Diplomati i Malit të Zi në Kosovë, Nikollë Lulgjuraj, ka ndërruar jetë pas një arresti kardiak të pësuar derisa po ecte rrugës në kryeqytet, ku është gjetur i shtrirë.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 18:15 kemi pranuar informatën për një person të shtrirë në Rrugën ‘Ukshin Hoti’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia dhe ekipi i mjekëve emergjent kanë dalë në vendin e ngjarjes”.
Sipas saj, personi (shtetas i huaj) është dërguar në QKUK, nga ku jemi njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë.
“Policia në koordinim me prokurorin e shtetit po punon për ndriçimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Ahmeti.