Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Kush po e përgatit Dritan Abazoviqin si kryeministër të Malit të Zi

Tashmë prej një viti mazhoranca proserbe e Malit të Zi e ka futur vendin në një rrjedhë të pasigurtë e të paqartë politike dhe gjeostrategjike.

Njerëzit dhe konceptet panserbe e proruse të mazhorancës aktuale, kanë bërë që Perëndimi të ndryshojë qëndrim: nga një status quo dyshuese, të kalojë në një veprim të fortë në një vend anëtar të NATO-s, ku SHBA e Perëndimi kanë interesa të rëndësishme strategjike.

Për një periudhë të shkurtër kohore, i dërguari i SHBA për Ballkanin Gabriel Escobar ka thirrur në Uashington numrin dy të qeverisë së Malit të Zi, ndërkohë që ka vizituar Podgoricën, ku pritet të shkojë sërish në fillim të nëntorit.

Duket se tashmë është e qartë se po përgatitet qeveria e re e Malit të Zi, e cila pritet të krijohet pas zgjedhjeve të rëndësishme lokale për Cetinjën që zhvillohen më 5 dhjetor.

Gazeta kryesore malazeze “Vijesti”, e cila është mbështetëse e partive proserbe, thekson se ka gjasa që të krijohet një qeveri pakice, por zëra perëndimorë flasin për një qeveri “Atlantike” në Mal të Zi, e cila do të jetë një cabinet ekspertësh i drejtuar nga Abazoviç, por që do të mbështetet në Parlament nga DPS e Milo Gjukanoviçit. E cila nuk do të jetë pjesë aktive.

Mediat malazeze bënë të ditur se Gjukanoviç është dakord për këtë zhvillim. Ndërkohë, një përplasje e madhe pritet të zhvillohet në Cetinje, ku në fakt varet e ardhmja e selisë së Kishës Ortodokse Serbe, kreu i së cilës u dërgua me helicopter dhe forca speciale pak muaj më parë.

Një kandidat i pavarur i mbështetur nga Partia e Gjukanoviçit, ka bërë të ditur se do të largojë Kishën Serbe nga kryeqyteti historik i Malit të Zi.

Nikola Gjuraskoviç është kandidati nacionalist malazez që përplaset me partitë serbe. Asnjëri nga kandidatët për këshill në Cetinje nuk është partiak, por janë përzgjedhur me kujdes që të jenë nacionalistë malazezë që kundërshtojnë hegjemoninë e kishës serbe.

“Jam i bindur se qytetarët e Cetinjës më 5 dhjetor do t’u dërgojnë një mesazh të fortë strukturave politike të drejtuara nga Kisha Ortodokse Serbe, të cilat i kanë dendur me gaz lotsjellës dhe bomba shokuese, duke mbrojtur priftërinjtë e Kishës Ortodokse Serbe nga qytetarët e tyre”, tha Duraskoviç, në një intervistë për televizionin publik të Malit të Zi.

Edhe ministrja e Mbrojtjes e Malit të Zi, e cila është një e përzgjehdur e amerikanëve, Olivera Injac, ka folur për mundësinë e një qeverie të re në vend, që të përfshijë ekspertë properëndimorë, ku pjesën më të rëndësishme do ta kenë pakicat kombëtare shqiptare, boshnjake e kroate.

Ndërkaq, gjatë vizitës së tij në Uashington, Dritan Abazoviçit ju rezervuan disa pritje shumë të rëndësishme, në Departamentin e Shtetit, Kongres, madje edhe në paradhomën e Shtëpisë së Bardhë, çka është një sinjal shumë i rëndësishëm politik për atë që po flitet këto ditë…

Exit mobile version