Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Gazeta franceze 1881/ Zbulimi i fjalorit të shifrave që shërbente për korrespondencën e fshehtë të Abdyl Frashërit dhe arrestimi i shqiptarëve të Epirit

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Maj 2021

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të shtunën e 11 qershorit 1881, në faqen n°2, një shkrim mbi zbulimin e fjalorit të shifrave që shërbente asokohe për korrespondencën e fshehtë të Abdyl Frashërit dhe arrestimin e shqiptarëve të Epirit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Turqi.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Korrespondenca Politike merr nga Janina detajet e mëposhtme mbi arrestimet e fundit në Epir :

Pas shtypjes së kryengritjes në Shqipërinë e Epërme, Dervish Pasha telegrafoi në Konstandinopojë se fjalori i shifrave për korrespondencën e fshehtë të Abdyl Frashërit kishte rënë në duart e tij dhe se shkresat e deshifruara zbuluan një komplot të vërtetë kundër sovranitetit të Portës dhe një marrëveshje midis shqiptarëve të Epirit.

Në të njëjtën kohë, Dervish Pasha kërkoi kompetenca të plota me qëllim arrestimin e Abdyl Frashërit dhe i dërgoi valit të Janinës një kopje të çelësit të shifrave përkatëse, me ndihmën e të cilës ai mundi të deshifronte dërgesat e gjetura në zyrat telegrafike dhe kështu të zbulojë bashkëpunëtorët.

Ai i ftoi këta të fundit, nëntë në numër, të vinin dhe të bisedonin me të në Prevezë. Ata e pranuan këtë ftesë, por menjëherë u arrestuan dhe u transportuan në bordin e një anije luftarake turke. Na sigurojnë se Porta synon t’i internojë ata në Bagdad.

Exit mobile version