Mediumi malazez “Vijesti” ka raportuar se ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Burim Rreci, është arrestuar sot në pikën kufitare Debeli Brijeg, pasi në veturën e tij janë gjetur rreth 50 kilogramë marihuanë, përcjell Gazeta Express.
Por, kush është Burim Rreci?
Burim Rreci ishte pjesë e partisë Nisma Socialdemokratike. Këto vitet e fundit, ai ka pasur disa “hyrje-dalje” në pozitën e Sekretarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Ai u emërua në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të MTI-së n fillim të muajit shkurt të vitit 2018, derisa në qeveri ishte Ramush Haradinaj. Ky emërim ishte kundërshtuar nga disa organizata të shoqërisë civile, por edhe nga Ambasada Britanike, pasi i njëjti vinte nuk i kishte plotësuar kushtet për këtë pozitë.
Në ndërkohë, Rreci ishte suspenduar nga MTI-ja edhe me 29 gusht të vitit 2018 nga ministri i atëhershëm i MTI-së, Bajram Hasani. Një javë pas këtij vendimi, kryeministri i atëhershëm Haradinaj e kishte liruar Hasanin nga detyra me arsyetimin se një gjë të tillë e ka kërkuar Nisma.
Një javë pas shkarkimit të ministrit Hasanit, Rreci është rikthyer në pozitën që kishte më parë. Në arsyetim të vendimit për rikthim në punë thuhet se ka pasur shkelje materiale dhe procedurale në vendimin për pezullim.
Ndërkaq, më 11 nëntor të vitit 2019, Burim Rreci përfshihet në një incident që kishte ndodhur në ministrinë ku ai ishte i angazhuar. Rreci ishte sulmuar në zyrën e tij fizikisht nga Arian Krasniqi, djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.
Pas këtij incidenti, Krasniqi ishte suspenduar nga puna. Ndërkaq, Rreci kishte qëndruar në pozitën e Sekretarit të MTI-së.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, me 9 shtator të 2020-s kishte marr vendim për pezullim nga puna të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Burim Rreci, si arsye “neglizhenca” dhe “mosbashkëpunimi” nga ana e Rrecit.
Rreci ishte rikthyer në punë në nëntor të vitit 2020, ku menjëherë pas 24 orësh rikthimi, ai ishte suspenduar prapë nga ish-ministri Krasniqi.
Pas kësaj, ish-ministri Krasniqi më 27 nëntor të vitit 2020 kishte pohuar se ishte kërcënuar nga Rreci, dhe për këtë ishte intervistuar edhe nga hetuesit policorë. Kjo gjë ishte mohuar nga Rreci.
Burim Rreci ishte rikthyer në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë më 2020-ën, me anë të një vendimi që mban nënshkrimin e shefit të ekzekutivit të atëhershëm, Avdullah Hotit.