Institucionet e Kosovës e kanë njoftuar të enjten zyrtarisht Malin e Zi për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit.
Lajmin e ka konfirmuar kabineti i Qeverisë së Malit të Zi.
“Ne e kemi pranuar informacionin zyrtar nga Republika e Kosovës për ratifikimin e demarkacionit”, ka thënë Qeveria malazeze, për REL.
Të martën, u raportua se si institucionet e Kosovës ende nuk e kishin njoftuar Malin e Zi për këtë çështje.
Njoftimi përmes rrugëve diplomatike parashihej përmes marrëveshjes së arritur ku qeveritë e kishin obligim që të njoftonin njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të brendshme sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit.
Sipas marrëveshjes, Komisionet për Kufirin Shtetëror midis Malit të Zi dhe Kosovës, pritet të formojnë një trup punues të përbashkët, i cili do të jetë përgjegjës për të kryer shënimin e kufirit shtetëror mes të dyja shteteve.
Kosova dhe Mali i Zi, kanë nënshkruar marrëveshjen e demarkacionit në Vjenë të Austrisë në vitin 2015, derisa Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar të njëjtën më 21 mars të këtij viti.