Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Isa Boletini dhe emigrantët shqiptarë në dokumentet arkivore të Arkivit Shtetëror të Malit të Zi

Nga Hajrullah Hajdari

Në dy fondet e Arkivit Shtetëror të Malit të Zi (në tekstin e mëtutjeshëm:ASHMZ), atë të Ministrisë së Pun;ve të Brëndshme (ne tekstin e mëtutjeshëm:MUD) dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme (në tekstin e mëtutjeshëm:MID) gjenden apo më mirë të thuhet janë të regjistruara një numër i konsiderueshëm i dokumenteve që kanë të bëjnë me Isa Boletinin dhe emigrimin e shqiptarëve të Vilaetit të Kosovës në Mal të Zi, pas shuarjes së kryengritjeve nga ushtria turke në vitin 1910. Dokumentet pasqyrojnë ardhjen e Isës në Mal të Zi, qëndrimin dhe aktivitetet e tij, por nuk flitet për largimin e Isës nga Mali i Zi në vitin 1911. Po ashtu nuk flitet as për rikthimin e tij në Mal të Zi më 1915, pas rënjes së dytë të Shkodrës në duart e malazezëve edhe pse nga dy letrat e pabotuara për Isa Boletinin del qartë se vërtetë ishte kthyer në Mal të Zi, ku disa muaj më vonë vritet mizorisht nga xhandarmëria malazeze. Sipas dokumenteve arkivore vërejmë se Isa Boletini nuk kishte kërkuar tretman të veçantë, por trajtohej si të gjithë emigrantët e tjerë. Ndihma që ai merrte në emër të shpenzive për strehim dhe ushqim nga qeveria e Malit të Zi ishte e njëjtë sipër të gjithë të tjerët, përveç shpenzimeve që bëheshin për mbajtjen e kalit të Isës që e kishte sjellur me vete. 

Dua të cekim se dokumentet arkivore që gjenden në ASHMZ nuk hjedhin dritë mbi vrasjen e kryetrimit e luftëtarit të lirisë Isa Boletini, pasi nuk ruhet asnjë dokument në lidhje me këtë çështje.

Hajrullah Hajdari

Kjo ndoshta edhe për faktin se ajo ngjarje makabër ndodhi mu në ditën kur Mali i Zi po pushtohej nga forcat austohungareze. Dy vite më vonë, Mali i Zi në Kuvendin e Madh të Podgoricës, në mënyrë të paligjshme e humbi sovranitetin shtetëror dhe padëshirën e shumicës së popullit iu bashkangjit Serbisë. Për këtë periudhë kohore në Arkivin Shtetëror të Malit të Zi ka shumë pak ose aspak dokumente të cilat pasqyrojnë ngjarjet e kësaj kohe. Në këtë kontekst duhet të shikohet edhe në mungesën e dokumenteve për ditët e fundit të jetës dhe vrasjes së Isa Boletinit.

Më lart, me qëllim theksova  se në dy fondet e ASHMZ-së janë regjistruar një numër i dokumentëve për Isa Boletinindhe emigrantët tjerë shqiptarë në Mal të Zi. Vërtetë në fondin MUD për ardhjen, qëndrimin dhe veprimin  e emigrantëve shqiptarë në Mal të Zi janë regjistruar 50 dokumente ndërsa për ardhjen, qëndrimin e Isa Boletinit në Mal të Zi  32 dokumente. Ndërkaq, në fondin MID për emigrantët dhe Isa Boletinin janë regjistruar 32 dokumente dhe disa të tjera që i përkasin Konsullatës së Malit të Zi në Shkodër.Siç u njoftova nga zyrtarët e ASHMZ-së regjistrimi i këtyre fondeve dhe dokumenteve është bërë në vitin 1965. Për çudi, nga të gjitha dokumentet e regjistruara  në fondet arkivore të sipërpërmendura, studiuesi mund të shfrytëzojë një numër shumë të vogël të tyre. Pra, mungojnë dhe nuk dihet se nga cila datë dhe vit mungojnë! Nuk dua të besoj se nuk më janë dhënë me qëllim, sepse ata dokumente, në mendim të parë, shkojnë në favor të mirësjelljes së Malit të Zi ndaj emigrantëve kryengritës shqiptarë nga Vilajeti i Kosovës, por mungesa e tyre e bën të mangët këtë studim dhe çdo studim tjetër për qëndrimin e emigrantëve shqiptarë dhe vetë Isa Boletinit në Mal të Zi dhe për sjelljen dhe veprimtarinë e pushtetit, ushtrisë dhe xhendarmërisë malazeze ndaj shqiptarëve. Pse u mënjanuan dhe nga kush këto dokumente nga fondet arkivore nuk mora një përgjigje të prerë nga zyrtarët e ASHMZ-së! Ekzistojnë shumë mundësi ndër të cilat po përmendim vetëm dy: E para, ka mundësi që dokumentet janë menjanuar me urdhër nga lart dhe e dyta, ka mundësi që këto dokumenta i ka marrë dikush nga studiuesit që i kanë shfrytëzuar këto fonde, që më duket, duke pasur parasysh procedurat e përdorimit të matrialit arkivor, e pa mundur. Pas vitit 1990 dokumentet për emigrantët shqiptarë dhe Isa Boletinin i  kanë përdorur vetëm dy studiues shqiptarë, Zekiria Cana, Gjergj Nikprelaj dhe unë. Pas kontrollimit të të gjitha fusnotave të përdorura nga këto dy studiues u vërtetua se dokumentet që mungojnë nuk janë përdorur nga ata, sigurisht se kanë munguar edhe atëherë. Shtrohet pyetja ku janë dhe kush i ka marrë!?

Sipas shkresës së MPB-së, nr. 1294/ 7 qershor 1910, i pari në Mal të Zi, më 13 qershor 1910, kufirin në Velikë, e kaloi vetë i gjashtëmbdhjeti Isa Boletini. Ai u ndalua nga rojet kufitare, të cilet mënjëherë lajmëruan MPB-në në Cetinë. Ai, së bashku me të tjerët, sipas urdhërit të prerë të ministrit të Punëve të Brendshme duhej të përcillej mënjëherë në Nikshiq. Ministri porositi që Isa të mbahet vazhdimisht nën kontrollë. Së bashku me Isën  kufirin e kaluan: Halili, Muja dhe Ademi, djemt e Isës, Tafili, Januzi dhe Jashari, djemt e vëllaut të Isës, Hamid Ahmeti, miku (kunati) i Isës nga nahija e Pejës,Bislim Selimi, mik (kunati) i Isës nga nahija e Vuçitrnës, Bajram Sali, pobratim i Isës, nga nahija e Pejës, Selman Shabani, kushëri i Isës, Hasan dhe Qerim Selimi, kushërinj të Isës,Hazel Lahi, kushëri i Isës. 

Isa Buletini dhe Hasan Ferri, kufirin e kishin kaluar dhe kishin shku ar në Nikshqi me kuajt e tyre.

Në shkresën K nr.1963, të datës 26 qershor 1910, e cilësuar si urgjente, të cilën Stanko Nikçeviqi,  në emër të Drejtorisë Krahinore në Nikshiq ia dërgon ministrit të MPB-së Jovan S.Pllamenac, thuhet: “E kam për nderë të njoftoj z.ministrin se Isa Boletini (Boletinac) dhe Hasan Ferri (Feroviq) kan sjellë edhe 2 kuajt e tyre, të cilët i mbajnë në shtallë. Hotelieri i këtushëm Vaso Naskiq çdo ditë blenë sanën për ato dy kuaj. Nëse do të paguhen shpenzimet edhe për dy kuajt e tyre, ju lutem të dërgoni shumën prej 300 perperësh për blerjen e sanës”.

Mal të Zi, për të mos mbetur në Velikë apo kudo tjetër afër kufirit por për të vazhduar rrugën për në Nikshiq, vazhdonte t’u jepte ndihmë financiare të gjithë emigrantëve që vazhdonin të vinin nga Vialeti i Kosovës. “Meqenëse emigrantet e sotëm, që janë gjithsej trembëdhjetë, me vete për veç armëve nuk kanë sjellë asgjë, ju lutemi që sa më parë t’i jepni urdhër doganës së këtushme që në emër të shpenzimeve të rrugës deri në Nikshiq, , t’u jepen një shumë në të holla, për ndryshe është e pamundur që të nisen” thuhet në telegraminin e Serdar Tomanoviqit dërguar  nga Andrijevica, më 20 gusht 1910, ministrit dhe kryetarit Dr.Tomanoviqit.

Shteti i Malit të Zi të gjithë emigrantëve të Vilajetit të Kosovës kishte vendosur që t’u sigurojë shpenzimet e qëndrimit- fjetjes dhe ushqimit. Fillimisht, shteti i paguente pronarit të objektit (Vaso Zllatar) ku ishin vendosur Isa Boletini me shokë, shpenzimet e qëndrimit nga 3 perperë për çdo emigrantë Edhe këtu Isa Boletini nuk dallohej nga të tjerët. Për shpenzimet e tija shteti paguante vetëm 3 perpera në ditë.

Një shkresë tjetër, pa titull, e datës 5 korrik 1910, vërtëton ndihmen financiare që i jepej Isa Boletinin për shpenzimet e qëndrimit në Nikshiq. Në shkresën që i drejtohej Drejtorisë Krahinore në Nikshiq thuhet: “Sot janë nisur parat (të hollat) për mbajtjen e Isa Boletinit me shokë”.

Emigrantët, përveç fjetjes dhe ushqimit bënin edhe shpenzime tjera ditore (kafe, çaj etj.) kështu që ministri i MPB-së vendosi që parat mos t’ua paguajnë pronarëve ku ato banonin dhe ushqeheshin por direkt atyre. Në shkresën, nr.9552/1 nëntor 1910, që ministri M.Gjukanoviq ia dërgon Drejtorisë Krahinore në Nikshiq, ndër të tjera thuhet: “Duke filluar nga sot, të gjithë emigrantëve shqiptarë që janë aty, në vend të shpenzimeve do t’u jepen para të gatshme, nga 3 perperë në ditë, pasi mendojmë se do të jetë më mirë për ta, kështu që vetë të gjenden për banesën dhe ushqimin.” 

Isa Boletini kujdesej për gjendjen e të gjithë emigranteve që ishin vendosur në Nikshiq, Podgoricë apo Cetinë. “ Për dijeni njoftohet Ministria Mbretërore e Punëve të Brendshme, se sot në thirje të Isa Boletinit janë nisur për atje (Cetinë, vërejtja ime) Sulejman agë Batusha, Ibrahim Hoxha, Mehmed Hoxha dhe Magjun Nimani” thuhet në telegramin e sekretarit të Drejtorisë Krahinore z.Vuçiniq dërguar Ministrisë Mbretërore të Punëve të Brendshme në Cetinë. (telegrami mban datën 26, por nuk ka as muaj, as vit).

Situata e vështirë ekonomike dhe numri i madh i emigrantëve shqiptarë, sidomos pasi strehim në Mal të Zi kërkuan edhe malësoret e Vilajetit të Shkodrës, e detyroi Malin e Zi që për të siguruar strehimin e emigrantëve shqiptarë të akordojë edhe një kredi për këtë qellim.

Ministri i MPB-së, M.Gjukanoviq, me shkresë nr. 9564/ 1 nëntor 1910, njoftom MPJ-në në Cetinë se:”Kredia e lejuar deri tash, për mbajtjen e emigrantëve shqiptarë është shpenzuar. Faturat për muajin nëntor janë marrë, por nuk kemi t’i paguajmë.Për muajin nëntor pagesa do t’u paguhet për çdo pesëmbëdhjetë ditë personalisht në dorë, e ato vetë të kujdesën për shpenzimet. Ju lutem që të angazhoheni për rritjen e kredisë për së paku 15.000 perperë”. Të nesërmen kredia e kërkuar në vlerën prej 15.000 perperperësh u lejua.

Nga disa dokumente del qartë se Isa gëzonte respekt të veëantë në Mal të Zi e veçanërisht të Krajl Nikollës! Kjo vërtetohet edhe nga një relacion i konsullit serb në Kosovë, Millan Rakiqit. Sipas tij  Krajl Nikolla e pranonte Isën në bisedime në çdo kohë që ai e kërkonte. Njëherë Isa shkoi në Oborrin Mbretëror të Krajl Nikollës. Aty takoi një agjutant të ri, i cili i tha se duhet të presi derisa të lajmëronte Gospodarin. Pasi u njoftua, doli Krajl Nikolla dhe e kritikoi agjutantin pse e kishte ndaluar Isën dhe vetë e çoi në dhomën e pritjes!

Exit mobile version