Në dy seancat e rregullta (të katërtën dhe të pestën) të Kuvendit të Komunës së Plavës
ËSHTË MIRATUAR REBALANCI I BUXHETIT TË KOMUNËS PËR VITIN 2019 DHE VENDIMI I PLANIT TË BUXHETIT TË KOMUNËS PËR VITIN 2020
Plavë – Në seancën e katërt të rregullt, të Kuvendit të Komunës së Plavës, të mbajtur më 26 dhjetor 2019, në sallën e vogël të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq”, e shtyrë më 4 nëntor 2019, për shkak siç ka deklaruar atëherë kryetari i Kuvendit të Komunës, Shefket Jevriq, të mos marrjes së pëlqimit nga Ministria e financave, në propozimin e Buxhetit, për shkak të mos realizimit të ca projekteve të caktuara, në radhë të parë të atij të ndërtimit të qumështores në vitin 2016, të cilin e ka financuar Bashkësia Evropiane në shumë prej 110 mijë euro, dhe të ca aktiviteteve buxhetore, për çka edhe xhirollogaria e komunës ka qenë e bllokuar, e Buxheti i planifikuar me rebalanc është zvogëluar për 125 mijë euro.
Në rendin e ditës të seancës në fjalë, prej 11 pikave të propozuara, temë qendrore për shqyrtim ka qenë propozimi i vendimit mbi ndryshimet dhe plotësimet e vendimit, gjegjësisht rebalancit të Buxhetittë Komunës së Plavës për vitin 2019.
Rebalanci i Buxhetit në fjalë, pas ca vërejtjeve dhe sugjerimeve që i parashtruan në diskutimet e veta, kryesisht këshilltarët e opozitës, me shumicë votash “PËR” u miratua në shumë prej 3.925.000 euro, prej të cilit 1.355.300 euro për shpenzimet rrjedhëse të Buxhetit, 835.900 euro mjete transferi, 943.500 euro për pagesën e borxhit nga periudha e kaluar, 730.300 euro për Buxhetin kapital dhe 60.000 euro për rezervën rrjedhëse dhe të përhershme të Buxhetit.
Gjatë punës ca orëshe të seancës së katërt të rregullt, me ose pa pjesëmarrje të këshilltarëve në diskutim e debatim, kryesisht njëzëri, këshilltarët kanë miratuar edhe 12 propozime të vendimeve të organeve relevante të komunës, institucioneve publike dhe të ndërmarrjeve lokale, janë njoftuar me tri informata të subjekteve juridike të komunës dhe të organeve gjegjëse, si dhe janë parashtruar ca pyetje nga këshilltarët, për të cilat janë kërkuar përgjigjet me shkrim.
Në seancën e pestë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Plavës, e ftuar të mbahet pas përfundimit të seancës së katërt, konkretisht në ora 12, e cila për shqyrtim ka pasur propozimin e rendit të ditës prej shtatë pikash, ndër të cilat tema qendrore ka qenë propozimi i vendimit mbi Buxhetin e Komunës së Plavës për vitin 2020, është shtyrë për në ora 16.
Këshilltarët në këtë seancë, pas shqyrtimit dhe miratimit të propozimit të vendimit mbi borxhin kreditor të Komunës së Plavës për realizimin e projekteve kapitale të komunës, shqyrtuan dhe me shumicë votash miratuan propozimin e vendimit të planit të Buxhetit të Komunës së Plavës për vitin 2020, në shumë prej 4.550.000 euro, nga i cili 1.493.180 euro për shpenzimet rrjedhëse, 792.220 euro për mjete transferi, 1.008.500 euro për pagesën e borxhit nga periudha e kaluar, 1.211.100 euro për Buxhetin kapital, dhe 45.000 euro për rezervën rrjedhëse dhe të përhershme të Buxhetit.
Kryetari i Kuvendit të Komunës, Shefket Jevriq, ka shprehur kënaqësinë që, siç ka thënë ai, pas një periudhe të gjatë kohore, Buxheti miratohet për vitin e ardhshëm, dhe se nuk ka nevojë për prurje të vendimit për financimin e përkohshëm të komunës.
Në këtë seancë, këshilltarët kanë miratuar edhe planin e investimeve të komunës për vitin 2020 në shumë prej 1.355.000 euro, të cilën më parë e ka argumentuar ushtruesi i detyrës së drejtorit për ndërtim dhe investime, Rusmir Bajraktareviq, planin dhe programin e punës së kuvendit për vitin 200, propozimin e vendimit mbi vërtetimin e vendimit të kryetarit të Komunës së Plavës për dhënien në menaxhim dhe shfrytëzim të lokalit afarist i cili gjendet në objektin e qendrës për kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, Ministrisë së sportit dhe të rinjve të Malit të Zi, propozimin e vendimit për pushimin e mandatit të një anëtari të këshillit drejtues të Qendrës ditore “Lipa” dhe emërimit të anëtarit të ri në vend të tij, si dhe propozimin e vendimit mbi shkarkimin e kryetarit të Këshillit për përcjelljen dhe realizimin e kushtetutës dhe statutit dhe emërimin e kryetarit të ri në vend të tij. Në këtë seancë, këshilltarët organeve relevante të komunës u parashtruan ca pyetje për të cilat kërkuan përgjigje edhe me shkrim.
Shaban Hasangjekaj