Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Lajmi i rrëjshëm se George Washingtoni është shqiptar mase tetë vite në portale !

shkruan: Agron Bajrami

Nuk është vetëm Thaçi arsyeja pse Kosova nuk qëndron mirë me të vërtetën; i gjithë sistemi politik në vendin tonë është ndërtuar mbi premisën se gënjeshtra është mjet legjitim në luftën për pushtet. Pa faj nuk janë as një pjesë e mediave, por as publiku i gjerë, që shpesh preferojnë të besojnë lajmet që i dinë se nuk mund të jenë të vërteta

Më 1 prill 2011, “Koha Ditore” botoi lajmin spektakolar: Presidenti historik amerikan George Washington ishte me prejardhje shqiptare! Të ëmën e kishte nga rrethi i Pejës. Dhe kishte lënë amanet që të gjithë presidentët pas tij të kujdeseshin për popullin e tij shqiptar.

Lajmi mori dheun. U ripublikua në qindra media në gjuhën shqipe. Doli nëpër gazeta e portale, e dikur edhe në libra që tregonin për shqiptarët e famshëm. Njëri, madje, kishte pikërisht fotografinë e George Washingtonit në ballinë si ilustrim. Me vite u ritransmetua dhe ritransmetohet në media elektronike dhe rrjete sociale. Ende përflitet në biseda miqsh nëpër kafene. Dikush, madje, e përktheu në anglisht, dhe tani mund të gjendet edhe në ueb-faqe të ndryshme botërore, që nuk kanë hiq lidhje me shqiptarët.

Dhe askush prej këtyre qindra ritransmetuesve nuk deshi ta shihte njoftimin e botuar në tekstin origjinal të “Kohës Ditore” se bëhej fjalë për një gënjeshtër të 1 prillit. Askush nuk u përpoq të konfirmonte lajmin, duke bërë një kërkim të shpejtë në internet për prejardhjen e George Washingtonit dhe familjes së tij. Askush nuk deshi të konsultonte as edhe një burim të vetëm tjetër, për të shmangur transmetimin e një lajmi të pavërtetë, që u sajua për të bërë një rreng në atë që kudo njihet si Dita e Rrenave.

Ajo ishte gënjeshtër e 1 prillit, prej atyre që “Koha Ditore”, por edhe shumë media të tjera me renome ndërkombëtare bëjnë çdo 1 prill.

Por e vërteta e dhimbshme e kohës sonë është se çdo ditë na është bërë si të ishte 1 prill. Lajmet e rreme sundojnë botën!

* * *

Lajmet e rreme – apo “fake news”, siç tashmë quhen ngado – nuk janë fenomen i ri. E përcjellin njerëzimin prejse ekzistojnë vetë lajmet dhe lajmëtarët. Dikur quheshin propagandë, manipulim, dezinformim – dhe rëndom ishin mjete në duar të pushtetit.

As sot nuk është më ndryshe. Lajmet e rreme – ato që publikohen kur nuk është 1 prilli – në shumicën e rasteve nuk janë produkt i gazetarisë së keqe e të papërgjegjshme (edhe pse ka shumë raste të tilla), por i pushteteve që kanë për synim të manipulojë realitetin ashtu si u konvenon. Ta shtrembërojnë atë. Ta përdorin për synimin e vet thelbësor – të ruajnë atë pushtet që e kanë.

Është e dukshme kudo. E gjithë bota vuan nga ky fenomen i lajmeve të rreme tani, në kohën kur teknologjia e komunikimit ka arritur kulmin.

Në Washington është presidenti Trump, i cili tashmë është më i famshëm për sulmet ndaj mediave duke e mohuar çdo kritikë të argumentuar ndaj tij si një “fake news” sesa për faktin që udhëheq demokracinë më të zhvilluar në botë, ku liria e shtypit dhe e shprehjes është themel i shoqërisë.

Në Moskë është cari rus, Putin, i cili jo vetëm se ka kontroll diktatorial mbi mediat (dhe shoqërinë) ruse, por përdor teknologjinë e lajmeve të rrejshme për të ndikuar në proceset e mëdha globale, prej zgjedhjeve amerikane dhe luftës në Siri, deri tek bllokimi i Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe kontrolli i situatave në Ballkan.

Në të vërtetë, Trumpi nuk duket të jetë më shumë sesa një pasojë aksidentale e dobësive të demokracisë. Por Putini qartazi është kreu i organizimit kriminal që ka shfrytëzuar përparimet e teknologjisë për të goditur me ato që tashmë e gjithë bota i quan ashtu si emërtohen në anglishte: “fake news”.

Por ai nuk është i vetmi.

Në Ankara është Erdogani. Në Serbi Vuçiqi… dhe në Prishtinë kemi presidentin Thaçi, me fejk njuz-ët e tij.

* * *

Natyrisht, nuk janë mediat krejt të pafajshme.

Në botë, shumë prej atyre që veten e quajnë gazetarë, punojnë për qeveritë dhe partitë politike, paguhen nga paratë e grupeve të interesit, shkruajnë sipas kërkesave të entiteteve me interesa të veçanta.

Në Kosovë, një numër tepër i madh mediash dhe gazetarësh kanë lejuar të kontrollohen e keqpërdoren, pa e ngritur zërin ndaj ndikimeve të jashtme. Shumë, tepër shumë prej mediave kosovare mbijetojnë nga të hollat që vijnë nga xhepat e politikës, të cilët në anën tjetër mbushen përmes marrëdhënieve korruptive dhe me keqpërdorimin e parasë së qytetarit.

Dhe, si shkëmbim, këto media publikojnë deklaratat përplot gënjeshtra pa e shtruar pyetjen qenësore: “A është kjo e vërtetë?”. Shkruajnë artikuj të porositur dhe me pagesë, u shmangen rregullave të profesionit, nuk i respektojnë kërkesat bazike të gazetarisë profesionale, prej domosdoshmërisë për të konsultuar të gjitha palët dhe për të konfirmuar vërtetësinë e deklarimeve, e deri te nevoja për të qenë skeptik, për të shtruar pyetje dhe për të kërkuar prova e dëshmi, ashtu që të arrihet versioni më i mirë i mundshëm i së vërtetës dhe jo versioni i parë që e jep dikush.

Natyrisht, Kosova nuk përbën përjashtim nga trendi global. Madje, krahasuar me rajonin, mund të duket se kemi shumë më shumë profesionalizëm sesa që na përshkruhet. Mjafton vetëm të shikohen mediat në Serbi, ku – sipas disa gazetarëve profesionistë serbë që ende punojnë – sundimi i Vuçiqit e ka ngritur fenomenin e lajmeve të rreme në një nivel edhe më të lartë se në kohën e Slobodan Milosheviqit.

Apo të shikojmë Shqipërinë, ku mediat ka kohë se janë hapur të rreshtuara në përplasjet politike pushtet-opozitë. Si pasojë, kemi një shoqëri të polarizuar, në të cilën e vërteta nuk është relevante.

Apo, siç ma shpjegoi një herë një gazetar nga Tirana: “Këtu, askush nuk çan kokën për të vërtetën!

Krahasuar me këto, edhe mund të na duket se Kosova qëndron më mirë. Por krahasuar me atë që duhet të jetë, as Kosova nuk është mirë. Mjafton të shikohet manipulimi i fundit me premtimet e Thaçit për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Por nuk është vetëm Thaçi arsyeja pse Kosova nuk qëndron mirë me të vërtetën; i gjithë sistemi politik në vendin tonë është ndërtuar mbi premisën se gënjeshtra është mjet legjitim në luftën për pushtet. Mjafton vetëm të shikohen fushatat zgjedhore. Sasia aq e madhe e premtimeve boshe, shumica joreale dhe të parealizueshme, tejkalon çdo kufi të reales. Votuesit kosovarë, sigurisht, ende i mbajnë mend premtimet e para tetë vjetëve për liberalizim vizash brenda 15 muajve, apo punësimin e 150.000 qytetarëve brenda një mandati, apo për shndërrimin e Kosovës në një superfuqi energjetike, apo se Kosova sundohet nga ligji, se vendi ynë është parajsë demokratike, e cila ka zhvillimin më të mirë në rajon.

Dhe, po – shumë prej mediave janë bashkëpërgjegjëse për tolerancën ndaj gënjeshtrës në Kosovë.

Por as pjesa më e madhe e shoqërisë nuk është pa përgjegjësi. Siç dëshmon edhe shembulli me George Washingtonin shqiptar, ka shumë të tillë që duan të besojnë lajmet që u pëlqejnë, edhe nëse ato janë qartazi të pavërteta. Kështu, një pjesë e vetë lexuesve pranojnë të jenë të manipuluar. Duan të besojnë në premtimet e politikanëve. Duan të besojnë në bashkimin e Luginës me Kosovën – pa shkëmbim territoresh me Serbinë. Duan të besojnë se Kosova bëhet superfuqi energjetike brenda natës – edhe nëse vazhdimisht ka mungesë rryme. Duan të besojnë se liderët e tyre nuk gënjejnë – edhe nëse kanë gënjyer pa ndërprerë për dekada. Duan të besojnë që George Washingtoni ishte shqiptar – edhe nëse kjo ishte shaka e 1 prillit.

Shoqëria është bashkëpërgjegjëse, sepse në shumicën e rasteve lajmet e rreme janë njëkohësisht edhe lajme që duket qartë se nuk mund të jenë të vërteta. Më së shpeshti, e vetmja gjë që është e nevojshme për të kuptuar se kemi të bëjmë me një lajm të pavërtetë, është arsyeja e shëndoshë.

Dhe, për këtë, kemi nevojë për mendim kritik. Kemi nevojë për skepticizëm aktiv. Shtrim pyetjesh. Si shoqëri. Si gazetarë. Si politikanë. Të gjithë duhet të ballafaqohemi me të vërtetën. Dhe vetëm atëherë do të jemi plotësisht të lirë.

Exit mobile version