Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janjiq e konsideron të papërgjegjshme deklaratën e fundit të kryetarit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Vladimir Kostiq, i cili kishte deklaruar se Kosova nuk është e Serbisë dhe se peshkopët e kishës serbe duhet të heqin dorë nga parullat.
Janjiq, përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur deklaratën e kreut të Akademisë Serbe thellësisht të papërgjegjshme dhe të dëmshme.
“Ajo [deklarata e Kostiqit] nuk është kundër një apo dy peshkopëve, por kundër qëndrimit të gjithë Kishës Ortodokse Serbe, që është unike rreth çështjes së Kosovës me shumicën e popullit tonë, dhe kështu kjo deklarate ofendon thellë reputacionin e Akademisë Serbe dhe shumë njerëzve të ndershëm”, ka shkruar kleriku Janjiq.
Ai më tej thotë se qëndrimi i Kishës Serbe për Kosovën “bazohet në praninë shekullore të popullit dhe shenjtërisë sonë, gjithë historinë dhe identitetin tonë shpirtëror dhe kulturor mbi të cilin duhet të bazohet dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë”.
“Deklaratat disfatiste të Prof. Kostiq janë thellësisht të dëmshme, të pabaza dhe të lëndueshme sidomos për serbët në Kosovë. Do të ishte më mirë sikur ta kuptonte më në fund dhe nëse nuk mundet ose nuk do të na ndihmojë, të paktën do të ishte mirë të ndalonte përfundimisht të mos na dëmtojë”, ka deklaruar Janjiq.
Ndryshe, kreu i Akademisë Serbe të Shkencës dhe Arteve, Vladimit Kostiq, duke polemizuar me një peshkop të Kishës Serbe, i ka thënë atij se “Kosova nuk është e jona [Serbisë] dhe këtë duhet ta kuptojmë sa më parë”. Më tej akademiku serb e ka porositur peshkopin Grigorije që të heq dorë nga parullat me të cilat serbët ndjehen si heronj.