Site icon PLAVA E GUCIA SOT

In Memoriam: File KASTRATI, afroulqinakja e fundit e Ulqinit


Nga Ismet Karamanaga*

Të hënën me 03.01.2022, në moshën 89 vjeçare ndërroi jetë File Kastrati , një zonjë e “rëndë” dhe e mrekullueshme. Zonja File ishte Afroulqinakja e fundit në qytetin tonë nga komuniteti i “Harapëve” Zezakëve të ardhur shekuj më parë nga brigjet e Afrikës.
Ky komunitet ka lënë gjurmë të pashlyera në historikun , në jetën dhe në përgjithësi në trashëgimin të qytetin tonë. Ato kanë qenë një urëlidhëse ndërmjet kësaj pjesë të Adriatikut me Orijentin.
Ky komunitet i ka dhënë një sharm të veçantë qytetit tonë, dhe e ka bërë këtë qytet edhe më të bukur dhe më të mirë, duke na sjellë një kosmopolitizëm të paparë në mesdhe . Këta njerëz plotësisht të lirë, me përkrahje të parezervë të popullatës ulqinake , gjithkund të ftuar e të respektuar , në ndenja , në gazmende dhe në dasma, ishin pjesë e pa ndarë e qytetit tonë.
Njëra nga ato ishte edhe tashmë e ndjera File e cila ka qenë një zonjë e mirë, e rallë, gjithmonë e qeshur , modeste , me një të ecur karakteristik dhe e cila pa dyshim ka gëzuar një respekt të merituar dhe të veçantë nga të gjithë qytetarët e Ulqinit. Më kujtohet figura e saj markante duke kaluar Pazarit shpeshherë me broke të bardhe në duar.
Prandaj, unë flas dhe shkruaj me një pietet të veçantë për këtë zonjë, pasi që pas ndërrimit i jetës së saj pak gjurmë mbesin, të themë më mirë shumë gjurmë zhduken nga ky komunitet i rëndësishëm i cili qytetit tonë shekuj me radh i ka dhënë një imazh dhe një kosmopolitizëm të rallë në këtë pjesë të Evropës.
Zonja File dhe të parët e saj kanë mbetur sinonim i një kohe të cilën nuk guxojmë ta harrojmë. Prandaj është mirë të përmenden, të shënohen dhe të mos harrohen kurrë.
Inshallah shpirti i saj gjen prehje në Xhenet.

*Marrë nga faqja e autorit në facebook

Exit mobile version