Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Haradinaj në Mal të Zi, takon liderët e partive politike shqiptare

Kryeministri i Kosovës z. Ramush Haradinaj takoi liderët e partive shqiptare në Malin e Zi.

Takimi u realizua në lokalet e hotel Splendid, në afërsi të Budvës, në vigjilje të Samitit Ballkanik dhe Unionit Evropian.

Në takim me Haradinaj ishin përfaqësueset e

  1. Alternativës Shqiptare
  2. Forcës së Re Demokratike
  3. Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
  4. Lëvizjes Perspektiva
  5. Lidhjes Demokratike në Mal të Zi,
  6. Lidhjes Demokratike Shqiptare,
  7. Partisë Demokratike

8. Unionit Demokratik të Shqiptarëve

Kryeministri Haradinaj porositi të gjitha partitë politike shqiptare në Mal të Zi , që të ulen në një tavolinë për bisedime të ndërsjella për tema të ndryshme, pa marrë parasysh përkatësinë partiake që kanë, sepse shumë tema do të gjenin zgjidhje sikurse do të kishte pasur një koordinim më të madh.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se shqiptarët sot janë në pozitë të volitshme dhe se po marrin përgjegjësitë e tyre në krijimin e paqes së përhershme në Ballkanin Perëndimor.

 

Postimi i plotë i Haradinajt në Facebook:

 

“Kënaqësi t’i takoja sonte së bashku përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi, me të cilët patëm një bashkëbisedë të hapur, e cila do të vazhdojë së shpejti edhe në Prishtinë. Mali i Zi është partner i Kosovës në planin ndërkombëtar, fuqizimin e stabilitetit rajonal si dhe në rrugën e përbashkët europiane. Qeveria e Kosovës sheh me interes madhor fuqizimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Podgoricës, veçmas në ekonomi, si mundësi reale për ngritjen e mirëqenies së shqiptarëve në Mal të Zi. Shqiptarët, sot, janë në pozitë të volitshme kudo që jetojnë dhe si faktorë rajonal ata po marrin përgjegjësitë e tyre, në krijimin e paqes së përhershme në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Haradinaj.

Exit mobile version