Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Kosova me padi ndaj Malit të Zi, kërkohet kthimi i pronës në Budvë që ishte blerë 6 dekada më parë

Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka paditur Komunën e Budvës dhe kompaninë “Sunraf Beach Properties”, duke kërkuar kthimin e rreth 4,500 metrave katror pronë në shëtitoren Rafailoviq, e cila dikur ishte një vendpushim për fëmijë.

Në këtë padi pretendohet kjo parcelë dikur e quajtur “Ganimete Tërbeshi” ishte blerë gjashtë dekada më parë nga ana e Kosovës.

Sipas medias malazeze Vijesti, kjo padi që kërkon të drejtën pronësore është paraqitur në Gjykatën Themelore të Kotorrit.

MD-ja ka kërkuar nga Gjykata e Kotorrit të lëshojë masën e përkohshme që ndalon tjetërsimin e pronë deri në përfundimin e kësaj lëndë në gjykatë.

Ky vendpushim më vonë u emërtua si “Lahor”, sipas të njëjtës kompanisë nga Prishtina. Pas luftës në Kosovë, dega e kompanisë u zhvendos në Malin e Zi, ku pastaj është privatizuar. Pas kësaj, ndërtesa e rrënuar e ish-vendpushimit është shkatërruar plotësisht ku aktualisht është duke u ndërtuar një kompleks shumëkatësh.

Kjo padi thotë se Kosova është pronare e kësaj toke dhe si provë i ka bashkangjitur një marrëveshje të blerjes të lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatën e Qarkut të Kotorrit, ku parcelën prej 4,555 metra katrorë e kishte blerë Këshilli Social për Çështjet Politike dhe Sociale.

Komuna e Budvës, e përfaqësuar nga Sekretariati për Mbrojtjen e Pronës ka kundërshtuar procesin gjyqësor, duke kërkuar nga gjykata ta hedhë poshtë atë si të pavlefshme.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Kosova ende nuk e ka pronësinë e 172 pasurive të saja në shtetet që përbënin ish-Jugosllavinë. Kosova ka prona të shumta në shtetet e kësaj ish federate, e vetëm në shtetin e Malit të Zi ka mbi 42 prona.

Kohë më parë, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit të Malit të Zi, pasi Gjykata Themelore e Kotorrit kishte refuzuar padinë që pretendon se kompania Rekreaturs u ka vjedhur pronën e Kosovës prej 33 mijë metrash katrorë në plazhin e Kamenovës.

Gjithashtu AKP ka ngritur padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Strasburg dhe se janë duke e pritur vendimin.

Gjatë procesit gjyqësor pretendohet se Rekreaturs në mënyrë të paligjshme ka ndryshuar selinë e saj nga Prishtina në Budvë.

Kompleksi prej gati tre hektar e gjysmë, në të cilin ka qenë vendpushim për qytetarët nga Kosova, siç është shkruar në regjistrat kadastralë të Administratës së Patundshmërive është pronë e Malit të Zi dhe se bashkëpërdoruesi është regjistruar në Rekreaturs.

Kosova ka 99 prona të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në Serbi, 15 prona në Bosnjë e Hercegovinë, 8 asete në Maqedoninë e Veriut, në Kroaci sipas të dhënave të AKP-së janë 5 prona, ndërkaq në Slloveni është një pronë.

Exit mobile version