Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Libri “Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, një qasje teoriko-interpretuese”, publikohet edhe online

Libri “Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, një qasje teoriko-interpretuese”, publikohet edhe online

Autori Fatmir Lekaj ka publikuar edhe online librin “Kombformimi dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, një qasje teoriko-interpretuese”, në mënyrë që lexuesit e interesuar shqiptar kudo që ndodhen, të kenë mundësi ta lexojnë. Me këtë libër autori Lekaj jep kontribut të mëtejmë lidhur me etninë shqiptare dhe kombin shqiptar (përfshirë dallimin në mes etnisë dhe kombit), si dhe në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe debatin në lidhje me “identitetin kosovar” etj. Po në këtë libër autori jep disa sugjerime në lidhje me një zgjidhje të qëndrueshme politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.


Në këto vjegëza mund ta lexoni falas librin e tij:

Më poshtë pasthënia e librit:

                                                             PASTHËNIE

Nisur nga fakti se objektiviteti është një ndër qëllimet e rëndësishme të shkencës, para se të filloja ta shkruaja këtë libër             në lidhje me kombformimin dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri                

 dhe barazi, e kisha një dilemë se sa do të mund të jem objektiv.                Duke e marrë parasysh ndjeshmërinë e temës të këtij libri dhe subjektivitetin që bart unë me vete, veçanërisht si pjesë e një trashëgimie familjare që në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në  përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi, nga babai im Rexhep Ujkani, gjyshi Ujkan Haziri, stërgjyshi Hazir Selmani e në këtë vazhdë, Selman Uka, Ukë Osmani, Osman Leka, deri           te Lekë Gjeka, emrin e të cilit e mbaj mbiemër me krenari.

Lekë Gjeka, së bashku me babanë e vet, Gjekë Prenin (i njohur      edhe si Gjekë Stanishi – Rugovalia), dhe vëllezërit e tij, Dedën,    Lucen dhe Palin, para rreth 350 vjetësh organizuan rezistencën e   parë në Rugovë kundër ekspeditave të Perandorisë Osmane, përkatësisht në fshatin Koshutan të trevës së Rugovës. Që nga kjo kohë pasardhësit e kësaj vëllazërie (Dedës, Lekës, Lucës dhe    Palit), e njohur si vëllazëria Muriqi e fisit Kelmend, e fshatit Koshutan të Rugovës, në vazhdimësi kanë dhënë disa ndër figurat e rëndësishme në kuadër të përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe barazi, përveç të tjerëve: Sali Jahën (pjesëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit), Zhuj Selmanin, Kajë Galën, Kadri Bajrin, Sadik Ramën, Rizë Zymerin, Sak Faslinë dhe shumë të tjerë, deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999. E, gjithashtu, bazuar në vijën trashëguese nga gjyshja ime (nëna e  babait tim) Shkurte Haxhaj – Hoti, bijë e familjes së bajraktarit  të Hotit të Kujit, Alush Smajl Hotit, i cili është i mirënjohur si kushtrimdhënësi i betejës së Nokshiqit (1879), si një ndër betejat më të fuqishme të shqiptarëve nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë, kundër copëtimit të territoreve shqiptare. [1]  Duke përfshirë bashkëfamiljarët e nënës sime, Hasnije Feratit, përkatësisht Feratajt e Gucisë, të nënfisit Bokeqi, të Hotit. [2]  Përveç të tjerëve, gjyshi im Ramë Ferati u plagos në luftën e Çeremit më 28. 02. 1913. Ndërsa, bazuar edhe në aktgjykimet nga arkivi, të publikuara në librin e historianit Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (dokumente), rezulton se dy kushërinjtë e Ramë Feratit, pjesëmarrës në luftën e      Çeremit, An Jakup Ferati dhe Medi Omer Ferati, pasi që u arrestuan, u dënuan me vdekje. Kurse vëllai i Medit, Hysi dhe  djali i Hysit, Jonuzi, e vazhduan rezistencën në kuadër të Lëvizjes Kaçake. [3]  Prandaj, për ta shmangur tërësisht ose, së paku, për ta zvogëluar sa më shumë subjektivitetin tim dhe duke marrë parasysh ndjeshmërinë e temës së këtij libri, jam bazuar kryesisht në burimet e autorëve të huaj meqë konsiderohen burime më neutrale, madje në disa raste të domosdoshme edhe duke i cituar drejtpërdrejt, përfshirë pjesërisht përdorimin e dokumenteve të cilësuara si burime primare dhe burime të tjera relevante – plotësuese. Në aspektin metodologjik e kam përdorur qasjen teoriko-interpretuese si pjesë e studimeve kualitative, përkatësisht si pjesë e të ashtuquajturit rast studimor ose studim i rastit (case study), që zakonisht përdoret edhe në veprimtarinë kërkimore të shkencës politike.

Për të sqaruar në një mënyrë më koncize statusin e rastit studimor, në kuadër të veprimtarisë kërkimore të shkencës politike, fillimisht duhet nënvizuar faktin se metodologjia e shkencës politike qëndron në mes të idealeve të shkencave natyrore, në kuptimin e përqendrimit në observime të matshme  për t’i zbuluar lidhjet kausale dhe për t’i kuptuar ligjet natyrore            nëpërmes testimit të teorive, bazuar në metodën deduktive, dhe idealeve të shkencave humane, në kuptimin e përqendrimit të të kuptuarit dhe interpretuarit të ngjarjeve dhe individëve, bazuar në    metodën hermeneutike ose në metodën induktive. Tradicionalisht, rasti studimor qëndron më afër shkencave humane, ku studiuesi është më shumë i shqetësuar për veçantinë dhe thellësinë sesa për gjerësinë dhe testimin teorik. Kështu që, në veprimtarinë kërkimore të shkencës politike nuk ka              konsensus të plotë sa i përket mundësisë së përdorimit të rastit studimor edhe për testimin e hipotezave/teorive. Për shembull, studiuesi      amerikan John Gerring është më pak optimist dhe konsideron se rasti studimor është më i përshtatshëm për pjesën  eksploruese të kërkimit, përkatësisht për zhvillimin e nocioneve/koncepteve, hipotezave/teorive. [4]  Me fjalë të tjera, konsiderohet se vetëm studimet kuantitative që kanë pikënisjen      e tyre në traditën e shkencave natyrore janë të përshtatshme për t’i testuar hipotezat dhe teoritë. Ndërsa studiues të tjerë sikurse, për shembull, studiuesi norvegjez Svein Andersen dhe studiuesi  amerikan Robert Yin, janë më optimistë dhe konsiderojnë se rasti studimor, përveçse mund të përdoret për t’i zhvilluar nocionet/konceptet, hipotezat/teoritë, mund të përdoret edhe    për testimin e hipotezave/teorive. Andersen e paraqet një kategorizim të pesë llojeve të rastit studimor, varësisht prej ambicies teorike të studiuesit. Kategoria e parë është qasja a-teorike, e cila qëndron afër formës më tradicionale të rastit studimor dhe nënkupton studimin e një fenomeni thjesht për shkak të vlerës së brendshme të fenomenit, pa përdorimin e teorisë. Kategoria e dytë është qasja teoriko-interpretuese, e cila    merr pikënisje në një kornizë teorish dhe konceptesh për të realizuar një rast studimor. Kategoria e tretë e rastit studimor nënkupton zhvillimin e nocioneve/koncepteve të reja të cilët rezultojnë shpesh si biprodukt që, për shembull, e përshkruajnë   një grup, mënyrën specifike në të cilën grupi ndërvepron ose aspekte specifike të ekzistencës së grupit. Nocionet/konceptet e Max Weberit (tipit ideal) mbi burokracinë, është një shembull  i mirë për këtë. Gjithashtu, studimi i Robert Michelsit për ligjin    e hekurt të oligarkisë, i cili është shembull i rastit studimor për zhvillim të nocioneve/koncepteve, por edhe shembull i rastit studimor për zhvillim teorik, që rrjedhimisht hyn edhe në kategorinë e katërt. Pra, kategoria e katërt është rasti studimor për    zhvillimin teorik që, gjithashtu, është një formë klasike e përdorimit të rastit studimor. Në kuptimin e një lloj studimi paraprak brenda një fushe formësohen hipotezat dhe teoritë që  mund të testohen më sistematikisht në kontekste të tjera. Ndërsa  kategoria e pestë nënkupton se rasti studimor mund të shërbejë    edhe për testimin e hipotezave/teorive. [5]  Sipas Yinit, edhe pse         rasti studimor nuk ka fuqinë e reprezentimit statistikor, megjithëkëtë, nëse rasti studimor përzgjidhet sa më me mençuri, ka përfaqësim analitik, në kuptimin që kur një rast studimor riparaqet një rast studimi kritik, atëherë mund të shërbejë që të     vërtetojë, të çvërtetojë, të zgjerojë ose të sfidojë një teori të përkufizuar empirikisht. [6]  Kategoria e parë, qasja a-teorike e rastit studimor, është më pak e rëndësishme ngaqë mungesa teorike është problematike në kuadër të shkencave shoqërore, posaçërisht në kuadër të shkencës politike. Politologët nuk janë të shqetësuar vetëm me  studimin e vlerës së brendshme të fenomeneve, por edhe me studimin e fenomeneve që potencialisht kanë një vlerë të përgjithshme. Kështu që, përveç kategorisë së parë, katër kategoritë e tjera që Anderseni paraqet janë të rëndësishme në kuadër të veprimtarisë kërkimore të shkencës politike sepse më  pak dhe më shumë kontribuojnë për të vendosur një rast studimor në kuadër të një konteksti më të gjerë.

Përdorimi i qasjes teoriko-interpretuese si metodë në këtë libër      renditet në kategorinë e dytë, përkatësisht në atë që Andersen e  cilëson rast studimor teoriko-interpretues, ku merret pikënisje në një kornizë teorish dhe konceptesh për të realizuar një studim. Rrjedhimisht, duke marrë pikënisje në një kornizë teorish dhe konceptesh, dhe duke u bazuar kryesisht në burimet e autorëve të  huaj, pjesërisht edhe në dokumente dhe burime të tjera plotësuese. Qëllimi im me këtë libër është që të hidhet më shumë dritë, sa më objektivisht, sistematikisht dhe të përmbledhur, mbi procesin e kombformimit dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe barazi.

Ref:

[1]  Fazli Sh. Muriqi – alias Bajraktari (2016): Koshutani heorik i Rugovës kreshnike, f. 5-10, 36. Shih edhe Fazli Sh. Muriqi – alias Bajraktari (2018): Osmanlekajt e Koshutanit, f. 5-8, 15-16, 24, 37, 46, 110-113, 115-126, 128-129

[2]  As. prof. dr. Kahreman Ulqini (2016): Si u formua Krahina Malësi e Madhe?https://zanimalsise.com/si-u-formua-krahina-malesi-e-madhe/Shih edhe prof. Riza Gruda (2021): Prejardhja e banorëve të Plavë-Gucisë… https://www.plavgusinje.me/2019/12/porijeklo-stanovnistva-plava-i-gusinja.html?m=1&fbclid= IwAR18_OGB_muG-bf3KI9norpQGfPpJqdVJpE1vpR2x7l-f2myZxNdej8tuPY

[3]  Cana 1996: 163-164, 174-176

[4]  Gerring 2004: 349

[5]  Andersen 2010: 61-86

[6]  Yin 2009: 15, 47

Exit mobile version