Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Homazh në Urën e Ribnicës në Podgoricë – Vendi ku ka rënë Baca Isë Boletini

Shkruan: Gazmend Çitaku

Foto: Gëzim Mavriqi, Sami Flamuri

Pranvera e vitit 2018 ka filluar me ditë shumë të nxehta andaj edhe vizita e vendeve të ndryshme kulturo historike paraqet një pikë interesi shumë të madhë për çdo kend që i intereson kjo lëmi. Këtë (05 maj 2018) fundjavë së bashku me Sami Flamurin dhe Gëzim Mavriqin vendosëm që të vazhdojmë hulumtimet tona por kësaj radhe na u bashkangjit edhe djali im i madh Indriti. Preferencat janë të shumta. Shqiptarët në Mal të Zi janë autokton andaj edhe në cilin do vend që të ndalosh në këtë shtet, hasë në gjurmë shqipe. Parashikimet e motit nuk ishin shumë premtuese për këtë fundjavë andaj vendosa të planifikoj dy rrugë: njëra nëse është mot i mirë dhe me diell kurse tjetra nëse ndodh që moti është i ligë dhe me shi. Parashikimet e motit ishin të sakta. Fundjavë me shi. Andaj, ne vendosëm që të marrim rrugën e dytë e që duhej vizituar këto vende: Vuksanlekaj (Tuz, varret misterioze malësore) – Duklë (Podgoricë, qyteti antik ku ka lind Diokleciani) – Rotec (Tivar, Manastiri benediktin i shek. IX). Këtij rrugëtimi i kisha përgatitur edhe një destinacion e që përbënte befasi për të gjithë e ajo ishte Homazhi në Urën e Ribnicës në Podgoricë, vendi ku i ishte ngritur kurthi dhe kishin vrarë bacën Isë Boletini.

Varret misterioze në Vuksanlekaj, Tuz-Malësi e Madhe. Nga e majta Indrit dhe Gazmend Çitaku, Sami Flamuri, Gëzim Mavriqi. 05.05.2018

 

 Siç ishim marrë vesh nisemi nga Ulqini dhe pika e parë është Vuksanlekaj. Samiu gjatë rrugës flet për varret misterioze. Asnjë nga ne nuk kishim qenë më parë por unë e Samiu kishim disa informata. Robert Elsie s’ka se si të anashkalohet. Kur ai flet për varret e Vuksanlekajve thotë se edhe ai ishte befasuar me to sepse shqiptarët kanë humbur kulturën e dekorimeve të gurëve të varreve. Edhe ai pohon se varret nuk janë shumë të vjetra, siç pretendohet, dhe se datojnë diku nga fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shek. XIX. Vetura ecën vetë, gjarpëron rrugicave të Zetës ndalim në udhëkryqin e parë të pyesim se a jemi në rrugën e duhur. Për habinë tonë me një shqipe të pastër na pohon kalimtari i rastit si dhe na jep disa këshilla si të mbërrijmë më lehtë. Vazhdojmë rrugën dhe i afrohemi destinacionit. Filloi shi. Rrëbesh. Gjarpërojmë rrugicave.

Ndalon shiu, ndalojmë edhe ne të pyesim a jemi afër. Harta elektronike na thotë 4km deri në vendin e duhur, bashkëbiseduesi i ri nuk di shqip për habinë tonë por, me një dashamirësi na thotë të vazhdojmë drejtë dhe të kthejmë dy herë majtas e kur të dalim në rrugën kryesore jemi aty, 200m nga destinacioni. E falënderojmë dhe vazhdojmë. Shiu filloi prapë të bie, vozitëm edhe pak dhe arritëm në cak. Ndoshta ngase jemi nga bregdeti (Ulqini) dhe parapëlqejmë  që për ngasjen e veturës të themi VOZIS po ndajë me ju shpjegimin nga fjalori elektronik shqip-shqip (1. VOZITËS m. sh. – 1. Ai që nget barkën, lundërtar. 2. VOZITJE f. sh. – Veprimi sipas kuptimeve të foljes VOZIT. Vozitje me barkë.)

Pra, e kuptuat që ne të bregdetit të gjitha i kemi lidhur me detë dhe me barkë. Por t’i kthehemi tregimit tonë. Ndaluam ne, ndaloi edhe shiu, apo më mirë të themi shiu ndaloi 1 minut para nesh kurse në vendin tonë të interesit nuk kishte rënë aspak. Samiu mendonte se kemi gabuar vendin pasi që në oborrin e kishës kishte varre gjigande luksoze me mermer të zi. Gëzimi përgatiti aparatin fotografik kurse unë u prija drejt cakut. Kaluam rendin e parë dhe të dytë të varreve dhe para nesh u shfaqën kompleksi i varreve të vjetra. Gurë të lartë e të gdhendur me figura nga më të ndryshmet.

Asnjëri nuk kishte figura të njejta. U shpërndamë. Që të katërt me aparate fotografike u mundonim që të dëshmojmë sa më shumë. Ja disa shenja pagane, ja disa shenja florale. Në njërin varr në malësor me veshje kombëtare, në një tjetër një nënë me fëmijën e vet. Në një gurëvarr koburja e në tjetrin shpata, në njërin gjarpëri e në tjetrin dielli. Nuk gjetëm as edhe një shkronjë nga të gjitha varret e që ishin dikund 30 me zbukurime. Për habinë e të gjithëve në këto varre malësore, katolike ishte edhe një varr i një myslimani. E gjeti Samiu. Po si, kush, kur, pse? Misteri mbetet së bashku me këta gur-varre. Pas disa minutash bredhje majtas-djathtas, poshtë-lartë dolëm nga mbresat që na kishin kapluar bëmë një fotografi bashkërisht dhe vazhduam rrugën tonë për në pikën e dytë – Doclea apo Dukla si thuhet në gjuhën lokale.

Shokët i paralajmërova se ka ardhur koha që t’ua tregoj befasinë që ua kisha përgatitur. Në hyrje të Podgoricës, kur vjen nga bregdeti në të majtë është një lulishte ku luajnë fëmijët e pushojnë pensionistët e që në të vërtetë dikur aty kanë qenë varret muslimane të Podgoricës, por me rritjen e qytetit ato zhvendosen në një vend tjetër. Samiut i bie në mend se aty ka qenë varri i Isa Boletinit. Dhe bingo. Ia qëlloi temës por jo edhe asaj se çka unë u kisha përgatit. Kaluam disa blloqe nëpër qytet dhe duke kërkuar vendparkim Samiu veç ia kishte filluar ligjërimit për atë çka dinte rreth bacit Isë. U parkuam dhe dolëm nga vetura. Hapat u shpejtuan. Askush nuk bëzënte, kaluam rrugën kryesore dhe poshtë nën urën e madhe në vendin ku lumi Ribnica bashkohet me Moraçën para nesh u shfaq Ura e Ribnicës.

Ura e Ribnicës në Podgoricë. Vendi ku iu ngrit kurtha dhe u vra baca Isë Boletini së bashku me shokët e tij më 23 janar 1916.

 

Qetësi. Samiu tha një lutje për shpirtërat e dëshmorëve dhe ashtu të befasuar që të katërt bëmë një homazh pranë vendit ku iu kishte ngritur kurtha Isa Boletinit. Matanë lumit fillonet kalaja e Podgoricës dhe lagja Qyteti i vjetër apo tani si e quajnë në gjuhën lokale Stara varosh. Ura ishte e ruajtur mirë dhe mundoheshim të mësojmë se nga do të ketë qenë e mundur që baca të kishte rënë në kurthë. Si gjithmonë Samiu online përmes rrjetës sociale lë dëshminë përmes videoxhirimit të vendit bashkëngjitur një sqarim dhe histori të shkurtër të asaj ku jemi e çka po bëjmë. Bëmë homazhin, fotografuam çka na dukej interesante, kujtuam trimat tanë dhe me apelin që kushdo që vjen në Podgoricë, mu në zemër të saj – mu në qendër përballë Parlamentit republikan gjendet vendi i vrasjes së Bacës Isë dhe nuk do ishte keq që të vizitohej ky vend dhe të përkujtojmë trimat tanë sepse vetëm kështu nderojmë mundin e tyre e bashkë me këte nderojmë edhe veten tonë.

Unë vazhdoja të gjarpëroja rrugëve të Podgoricës sepse i kishte ardhë radha Duklës – Doclea. Vendit që shteti nuk ka bërë asgjë për te e që paraqet një sit arkeologjik të klasit të parë. I përgatis miqt se ky vend nuk mund të përshkruhet me fjalë atë duhet parë sepse vetëm atëherë mund të kuptosh rëndësinë që ka pasë dikur Dukla dhe çka ka përfaqësuar ajo dikur. Kalojmë anës së majtë të lumit Moraça në drejtim të Danillovgradit dhe pas disa kilometrash kthejmë në të djathtë, kalojmë urën dhe prapë në të djathtë pranë një shenje miniature që me shkronja shumë shumë të vogla tregonte drejtimin Dukla vazhduam rrugën. Unë kam qenë një herë më parë në Dukël para disa vitesh me mikun tim arkeologun Anton Lulgjuraj mirëpo si duket me kalimin e viteve edhe kisha harruar pak edhe rrugën. Por jo, para nesh filluan të shfaqen gërmadhat. Të gjithë mbeten me gojë hapur. Dolën fjalët e mia se Duklën duhet parë sepse nuk ka fjalë të përshkruhet. Tani filloi një rrëbesh shiu shumë i madh. Një bari që ruante bagëtinë e vet në sitin arkeologjik të Duklës na përshëndeti dhe mundohej të strehohej diku mos ta lagi shiu. Ne vendosëm të presim në veturë deri sa të ndalet shiu. Samiu nxorri i-phon-in dhe na tha se videoja që ka postuar nga Ura e Ribnicës kishte mbërrit në 1000 shikime e nuk kishin kaluar ende as një orë. Pra, edhe kësaj radhe i kishim rënë mu në qendër të shenjës. Homazhi në vendin e vrasjes së Isa Boletinit paraiqte kulmin e rrugëtimit tonë të sotëm.

Doclea antike – Dukla. Vendi antik i Dokleatëve ilir. Këtu ka lind Perandori romak Diokleciani i cili sundoi prej vitit 284-305 e.re.

 

Nuk vonoi shumë dhe shiu ndaloi. Ndaloi enkas për ne, e ne shpejt dolëm të armatosur me aparatet fotografike dhe telefonët e mençur në mënyrë që të përjetësojmë sa më shumë nga kjo ditë dhe ky vend. Vetëm tani u bindën në madhësinë e vendit. Majtas tabela që thotë se këtu gjendej një terme e vogël (e kjo ishte gjigande) po sa do të jetë ajo e madhja? Gëzimi nxorri dronin dhe e ngriti në ajër.

Pamje fantastike. Në Dukël ka lindur edhe Perandori Romak (me prejardhej ilire) DIOKLECIANI i cili sundoi prej vitit 284-305e.re. Më poshtë qartë shihen gërmadhat e një katedraleje gjigande. Çdo gjë ishte gjigande, kolonat, stelat, ornamentet e rozetat e ndryshme. Të gjithë kishim mbetur të habitur. Si ka mundësi që asgjë nuk është prek në këtë vend për revitalizim? Po përgjigja vjen aq natyrshëm se vendi ka themele ILIRE, ka kulturë, të kaluar, histori ILIRE dhe sllavët ende nuk janë të gatëshëm të pranojnë faktin se ne na gjetën këtu dhe se përvetësuan shumë prej objekteve tona si të kultit ashtu edhe të kulturës. Po tek e fundit popujt bashkëjetojnë dhe nuk ka asnjëfar problemi, pra ndoshta ka ardhë koha që edhe ata ta pranojnë realitetin e hidhur për ta.

Dukla ende qëndron dhe dëshmon për rëndësinë e saj në kohën kur kishte pikën e lulëzimit. Dukla e ngritur me themele ilire të fisit Dokleat, në shek. I të e.re ka pasë prej 8000-10000 banorë. Në shek.II-III bëhet, ta quajmë, kryeqytet i Prevalitanës supozohet se shkatërrimin e parë të madhë e përjetoi nga sulmet e fiseve barbare nga shek. IV-V, pastaj pason një tërmet i madh dhe përfundimisht dyndjet sllave nga shek.VII i japin fundin. Më vonë ka tentime që të ngritet në përsëri por shkëlqimin që ka pasë nuk e arriti më kurrë. Dukla ende qëndron, ende dëshmon dhe ende fascion të gjithë ata që e vizitojnë. Shiu filloi përsëri duke na e bërë me dije se shfaqa mbaroi. U mblodhëm me përshtypjet më të mira dhe vazhduam rrugën tonë për në shtëpi.

Gëzimi shfaq dëshirën që në një të ardhme të afërme të vizitojmë edhe kalanë e Spiçit apo si e quajnë në gjuhën lokale Haj-Nehaj. Por Samiu jep propozim më të mirë. Roteci. Manastiri i murgjëve benediktin që në shkrimet e para përmendet që nga shek.IX. Kuvendi (Abati) i Rotecit është vend ku shumë lehtë do të ketë qenë e mundur që aty të jetë shtypur Meshari i Gjon Buzukut. Pa dyshim dokumentet dëshmojnë për praninë e Gjergj Pelinit (Georgius Pelino ?-1463) i cili jo vetëm se ishte kryemurg i Kuvendit të Rotecit por ishte edhe diplomat i Skënderbeut për çështje lidhur me Republikën e Vendikut.

Muret e Rotecit janë të ndërtuar me gurë të latuar, dritare të gjata e të holla që të bën të vish në përfundim të ndërtimit të stilit romanesk (500-1100). Historia shfaqet si një libër i hapur. Samiu thërret Skënderbeun, paramendojmë se do të kishte qenë ulur në gurin pranë pemës së fikut dhe të ketë kuvenduar me Gjergj Pelinin si për çështjet diplomatike me Venedikun ashtu edhe rreth çështjes së zënkes së tij me Lekë Dukagjinin. Gëzimi përjetëson momentet me fotografi. Kur dëgjon të dhënat lidhur me rëndësinë e Kuvendit të Rotecit ngret dronin dhe bën fotografi të papërshkrueshme. Të gjithë së bashku ngjitemi në pikën më të lartë dhe vijmë në përfundim se komunikimi i Kuvendit të Rotecit është shumë i mundëshëm pasi që deti i hapur të jepte pamjen deri në kalanë e Skënderbeut në Kepin e Rodonit.

Kuvendi (Abati) i Rotecit, vendi ku kryemurg ka qenë Gjergj Pelini, diplomat dhe përfaqësues i Skënderbeut lidhur me çështjet me Republikën e Venedikut, Tivar, Mali i Zi.

Kuvendi (Abati) i Rotecit, vendi ku kryemurg ka qenë Gjergj Pelini, diplomat dhe përfaqësues i Skënderbeut lidhur me çështjet me Republikën e Venedikut, Tivar, Mali i Zi.

Dielli kishte filluar të perëndojë dhe ne duhej të merrnim pjesë në përurimin e librit të dr Nail Dragës i cili e bënte në Ulqin. Nisemi të mbushur plot mbresa të papërshkrueshme. Me premtim se edhe vikendin e ardhëshëm do bëjmë një rrugë që me të vërtetë e meriton të vizitohet dhe përjetimet të ndahen me të gjithë shokët e miqët si real ashtu edhe virtual. Deri në takimin e aradhës. Mirëutakofshim.

Gazmend Çitaku

Exit mobile version