Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si presion dhe diskriminim ndaj pjesëtarëve shqiptarë të Policisë së Serbisë në Bujanoc dhe Preshevë.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka ngritur shqetësimin për, siç thotë ai, diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Policinë e Serbisë, duke theksuar se prej më shumë se një dekade nuk po rekrutohen shqiptarë në këtë institucion.
Sipas tij, përveç diskriminimit nga pushteti në Beograd, kohëve të fundit edhe përfaqësues të caktuar të opozitës kanë nisur sulme ndaj pjesëtarëve shqiptarë të policisë.
“Pra, ajo që po i bashkon pushtetin dhe një pjesë të opozitës në Beograd është një qasje e përbashkët: presioni dhe diskriminimi ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka kritikuar gjuhën dhe akuzat e drejtuara ndaj policëve shqiptarë, duke theksuar se integrimi i shqiptarëve në polici, i nisur në vitin 2001, ishte rezultat i një marrëveshjeje politike të ndërmjetësuar nga OSBE-ja.
Kamberi ka theksuar se kjo marrëveshje synonte garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe mundësive të barabarta për shqiptarët në institucionet e sigurisë.
Sipas tij, në vend që përfaqësimi i shqiptarëve në polici të rritej dhe të konsolidohej, numri i tyre ka ardhur duke u zvogëluar.
Ai ka adresuar disa pyetje ndaj institucioneve përgjegjëse në Serbi, duke kërkuar përgjigje se pse për më shumë se një dekadë nuk po rekrutohen shqiptarë në polici dhe pse përfaqësimi i tyre vazhdimisht po zvogëlohet.
“Sepse shqiptarët nuk do të pranojnë që përfaqësimi i tyre institucional të kthehet në objekt të pazareve politike të Beogradit”, ka deklaruar Kamberi.
Në fund, ai ka ngritur edhe pyetjen nëse numri i vogël i policëve shqiptarë që kanë mbetur në Bujanoc dhe Preshevë po konsiderohet ende i madh nga pushteti dhe një pjesë e opozitës në Beograd.

