Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Gushti, simboli i betejave për liri e bashkim kombëtar, kushtrim për unifikimin e votës së shqiptarëve në Mal të Zi

Shkruan: Azgan HAKLAJ
Me dt. 30 gusht do të mbahen zgjedhjet në Mal të Zi.

Shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në Parlamentin e Republikës së Malit të Zi.

Është momenti kur shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës, të diasporës, kryeqendrat e tyre politike Tirana, Prishtina, Shkupi, me sy, veshë, zemër dhe mendje, me përgjegjësi të lartë politike, ndërgjegje patriotike, vetëdije të lartë kombëtare të jenë pranë shqiptarëve që banojnë në trojet e tyre etnike në Mal të Zi.

Të jenë pranë këtij komunieti të lavdishëm, i cili në shekuj e mijëvjeçarë e ka mbajtur ndezur flakadanin e lirisë duke u bërë njëherësh përçues nëpër breza i traditave më të shquara historike e kulturore të Kombit Shqiptar.

Mësuesja e madhe dhe e pagabueshme historia e popujve, e të shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes së tyre është busulla e saktë që na orienton edhe ne në detin e trazuar të konjukturave politike e gjeostrategjike të kësaj epoke në të cilën vendoset e ardhmja e Kombit tonë në Ballkan. 

Pas shembullit të bashkimit politik në emër të interesave të Atdheut, nën Flamurin Kuqezi të shqiptarëve të Tuzit, Luginës së Preshevës, votës plebishitare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është radha e liderëve të shqiptarëve të Malit të Zi, të cilët deri me dt. 4 gusht duhet t’i ulin flamujt e partive dhe të bashkohen e të valëvitin zhgabën e zëzë në fushë të kuqe siç e quante simbolin tonë të shenjtë Fan Noli, për të garuar në një listë të përbashkët me dt 30 gusht.

Muaj gusht është sinonim i nëntorëve të lirisë, si ana tjetër e emblemës së ndritshme e historisë së Kombit Shqiptar.

Data 15 gusht e vitit 1465, është dita e ngjitjes në qiell e Shen Marisë.

Në këtë muaj të shenjtë Gjergj Kastrioti i Madh shpartalloj në Betejën e Dytë të Vaikalit ushtrinë e renegatit Ballaban Pasha që kishte marshuar nga Thraka drejt Bulqizës dhe ushtrinë e Jakup Beut në Betejën e Kasharit që kishte marshuar nga Thesalia në Kashar, taktikë ushtarake kjo e Sulltan Mehmetit të Dytë, me qëllim për ta futur Gjergj Kastriotit mes dy zjarresh. 

Në këto dy beteja brenda pak ditësh Moisiu ynë shpartalloj 200000 ushtarë osmanë dhe kapi rob 6000 prej tyre.

Në Vaikal shpëtoj vetëm Ballaban Pasha me një grusht njerëzish, ndërsa Jakup Beun e ekzekutoj me heshtë Gjergji ynë, ashtu si Shen Gjergji i mitologjisë kuçedrën, ashtu si Akili pellazgo-ilir Hektorin para mureve të Trojës.

Në Eposin madhështor të shqiptarëve ka dy rreshta, të cilat nuk i gjen’ as në librat e shenjtë të Biblës dhe Kuranit.

Ja si ju drejtohet kreshniku Muj’ agëve të Jutbinës:

“Sa më ngushtë që unë kam ra 

Aq ma lirë Zoti ma ka ba”.

Këto vargje madhështore të cilat përmbajnë një antitezë kozmike tregojnë se Zoti i plotfuqishëm i donë shqiptarët e është pranë e në anën e tyre sa herë ju kërcënohet liria dhe ekzistenca.

Fjalët e Gjergjit të Madh, para ushtarëve të dërmuar nga betejat e plagët, të cilët hezituan të futen në Betejën e Kasharit për të cilën fola pak më sipër kanë mbetur profetike dhe dëshmi autentike të shpirtit të pamposhtur arbëror.

Kryetrimi shqiptar ju drejtua ushtrisë së tij me këto fjalë:

“Ushtarë të mi’, tregoni armikut gjoksin dhe jo shpinën”

Pesë shekuj më vonë, po në gusht të vitit 1912-të trimat shqiptarë të bashkuar në një ushtri prej dhjetëra mijëra luftëtarësh, të prirë nga prijësit e shquar Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Bajram Daklani etj, hyjnë triumfalisht në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, në Shkupin e lashtë iliro- dardan duke shpalosur madhërisht Flamurin Kuqezi, të lirë dhe krenarë.

Pikërisht nga ky qytet ideologu dhe udhëheqësi i Kryengritjes së Përgjithshme për pavarësi Hasan Prishtina organizoj Kuvendin e Madh Kombëtar duke shpalosur projektin e tij për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm.

Trojet shqiptare në Mal të Zi janë gjymtyrët me të fuqishme e vitale të Atdheut, një hapsirë, ku flet shqip toka dhe qielli, guri e druri. 

E nuk ka si të jetë ndryshe, sepse në këtë tokë të lashtë e të bekuar nga vetë Zoti ndodhen tempujt e shenjtë të Kombit Ulqini e Tivari, Podgorica e Tuzi, Hirushet Plava e Gucia të Gjon Balës e Ali Pashë Gucisë, Vranina e Oso Kukës, Deçiçi i Kullës legjendare të flamurtarit të pavarësinë Ded Gjon Luli, Nokshiqi ngadhënjimtarë i Jakup Ferrit, Bali Bajramit e Kajë Selmanes, Hoti i Çun Mulës e Gruda e Zhan Darkës Shqiptare Tringë Smajlit, Kalaja e Mbretëreshës Teutë e Kulla e Balshajve, varri i Ymer Prizrenit, varri i Gjon Buzukut, autorit të parë të Gjuhës Shqipe, varri i përkthyesit integral të Biblës Dom Simon Filipajt, llogoret ku luftuan strategët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjenerali Hodo Sokoli e Baca Kurti.

Shqiptarët e Malit të Zi nuk duhet të ndihen inferiorë pse janë të pakët në numër.

Ata janë kapedanë dhe duhet t’i kujtojnë fjalët e Aleksandrit, apo Lekës së Madh, siç e quajnë shqiptarët e veriut stërgjyshin e tyre të lavdishëm i cili po pushonte pak para se të fillonte beteja me Darin e Persisë.

Kur gjenerali i tij i vjetër Ptolemeu ju drejtua me fjalët:

“Zgjohu Perandor, përballë ke Darin me një milion ushtarë”, ai ju përgjigj.

“Ujku nuk mendon asnjëherë se sa e madhe është kopeja e deleve që do të shqyejë.

Beteja është e fituar”.

Data 30-të gusht nuk është betejë shpatash e heshtash, pushkësh apo topash si ato që kanë zhvilluar strategët tanë të mëdhenj për liri në antikitet, mesjetë apo në luftërat ballkanike e botërore me pushtuesit e shumtë për të mbrojtur trojet e veta.

Ajo është një betejë e bardhë elektorale e politike, e cila për asnjë lloj egoje e çmimi, apo përfitimi personal nuk duhet të njolloset nga përçarja.

Historia jonë, Atdheu dhe Flamuri Kuqezi na urdhërojnë të jemi të bashkuar.

Në këto zgjedhje Tirana, Prishtina, Shkupi, Lugina e Preshevës, Çamëria e kanë për detyrë atdhetare, mision kombëtar, obligim imediat, imperativ historik të kërkojnë e të mbështesin bashkimin e shqiptarëve të Malit të Zi për të dalë me një listë të përbashkët dhe për të votuar në mënyre unike për përfaqësuesit e vet për Parlamentin e Republikës së Malit të Zi, me qëllim rritjen e numrit të këtij përfaqësimi dhe faktorizimin e tyre.

Ky bashkim është nderim për historinë dhe ardhmërinë e Kombit Shqiptar.

Exit mobile version