Nga: Musa Kurtulaj
Katër vrasje në vetëm 48 orë në Kosovë! Tre në Gjilan, një në Zhur të Prizrenit. Dy prej viktimave në Gjilan ishin babë e bir – një tragjedi brenda tragjedisë. Nuk është thjesht një statistikë e zezë, është një kambanë alarmi për të gjithë kosovarët, sepse këto ngjarje nuk ndodhin në një vakum – ato janë pasqyra e një realiteti që po e përgjak Kosovën nga brenda.
Statistikat flasin qartë dhe ftohtë: në Kosovë ndodhin mesatarisht mbi 20 vrasje çdo vit! Vetëm në periudhën 2010-2025 janë vrarë 59 femra – gra dhe vajza, disa prej tyre viktima të dhunës në familje. Nga çlirimi në qershor 1999 e deri në vitin 2014, mbi 1500 jetë janë shuar nga plumbat dhe thikat mes shqiptarëve. Po të mos ishin shifra të verifikuara, do mendonim se po flitet për një vend në luftë.Ky realitet është i papranueshëm për një shoqëri që ende e mban gjallë kujtesën e genocidit, të masakrave dhe të varreve masive. Pas pothuajse një shekulli okupimi dhe përpjekjesh për asimilim nga regjimet e përgjakshme serbe, Kosova arriti të mbijetojë, të ruajë gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar. Dhe jo vetëm kaq – në vitet më të vështira, në vitet ’90, shqiptarët e Kosovës bënë diçka që mahniti botën: shtrinë dorën e pajtimit!
Nën udhëheqjen e Anton Çetës, karvanet e pajtimit udhëtuan fshat më fshat. U falën qindra gjaqe. Në kuvendet madhështore, ku merrnin pjesë deri në 500 mijë vetë, u dha besa e shenjtë: “Kurrë më vrasje e gjakmarrje mes shqiptarëve!” Ishte një akt madhor që e bëri Kosovën shembull për Shqipërinë, ku në atë kohë sapo kishin nisur të rishfaqeshin hakmarrja dhe vetëgjyqësia.
Por çfarë ndodhi me atë besë?
Vetëm nëntë vite pas atij akti madhor të pajtmit mbarëpopullor (1990 – 1999), në vend që të ruanin amanetin e pajtimit, nisi sërish vala e vrasjeve mes veti. Në vend që të zhvillonin drejtësinë dhe institucionet, lulëzoi krimi i organizuar. Në vend që të rrisnin besimin tek shteti, u kthye vetëgjyqësia. Në vend të kulturës së faljes dhe respektit për jetën, po ngrihet një kulturë e frikshme ku armët flasin më shpesh se ligji.
E pabesueshme, por e vërtetë: populli që përballoi dhunën e shtetit serb dhe nuk e vrau njëri-tjetrin në vitet e represionit, sot po shkon drejt shkatërrimit të vetvetes në kohë paqeje. Po i hapim vetes plagë më të rënda se ato që i shkaktuan të tjerët.Dhe këtë nuk e bëjnë nga padija. E dinë mirë në Kosovë se çfarë është gjakmarrja. E dinë çfarë është humbja e një njeriu të dashur nga plumbi. E dinë çfarë dhimbje ka një nënë që shikon djalin e saj në arkivol. E megjithatë, sërish e përsërisin !
Nëse kjo vazhdon, do të kemi humbur jo vetëm jetët e njerëzve tanë, por edhe shpirtin e kombit,sepse kombi nuk mbahet vetëm me territor e flamur – mbahet me respektin për jetën, me drejtësi dhe me besë.
Kosova ka derdhur lumenj gjaku për liri. Por liria pa siguri dhe pa drejtësi është një shishe bosh. Ajo nuk ushqen shpresën e të rinjve, nuk tërheq investime, nuk krijon paqe shoqërore. Një vend ku qytetarët vriten për çështje pronash, borxhe apo hakmarrjeje, është një vend që po ecën drejt greminës.
Në këtë pikë, nuk mjafton të thërrasim “ku janë institucionet?”. Po, ato duhet të jenë aty – policia, prokuroria, gjykatat – të pamëshirshme me krimin. Por përgjegjësia është edhe e shoqërisë. Të mos heshtin kur dikush mban armë. Të mos e justifikojnë hakmarrjen si “nder”. Të mos i rrisin fëmijët me idenë se gjaku lahet me gjak.
Epilog
Kosova nuk ka nevojë për më shumë varre, ka nevojë për më shumë mendje të kthjellëta. Kosovarlt nuk luftuam një shekull për t’u shkatërruar nga brenda në paqe. Nëse nuk kthehen urgjentisht tek besa e pajtimit dhe tek respekti për jetën, atëherë me shumë dhimbje e themi se ky do të quhet brezi që e tradhtoi amanetin e gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës. Dhe historia nuk fal !

