Site icon PLAVA E GUCIA SOT

KKSH kundër veprimeve të policisë në Ulqin: Flamuri shqiptar nuk është “flamur i huaj”

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të policisë në Ulqin, pas raportimeve se përdorimi i flamurit shqiptar është cilësuar si shfaqje e “flamurit të huaj” dhe se qytetarë janë gjobitur për këtë arsye.

Në reagimin e saj, KKSH thekson se flamuri kuq e zi nuk është simbol i huaj, por flamuri kombëtar i shqiptarëve autoktonë në Mal të Zi, të cilët kanë të drejtën kushtetuese dhe ligjore ta përdorin atë. “Flamuri shqiptar është pjesë e identitetit tonë kombëtar, e garantuar nga ligji për përdorimin e simboleve kombëtare, dhe nuk mund të trajtohet si flamur i huaj”, thuhet në deklaratë.

Këshilli ka kërkuar që autoritetet shtetërore të ndalin menjëherë praktikat diskriminuese dhe të harmonizojnë legjislacionin, pasi ligji për rendin publik bie ndesh me ligjin për simbolet kombëtare, duke shkaktuar gjoba e ndëshkime ndaj shqiptarëve që shfaqin flamurin.

Reagime kanë ardhur edhe nga subjektet politike shqiptare në Mal të Zi. Deputeti Genci Nimanbegu ka deklaruar se përdorimi i flamurit shqiptar është e drejtë kushtetuese dhe askush nuk duhet të ndiqet penalisht për këtë. Edhe koalicioni “Forumi Shqiptar” e ka quajtur të papranueshme klasifikimin e flamurit shqiptar si të huaj, duke paralajmëruar se këto akte minojnë bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë.

Nga ana tjetër, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmed Zenka, ka theksuar se flamuri shqiptar “do të vazhdojë të valëvitet në Mal të Zi” dhe se është përgjegjësi e qeverisë që të garantojë zbatimin e ligjit për simbolet kombëtare.

KKSH dhe partitë shqiptare kërkojnë që autoritetet malazeze të qartësojnë qasjen e tyre ligjore dhe të ndalin çdo tentativë për ta cilësuar flamurin kombëtar shqiptar si të huaj, duke e konsideruar këtë jo vetëm fyerje për komunitetin shqiptar, por edhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

Exit mobile version