Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Gjukanoviq: Qeveria e pakicës, për momentin opsioni më real

Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, prej Brukselit ku po qëndron për vizitë zyrtare, tha se pret rezultate të shpejta të bisedimeve për formimin e qeverisë së pakicës.

“Nga përmbajtja e bisedimeve që po zhvillohen aktualisht do të shohim nëse do të jetë një qeveri e pakicës me mandat rreth një vit apo një tjetër që mund të zgjasë më shumë, qoftë edhe deri në fund të mandatit të këtij parlamenti. Në këtë moment, më duket më reale se do të arrihet konsensusi i nevojshëm për idenë e një qeverie të pakicës”, u tha Gjukanoviq gazetarëve në Bruksel.

Sipas tij, është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje konsensuale, për të konsoliduar sa më shpejt pushtetin ekzekutiv dhe për të krijuar kushte që vendi të fokusohet në prioritetet politike, e para prej të cilave është zhbllokimi i procesit të negociatave. me BE-në. Në rast se bisedimet për qeverinë e pakicës dështojnë, presidenti theksoi se ka edhe mundësi të tjera.

“Për mua çështja e parë është gjithmonë organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe nëse kjo nuk është zgjidhje, atëherë hyjmë në skenarin e formimit të një qeverie kalimtare teknike, që do të thotë që të gjitha partitë parlamentare të kenë përfaqësues në atë qeveri.  Ajo do të kishte vetëm një detyrë, të përditësojë legjislacionin zgjedhor, ta harmonizojë atë me rekomandimet e OSBE-së, ODIR-it dhe Këshillit të Evropës dhe të organizojë zgjedhjet parlamentare në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha Gjukanoviq.

Exit mobile version