Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Kori i horrave dhe hora e të koriturve

Teatri mendohet se lindi në Greqinë antike, rreth shek. VI para Krishtit. Qysh nga ajo kohë, artistët kishin një shtëpi të hapur ku mund t’i shfaqnin talentet e tyre dhe t’i argëtonin masat popullore me thumbat dhe kritikat ndaj parisë sunduese.

Shfaqjet e tyre në grup u quajtën “kor”, dhe ky lloj arti u pëlqye aq shumë sa që e rrëmbeu nga brenda dhe Romën pushtuese dhe, pastaj valë-valë, u përhap në gjithë botën…

Megjithatë, përkundër fjalorit zyrtar në gjuhët teknike (greke e latine), tek ne shqiptarët fjala “kor” përdoret ndër breza nën termat “horë”, “koritë” dhe “horr”.

Pavarësisht se mungon një studim konkret etimologjik rreth këtyre fjalëve epitete, origjina e kësaj fjale bazë (“kor”-“hor”) ka elemente të fuqishme që çojnë tek gjuha pellazgo-ilire si pararendëse e gjuhës sonë shqipe. “Kori” dikur (madje dhe sot) bluhej nder familjet tona të mëdha, ndër organizimet tona tradicionale: gosti, dasma, kremte, ciklesh të ndryshme vjetore etj. Fjalori, këngët, lojërat, vallet tona popullore, të trashëguara ndër shekuj e mijëvjeçar, e dëshmojnë këtë kontinuitet të përcjellur brez pas brezi (merreni shembull Vallen Pirrike të Rugovës, Vallen e Shotës, Vallën e Tropojës, Vallën e Osman Takës etj.).

Terminologjia e kësaj fjale (hor-khor-kor-korit), e ruajtur dhe e përdorur akoma ndër ne, është treguesi më i mirë se kush jepte leksione e kush i kopjonte ato në këto hapësira “teatrale” te Mesdheut. Pastaj, se si e qysh kjo shprehje u imponua, apo u eksportua tek të tjerët, nuk ka shumë rëndësi. Mbase mund të jetë një presupozim logjik në këtë dilemë: meqë gjuhët greke e latine janë teknike (jo-dialektore), pse duhet të jenë ndryshe pjesët e tyre artistike…

Natyra artistike e shqiptarit tonë të lashtë secilën bëmë të lavdërueshme për kohën, të të gjithë atyre burrave, burrneshave e heronjve, e përjetësonte me mburrje, krenari dhe lavde kreshnike deri në legjendë e mitizim.

Ndërkaq, të gjitha ligësitë, e kujdoqoftë, i “shtinte në lojë”, “i hidhte në valle”, duke i bërë horë e botës dhe duke i koritë, duke ua marrë fytyrën e duke i marrue ndër sy e para sysh. Keni vëmendjen, nuk u vinte bisht, por iu shfaqte balën m’u në ballë. Pra, i hidhte në kor.

Prandaj në fjalorin tonë, për njerëz horra nuk përdoret shprehja “dyfytyrësh” por “i pafytyrë” (munafik e hipokrit janë importuar më vonë).

Pra turpi e marrja nuk do t’i mbulojë abuzuesit e pushtetit, kriminelët, përndjekësit dhe vrasësit e fshehur të miletit, hajnat dhe rrënuesit e shtetit, përderisa nuk u shfaqen bëmat e tyre në publik dhe për publikun. Por edhe kjo nuk mjafton, sepse të tillët janë bërë imun nga marrja dhe, veç kësaj, paraja e tyre e grumbulluar nga vjedhjet dhe krimi i organizuar, në njëfarë mase, i kontrollon edhe satirat popullore;

Si rrjedhojë ata duhen burgosur. Por as kjo masë nuk mjafton për ta, sepse kanë bërë aq shumë para sa i kontrollojnë edhe hetuesinë, prokurorinë e gjykatat; pra, gjejnë shtigje për të dalë nga burgu, nëse veç nuk kanë mundur fillimisht ta shmangun atë.

Prandaj, sot në këto rrethana të reja, fjalët, gjurmët, veprat e horrave duhen përjetësuar edhe variantin artistik:

Poetë, prozatorë, regjisorë, aktorë, skenaristë, teatrarë, satiristë, karikaturistë, komedianë, kompozitorë, dramaturgë, filmëtarë, piktorë, skulptorë, historianë, hoxhërinj e priftëlerë, gazetarë e letrare, kritikë të të gjitha llojeve të arteve, të shkruara, të gravuara e skenike, duhet t’i shkrijnë talentet e tyre në përjetësimin artistik të bëmave të hajdutëve, abuzuesve e kriminelëve ordinerë, duke vënë në kor horrat e duke i bërë horë të koriturit e pafytyrë.

Në këtë thirrje artistike kundër bajlozëve, hajdutëve e kriminelëve ordinerë, nuk ka nevojë të ftohen arkitektet. Ata tashmë e kanë dhënë provimin duke e perjetesuar punen e tyre me shndërrimin e Kosovës në xhungel urbanistike.

Post Scriptum:

Fjala “horë” dhe “koritë” ndoshta mund të kenë etimologji semite, pikërisht nga ngjarja e Aronit (Harunit) me vëllanë e tij Moisiun (Musain), kur ky i fundit kishte lënë si zëvendës të tij në drejtimin e popullit hebre, në kohën kur vet kishte shkuar për ta marrë revelaten.

Në këtë ngjarje, shkrimet e shenjta, herreje e të krishtera, e fajëson Aronin për rënien e hebrenjve në paganizëm, për shkak se, sipas tyre, i la ata të adhuronin një statujë viçi.

Ndërkaq, shkrimet e shenjta islame i fajësojnë grupimet ndër hebrenj që u rebeluan kundër Harunit (Aronit).

Sido që të jetë, shprehjet tona, “horë” e “koritë”, mund të korrespondojnë apo dhe të koinçidojnë me ngjarjet e 3200 vjetëve më parë, të kohës së Mojsiut e Aronit, respektivisht Musait dhe Harunit.

Që dmth se këto fjalë janë bërë sinonim i një ngjarje të një njeriu që i bëri horë rebelët e padëgjueshëm apo ai u ndie i bërë horë para Muzes (Mojsiut – Musait), kur ky u kthye dhe pa se, për pak ditë të mungesës së tij, çdo gjë ishte kthyer mbrapshtë.

Dhe nëse është kështu, atëherë me të vërtetë fjalori ynë popullor është një thesar jo vetëm autentik, por edhe sinonimik e besnik, i shumë prej ngjarjeve nga më të lashtat e historisë Mesdhetare dhe njerëzore përgjithësisht…

Adem Breznica, gazetar i pavarur dhe profesor i historisë/

Exit mobile version