Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Konjufca: Rexhep Qosja ishte rilindësi i fundit i kombit shqiptar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë seancës së veçantë të mbajtur në Kuvendin e Kosovës në nderim të akademikut Rexhep Qosja, vlerësoi lart figurën dhe veprën e tij, duke e cilësuar si një nga intelektualët më të rëndësishëm të kombit shqiptar.

“Qosja ishte një nga intelektualët, shkrimtarët dhe veprimtarët më të rëndësishëm të kombit tonë”, tha Konjufca, duke theksuar se veprimtaria e tij u udhëhoq nga një ideal i vetëm suprem: liria kombëtare.

“Cili ishte principi i Qosjes? Elani i tij ishte liria kombëtare. Prandaj, gjithçka që prodhoi mori formën e luftës kundër shtypjes”, u shpreh ai.

Konjufca nënvizoi se, sipas Qosjes, lufta për liri ndërtohet mbi vetëdijen kombëtare si themel të shtetformimit.

“Lufta është strategji. Bazamenti i saj i parë, shtresa e themelit, është vetëdija. Mbi të pastaj ndërtohet e sigurt ngrehina e shtetit kombëtar”, deklaroi ai.

Duke folur për rolin e Qosjes në formësimin e identitetit kombëtar, Konjufca tha se ai me të drejtë është quajtur “rilindësi i fundit”.

“Qosja besonte se, duke qenë një komb i rrënjosur në gjuhë, unifikimi gjuhësor i shqiptarëve ishte procesi i domosdoshëm për unitetin e vetëdijes kombëtare”, theksoi Konjufca.

Exit mobile version