Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Grafitet me emrin e Ratko Mladiqit në Bujanoc – gjuhë urrejtjeje, provokim dhe kërcënim ndaj shqiptarëve

Dënojmë fuqishëm aktet e fundit të urrejtjes, përmes grafiteve të shfaqura në qendër të Bujanocit me emrin e kriminelit të luftës, të dënuar për gjenocid në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës, Ratko Mladiq.

Sot, në qendër të Bujanocit, janë shfaqur grafite të shkruara në alfabetin cirilik, të shoqëruara me kryqin dhe katër shkronjat “C” që lexohen “S”, si dhe emri e mbiemri i Ratko Mladiqit. Kjo është një shprehje e qartë e gjuhës së urrejtjes, frikësimit dhe kërcënimit ndaj shqiptarëve të kësaj treve.

Ky akt është vazhdimësi e provokimeve të mëparshme. Vitin e kaluar u thye në qendër të Bujanocit billboard-i i Komandantit të UÇPMB-së, Ridvan Qazimi – Lleshi. Vetëm gjatë dy viteve të fundit janë shtuar rastet e ngjashme, ku janë shfaqur edhe mbishkrime të hapura si “Vdekje shqiptarëve”. Të tilla grafite e pankarta janë shkruar rregullisht edhe në Preshevë e Medvegjë, përfshirë objektet publike si Shtëpia e Shëndetit në Bujanoc.

Nga një dukuri sporadike, këto shkrime janë shndërruar në përditshmëri, duke synuar mbjelljen e frikës, pasigurisë dhe nxitjen e shpërnguljes së shqiptarëve përmes presionit, diskriminimit e asimilimit.

Kërkojmë reagim të menjëhershëm nga institucionet më të larta të Bashkimit Evropian dhe mekanizmat ndërkombëtarë të OKB-së, që të shtojnë prezencën dhe monitorimin në Luginë të Preshevës. Shfaqja e këtyre grafiteve është dëshmi e qartë se, krahas pasivizimit administrativ e diskriminimit sistematik, shqiptarët përballen me kërcënime të drejtpërdrejta dhe me status të pazgjidhur politikisht në një nga rajonet më të pazhvilluara të Evropës.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që të reagojnë fuqishëm ndaj këtyre provokimeve, ndërsa nga autoritetet e Republikës së Serbisë kërkojmë të marrin përgjegjësi duke i dënuar zyrtarisht këto akte të gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimit ndaj shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.

Refik Hasani

6 shtator 2025

Pamja e vendit ku, në qendër të Bujanocit, janë shkruar grafite në alfabetin cirilik me kryqin, katër “C”-të dhe emrin e kriminelit të luftës të dënuar për gjenocid në Srebrenicë, Ratko Mladiq.

Exit mobile version