Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar këtë të shtunë përfaqësues politikë të komuniteti shqiptar e boshnjak që jetojnë në Serbi.
Zyra e Kryeministrit thotë se Kurti është njoftuar për brengat dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen.
“Me përfaqësuesit boshnjakë dhe shqiptarë u diskutua edhe për elementet përbërëse të propozimit evropian për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, bëhet e ditur se Kurti ka deklaruar se “të drejtat e komuniteteve joshumicë në shtetet tona pasqyrojnë demokracinë dhe zhvillimin tonë si shoqëri”.
“Për dallim nga Serbia që nga Freedom House klasifikohet si shtet me regjim hibrid, Republika e Kosovës është shtet demokratik me të drejta dhe liri për të gjithë, theksoi Kryeministri Kurti. Ai shtoi se komunitetet e ndryshme pa dallim duhet të trajtohen në kuadër të principeve universale e në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”.
Ndërsa, tre deputetët në Kuvendin e Serbisë që pranojnë Kosovën e pavarur, Enis Imamovic, Selma Kucevic dhe Shaip Kamberi, së bashku me Dr. Sulejman Ugljanin, kanë thënë se janë të pakënaqur me statusin e boshnjakëve dhe shqiptarëve në përgjithësi e posaçërisht në komunat e Novi Pazarit, Tutinit e Sjenicës në Sanxhak si dhe të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Luginë.
Ata kanë kërkuar reciprocitet të të drejtave me serbët në Republikën e Kosovës.
“U pajtuan se për paqe të qëndrueshme dhe siguri në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë simetri të drejtash, dhe jo qasje privilegjuese ndaj një pakice apo komuniteti”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/