Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Lekaj kërkon jetësimin e lidhjes hekurudhore Kosovë-Mali i Zi

Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj, priti sot në takim ambasadorin e Kosovës në Mal të Zi, Skënder Durmishi, me të cilin biseduan për inicimin e marrëveshjeve bashkëpunuese për projekte infrastrukturore, të cilat do të shërbenin në rritjen, forcimin dhe zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.

 

Duke i vënë një theks të veçantë lidhjes hekurudhore Kosovë-Mal i Zi, lidhje kjo e cila për momentin nuk ekziston, ministri Pal Lekaj shfaqi interesim, duke pohuar se Ministria e Infrastrukturës është e interesuar që kjo ide të bëhet jetike.Ai tha se me ndërtimin e lidhjes hekurudhore do të zhvillohej edhe turizmi, ku qytetarëve do t’u ofrohej edhe më shumë mundësi se sa tani, të merren me sport dhe rekreacion.

 

Meqenëse ky takim ishte vetëm plasim i ideve dhe shikimi i mundësive për projekte hekurudhore, të cilat në një të ardhme mund të implementohen, ministri Lekaj deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjeve bashkëpunuese do të shërbente si një lloj shtytjeje për fillimin e këtyre proceseve. Ambasadori Skënder Durmishi tha se linjat hekurudhore do të ndikonin në forcimin e lidhjes fqinjësore dhe asaj ekonomike, mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke e lehtësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve, e sidomos tregtinë.

Exit mobile version