrave tona dhe të vëllezërve tanë janë tharë, s’kanë më asnjë lot për të derdhur.  Të gjitha lotët kanë rënë dhe kanë njomur tokën e Shqipërisë.  Bëftë Perëndia që nga ajo tokë e vaditur të lëshojnë përjetë lulet e Lirisë, mirësisë e dashurisë dhe vëllazërisë, gëzimit dhe pajtimit”, ka thënë dikurë Arkimandriti arbëresh Minishi.

Në këtë 625-vjetor të lindjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe kemi të drejtë të shpresojmë madje edhe kundër shpresës, se në një të ardhme jo të largët, Kombi shqiptar do ta gjejë të arsyeshme që të caktojë një ditë në vit, kushtuar Heroit të tij të madh , Gjergj Kastriotit – Skenderbe, me qëllim që ai të mos harrohet në ditëlindjen e tij, por të kujtohet, zytarisht, të pakën njëherë në vit nga shqiptarët kudo qofshin ata.  Uroj që shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre të jenë të dinjitetshëm të vlerave, traditave dhe lavdisë së Prijësit të tij dhe Fatosit të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbe!  Që të gjithë shqiptarët pa dallim, me një Besëlidhje të Re midis tyre të kujtojnë dhe të nderojnë Heroin e Kombit, duke u kthyer tek vlerat dhe traditat arbërore të Besës, Nderit e Burrërisë, të trashëguara nga Gjergj Kastrioti  Skënderbeu!

Shpresoj të jam i gabuar, por harresa zyrtare e ditëlindjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe me 6 Maj në radhët e shqiptarëve kudo, por sidomos në dy kryeqytetet shqiptare Tiranë dhe Prishtinë –fatkeqësisht, është një shenjë tjetër që na bën të dyshojmë se heroi ynë kombëtar nuk shërben më si një simbol kombëtar bashkimi, as vlerash të përbashkëta për shqiptarët.  Duhet të jetë ky një shqetësim për çdo shqiptar që ia do të mirën Shqipërisë dhe Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar.  Por, njëkohësisht, besojmë dhe shpresojmë në të madhin Zot se, megjithë këto zhgënjime nga klasa aktuale politike shqiptare — Shën Pjetri në bisedën satirike, të veprës së At Gjergj Fishtës, “Nën Hajat të Parizit”, e siguron Gjergj Kastriotin-Skenderbe të mos shqetësohet shumë për ato që po ndodhin në Shqipëri, se “Për inat të djallit e të shqiptarëve, Zoti ka me e mbajtë Shqipëninë më kambë, me nder e me lumni”.

Në këtë 615-vjetor të Gjergj Kastriotit Skenderbe, të vetmen dhe të fundit vazhdojmë të kemi shpresën tek Zoti se ai do të kujdeset për Kombin shqiptar, në këto kohë të vështira për të.  Për 30-vjet “post-komunizëm”, pritëm dhe shpresuam për një ndryshim historik në sjellje dhe në mentalitet të kësaj klase politike zhgënjyese ,por edhe durimi po na soset tashti duke pritur e shpresuar për një kthim historik drejt proceseve të vërteta demokratike” në Shqipëri dhe në Kosovë. Kujdes se, “Demokracia Nuk Pret”, gjithmonë.  Se shqiptarët janë lodhur duke pritur.  Siç është shprehur dikur edhe i madhi, Faik Konica, sepse, “Tek prisnim të piqeshin kushtet” — pas 30-vjet post-komunizëm për një demokraci të vërtetë, bazuar në vlerat kastriotjane ,“na u kalbën dëshirat” por edhe shpresat, fatkeqësisht!

Frank Shkreli

Foto e Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, marrë nga libri, “Scanderbeg” i autorit amerikan Prof. Dr. A. K. Brackob

Exit mobile version