Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Humba mikun – Ndarje e dhimbshme – Zgjedhje në Shtator 2020

Shkruan: Avni Abazi

Miq dhe mikesha,

Ju informoj që sot rreth orës 7.00 të mëngjesit, me kohë të SHBA-ve humba një mik me influencë. Ndarja nga miku im i çmueshëm me të cilin njihemi që nga viti 1997, ndodhi pas një bisede surprizë dhe të gjatë në telefon! Në fakt isha në gjumë të thellë kur më cingëroi telefoni dhe kur pash kush ishte vërtetë u shqetësova, sepse menjëherë më shkoi mendja për diçka të keqe që mund të ketë ndodhur.

E hapa telefonin dhe fjala e parë që më tha ishte, “ku je o artist” dhe qeshi me zë. Çka ka të re i thashë?

-Jo tha asgjë, por pata qef me ta dëgju zërin.

Unë insistova që të flisnim më vonë, pasi të zgjohem, por miku më bindi që të vazhdonim pasi që më tha se jam në karantinë dhe mund të flejë edhe gjatë ditës.

Kështu që biseda vazhdoi pasi dola në dhomën e ditës dhe u kthjella pak. Çuditërisht, edhe pse insistoja që të bisedonim për Covid-19 këtu në NCY dhe atje, ai donte të dinte për qëndrimet e mia rreth gjendjes politike në Kosovë.

Si në humor i thash, po s’ka shumë rëndësi qa themi ne, e as çka thonë shumica! Ju keni vendosë ta bëni tuajën dhe si duket do i bini shuplakë Kushtetutës e s’do ketë as ligj robi, e as vlerë njerëzore që t’ju ndalë. Nga ky humor që përdora, miku u prek pak dhe ma kthej: Artist, ti s’ban mu identifiku me asnjë parti e me asnjë lider!… Sepse, siç ke thënë gjithmonë “Artisti është mbi partitë dhe kryetarët e tyre”!

I thashë po… Ashtu kam thënë dhe i qëndroj asaj që kam thënë! Edhe pse këtë teori e kemi bisedu kur rekrutonit artistë të dobët në radhët e partisë!

– Jo me tha! Ti me shkrimet e tua je me Albinin? E çuditshme…Ti je artist i mirë… Ti ke bërë shfaqje në Big Aplle më tha dhe shtoi: Kurrë s’do e besoja që do vinte një ditë e të lexoj nga ti postime plot dashni për një qeveri katastrofë…

Duke qeshur i thashë: E vërtetë është që e kam mbështetë Vjosën dhe Albinin! Please mos më thuaj artist i mirë, sepse sikur të isha i tillë nuk do rrisha pa punë nga 2011 deri në 2017…

-Jo me tha! Ti je LDK-ist në shpirt që e mbështet Albin Kurtin.

Që të mos zgjatëm. Për afro 40 minuta jemi sha e përla e s’kemi lënë gjë pa i thënë njëri-tjetrit, madje edhe gjëra banale, gjithmonë rreth politikës…

Konflikti u ndërpre kur bërtiti: Artist ti e din që unë jam strategjist partie dhe si i tillë jam pjesë e të ardhmes së Kosovës.

Faleminderit shumë, po nuk kthehem në Kosovë, e aq më pak tek ju! I thashë…
-Nuk po të fton kush më tha, por po të tregoj që kjo ëndërr e juaja për Vjosën dhe Albinin përfundon këtu, dhe ma kaq…

E kuptuat herët rrezikun! Sikur ti lenit edhe më tutje në pushtet, atëherë kush votë nuk do tu jepte të tjerëve, prandaj i rrëzuat, i thashë…

Për një moment biseda jonë u ndal. Dëgjohej frymëmarrja e thelle në të dyja anët e receptorit! Të krijohej përshtypja sikur ishim ndalur pas një vrapi të gjatë e të largët. Heshtjen e theu miku: -Ti nuk je artist sepse ke bërë shumë vepra ose se veprat tua janë aq të arrira. Ti je artist sepse je shpirt i lirë dhe beson në idealen që në realitet nuk ekziston. Politika është interes i padroneve, të fortëve! Dëgjo këtu çka po të them: Çdo gjë që ka ndodhe është udhëhequr nga shefi i madh, dhe është bërë në koordinim të plotë nga palët e përfshira. Ajo që palët se din e që do të jetë surprizë shtatori, janë zgjedhjet e parakohshme në të cilat do të fitoj PDK-ja e udhëhequr nga Hashim Thaçi me moton e vetme “Bashkimi Kombëtar”.

Unë qesha me të madhe dhe i thashë “po gabon”, sepse marrëveshja parasheh një mandat të dytë për president dhe jo kthim në politikë të presidentit.

-Miku im i shkolluar jashtë e i angazhuar brenda partisë dhe afër njerëzve kyç të kësaj politike njëzet vjeçare në Kosovë qeshi dhe shtoi: Kjo që thua ti, është ajo që flasin portalet, analizojnë analistët dhe dyshojnë partitë. Madje disa thonë që qeveria e re, do të zgjatë katër vjet, derisa këta të LDK-së mendojnë që do ta kanë edhe presidentin nga 2021-ta… Ajo që do të ndodhë është strategji e PDK-së, e menduar mirë për të cilën është këshilluar edhe nga miku ynë, vendi ku ti jeton me emrin Amerikë…

Mjaft i thashë me abuzim në emën të Amerikës, sepse nëse e keni shok Ric Grenellin nuk do thotë që ju mbështet edhe Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit.

Qe dy orë në telefon. Ma prishe gjumin, më fyve dhe ofendove dhe tani më flet për gjëra që nëse ka veç pak demokraci, s’ka shans me ndodhë.

-Do të ndodhe se ç’ke me të më tha: A të kujtohet “Revolucioni” në Shqipëri në 2007-tën, kur thoje që s’ka shansë të kthehet Fatos Nano në pushtet! A të kujtohet kur të thoja që me vdekjen e Rugovës s’ka më LDK, dhe që tani e tutje PDK-ja do e këtë në dorë fatin e Kosovës! A të kujtohet kur uleshim në EDI 2 e bisedonim me orë të tëra për VLAN-in e të thosha që s’kanë asnjë teori që ta bëjnë qeverinë. Ti më kundërshtoje edhe atëherë shoki im Avni! Por, më thuaj që s’kam pas të drejtë? Po me kujtohen të tri këto ngjarje dhe më paska marrë malli të bisedoj me ty…

Sa keq që prej 2014-ës kur kemi fol për VLAN-in, s’u takuam më, as për kafe e as nuk biseduam më… kurrë… Se di përse nuk folëm më. Apo ndoshta edhe atëherë më ka ardhë keq dhe mërzi që ti ke fituar bastin dhe është bërë ashtu siç ke thënë ti pa çka se do ishte mirë me ndodhë siç kam dashur unë. Apo ti u bëre edhe më i fortë në parti dhe ikje nga unë sepse frikësoheshe që do të ngushtoja për ndonjë kërkesë për punë. Nuk po kuptoj përse më thirre! A mos vallë edhe kësaj radhe dëshiron që të më tregosh që je i zoti dhe që strategjia jote do të dal në fund. Ndoshta…

-Nuk jam i sigurt pse të thirra. Thjesht deshta me të thënë mos u merr me Kosovë sepse është e kotë. Unë dua që ti të kesh sukses atje në Amerike shoki im dhe të mos dukesh si do shaca që punojnë në BAUSHTELL e shesin mend dhe patriotizëm në FaceBook…

Prapë s’spo kuptoj i thashë…

Avni: Kosova brenda javës do të ketë qeveri të re, e cila do ta nënshkruaj marrëveshjën te Trump-i brenda tre muajsh e që me pastaj do të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës. Marrëveshja, t’premtoj që nuk do jetë e keqe ashtu siç ka dal në media, por do të ketë disa lëvizje të kufirit në veriun e Kosovës. Plani është që të lëvizet në diçka shumë të madhe menjëherë, për të cilën populli i Kosovës ka luftuar më shekuj, e që është Bashkimi Kombëtar. Kjo do të jetë edhe formula e votimit të marrëveshjes nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Sa po të kryhet votimi në Kuvend, Kryetari do të shpall zgjedhjet e lira të parakohshme, të cilat do të mbahen gjatë shtatorit, eventualisht deri nga mesi i tetorit të këtij viti. Në këtë plan siç të thashë është punuar gjatë dhe patjetër që do ketë sukses…

Ishte hera e parë që pasi dëgjova këto që më tha miku im, unë ngela pa tekst. Nuk dija çka të thosha… Thjesht për herë të parë në jetën time fola diçka që nuk do ta thoja në asnjë rrethanë tjetër normale. Ty vërtetë të kam mik të mirë i thashë, dhe të falënderoj shumë për këtë bisedë, të cilën do të kesh rast ta lexosh sot gjatë ditës, apo edhe natës në kohë të Kosovës…

Ja mbylla telefonin… Hapa sytë dhe pash që familja ime ishin ndalur tek hyrja e sallonit dhe më shikonin të habitur…

Nuk është asgjë, po bisedoja më një shok në Kosovë ju thashë. Telefoni po cingëronte përsëri…
Nuk mund të mos e hapja sepse krijoja dyshim te familja. Hapa telin: Po…

-Mos gabo me fol për asgjë nga ajo që folëm… Është sekret shtetëror dhe nuk bën të del në opinion. Jemi miq për kaq shumë kohë dhe të fola në besim si vëllaut. Kupto, nëse del kjo bisedë prishet puna dhe bëhet keq dhe të betohem që unë nuk do të jem mik me ty nëse shkruan këto që i folëm…

Miku im i thashë: Unë nuk jam askushi që dikush të besoj bisedën tonë. Ti je aq i fuqishëm e i madh sa që edhe po t’dal me tupan e të them që fola më Filan Fistekun nuk do ta besojnë. E di që të humbi si mik, por a nuk është më i madh interesi i Kosovës se sa miqësia jonë!? Të premtoj që emrin tënd nuk do ta bëjë publik… Lamtumirë miku im…

E mbylla telefonin dhe t’ju them të drejtën ndjeva pikëllim sepse e humba një mik të mirë e të dijshëm, që sikur të ishte i mbarë e i mirë e sikur djalli të mos e pushtonte dijen e tij, ai do i shërbente kombit më mirë se kushdo.

Exit mobile version