Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Gjykata Kushtetuese pezullon përkohësisht dekretin e presidentit Thaçi për qeverinë e re

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar përkohësisht dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin, Avdullah Hoti, duke i dhënë të drejt Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjykata Kushtetuese vendosi sot, masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

LDK kishte dorëzuar në Kuvend kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë së re.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kërkesa është që zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës të mbahet të shtunën e 2 majit.

Pas pezullimit të dekretit seanca do të anulohet.

Kreu i LDK-së ka deklaruar sot se në qoftë se merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të ketë të shtunën seancë në Kuvend por do të presin që gjykata ta marrë vendimin përfundimtar.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci një ditë më parë tha se presidenti i vendit ka bërë presion të vazhdueshëm ndaj LVV-së, kurse me dekretimin e Avdullah Hotit për kryeministër, partia e saj vlerëson se Thaçi ka shkelur me paramendim Kushtetutën e vendit.

Në kërkesën e LVV, drejtuar Kushtetueses, si referencë është marrë Kushtetuta e Kroacisë, e Sllovenisë, e Gjermanisë, Greqisë, Serbisë dhe Shqipërisë. /Plava e Gucia Sot

Exit mobile version