Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Gjukanoviq: Vuçiqi e do Kosovën pa shqiptarë e Malin e Zi pa malazezë

Mali i Zi kohëve të fundit është përballur me turbulenca politike e etnike, që nxitën frikën për luftë civile me pushtetin aktual që po akuzohet se po punon në mohim të shtetësisë dhe kombit malazias. Javën e shkuar, Mali i Zi ishte pranë konfliktit me qytetarë që ishin kundër inaugurimit të mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi në qytetin historik të Cetinës. Pala malazeze që është kundër ndërhyrjeve serbe po e akuzon presidentin serb Aleksandar Vuçiq për destabilizimin. Këtu bën pjesë edhe Gjukanoviq që e ka cilësuar shumë serioze situatën e fundit.

Në një intervistë për “Jutarnji”, Gjukanoviq ka thënë se Serbia dhe Rusia po duan ta vënë nën kontroll Malin e Zi, në çfarëdo mënyrë që mund të bëhet.

“Serbia sepse mendon se është koha e duhur për të bërë rivizatim kufijsh në Ballkan e Rusia që të dërgojë mesazh për NATO-n, BE-në e shtetet në rajon”, ka thënë ai.

Duke i konsideruar jo të sinqerta deklaratat e Vuçiqit se Serbia e njeh pavarësinë e Malit të Zi, Gjukanoviq ka thënë se Mali i Zi për Serbinë është një lloj kompensimi në mënyrë që të pranojë Kosovën e pavarur.

Megjithatë, ai ka thënë se Serbia do të donte kthimin e Kosovës, por pa shqiptarët, e kthimin e Malit të Zi, por pa malazezët si kombe.

“Ata do të donin ta kishin Kosovën, por pa shqiptarët. Siç do ta donin Malin e Zi, por pa malazezët. Është e qartë se për Beogradin, Mali i Zi do të ishte kompensimi i vetëm real për Kosovën”, ka thënë ai.

Gjukanoviq megjithatë ka shtuar se pa Malin e Zi në “botën serbe” projekti i Serbisë së Madhe është “përgjithmonë i vdekur”.

“Do të sigurohemi për këtë”, ka deklaruar ai.

Exit mobile version