Dialogu për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet të fillojë menjëherë pas festave, tha kryetari i Partisë Boshnjake (BS), Ervin Ibrahimoviq, duke shtuar se njëri nga kandidatët e propozuar duhet të jetë nga radhët e pakicave. Në një intervistë për agjencinë MINA, Ibrahimoviq apeloi për përgjegjësi politike dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të arrijnë një marrëveshje për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Ai përkujtoi se thirrja për zgjedhjen e gjyqtarëve të kësaj gjykate tashmë është shpallur dhe këtë e percepton si vullnet të mirë për zgjedhjen sa më shpejt të gjyqtarëve. “Pres që menjëherë pas pushimeve të fillojnë diskutimet për të gjetur kandidatët më të mirë të mundshëm për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i zgjedhim ata sa më parë”, tha Ibrahimoviq. Ai tha se beson se të gjithë përfaqësuesit politikë e kanë kuptuar se Mali i Zi ka nevojë për Gjykatë Kushtetuese dhe më pas zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ai beson se është e pakuptimtë të flitet për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, pa propozuar një përfaqësues të vetëm të popujve pakicë.
“Kushtetuta dhe ligjet tregojnë qartë përfaqësimin proporcional të pakicave. Pres përgjegjësi dhe fillimin e dialogut sa më shpejt. Nuk ka kompromis me faktin që asnjë nga përfaqësuesit e pakicave nuk do të propozohet si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese”, tha Ibrahimoviq.