Në Universitetin e Nju Jorkut, u prezantua para publikut amerikan botimi në gjuhën angleze i librit “Dimri i gjatë i vitit i 1945” me autorë, sociologen italiane Anna Di Lellio dhe artistin nga Kosova, Dardan Luta.
Libri në anglisht, i pasuruar edhe me më shumë hollësi, hedh dritë mbi një ngjarje të rëndë në fund të Luftës së Dytë Botërore, e njohur si Masakra e Tivarit, ku forcat serbe vranë qindra shqiptarë të paarmatosur të Kosovës.
Përmes historisë së dhjetë burrave nga një fshat i Drenicës, të cilët arritën të mbijetojnë masakrën e Tivarit, botimi në anglisht i librit me titull “Dimri i gjatë i vitit 1945” sjell tek lexuesi amerikan një nga ngjarjet më të rënda të historisë shqiptare në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Para 78 vitesh, qindra të rinj dhe burra të paarmatosur nga Kosova, të thirrur në një mobilizim ushtarak nga autoritetet e ish-Jugosllavisë për të luftuar nazistët, u vranë nga forcat serbe në Mal të Zi.
Duhet ende punë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, thotë autorja Anna Di Lellio, por ajo shton se librat me histori si kjo janë të domosdoshëm, sidomos tani kur bota po përballet me dy luftëra të mëdha, atë të Rusisë në Ukrainë dhe konfliktin Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.
“Njerëzit vazhdojnë të përsërisin veprimet e njëjta. Mendoj se është e rëndësishme që ky libër vjen tani, një tregues se masakrat nuk duhet të harrohen. Të vdekurit kanë peshë për historinë e një vendi. Kujtimi i tyre ruhet brez pas brezi. Puna e historianëve ka për qëllim jo vetëm që të mos lejojë shtypjen e historisë, por edhe ta kuptojmë atë, të flasim për të, të kërkojmë falje apo të shlyejmë mëkatet nëse është e nevojshme. Mos të harrojmë të vdekurit. Është më mirë që t’i kujtojmë hapur, përmes diskutimeve të qytetëruara. Të kuptojmë se çfarë u ndodhi atyre njerëzve, sepse nuk janë thjeshtë numra”, thotë për Zërin e Amerikës autorja Di Lellio.
Dr. Shinasi Rama nga programi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se përmes botimeve të tilla njerëzit mësojnë nga e kalura si të zgjidhin problemet e së tashmes.
“Duhet t’i kushtojmë vëmendje historisë sepse, ajo që po ndodhë sot është historia e djeshme. Pra, ajo që ndodhë sot, nesër bëhet histori. Duhet ta ruajmë kuptimin e së vërtetës dhe vlerave, lidhur me atë që ndodh. Sepse sa më të qartë që ta kemi fenomenin që ndodh, aq më mirë do të jemi në gjendje që të përballemi me atë problem dhe me njerëzit në të ardhmen”, thotë Dr. Rama për Zërin e Amerikës.
Libri bazohet në dëshmitë gojore të të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre, dokumente arkivore dhe kërkime historike.
Në këtë botim ngjarjet rrëfehen me pak tekst dhe ilustrimet e artistit nga Kosova Dardan Luta, i cili është edhe bashkautor i librit. Synimi i këtij formati është depërtimi tek lexuesit e rinj.
“Historia është shumë prekëse. Në fakt, shoqëria ime, që e ka parë librin, nuk ka njohuri mbi Shqipërinë ose Kosovën. Por, ata janë prekur shumë nga kjo histori. E kemi bërë librin për brezat e rinj, por edhe të moshuarit e pëlqejnë, seose është i lehtë për ta lexuar. Përmes imazheve, ne e përcjellim shumë më mirë emocionin tejet tragjik dhe traumatik të kësaj historie”, thotë autorja Di Lellio.
Kjo mënyrë kreative e shpalosjes së historisë duhet të shfrytëzohet edhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera të së kaluarës, thotë profesori i historisë në Kolegjin Hunter, Dr. Elidon Mëhilli.
“Ngre pyetjen e platformës, cila është metoda e duhur për ta sjellë, për ta vendosur në kontakt lexuesin, sidomos një gjeneratë të re, me të shkuarën dhe historinë dhe për ta çmitizuar procesin e shkrimit të historisë në bazë të dokumenteve dhe dëshmive, për ta bërë më të prekshëm si proces. Ka shumë punë për t’u bërë edhe nga autoritetet dhe nga infrastruktura studimore në botën shqipfolëse, qoftë në Shqipëri, Kosovë apo troje të tjera ku ka shqiptarë, për të mos u kufizuar vetëm në atë botëkuptimin e ngushtë kombëtar apo rajonal, por për të krijuar një regjistër, për të folur, edhe me mënyra, metoda, teknologji më të reja”, thotë zoti Mëhilli për Zërin e Amerikës.
Dr. Rama pajtohet, ndërsa flet mbi domosdoshmërinë që lexuesit e rinj shqiptarë, megjithëse përballen me një jetë dinamike, të mësojnë mbi të kaluarën e tyre.
“Në këtë përpjekje për ta fituar bukën e gojës, në garën për të ecur përpara, ne po harrojmë dhe anashkalojmë pikërisht atë që është shumë e rëndësishme për ne – kush jemi ne, prej nga vijmë dhe ku po shkojmë. Ku do të shkojmë përcaktohet në masë të madhe nga ajo se ku kemi qenë”, thotë zoti Rama.
Varianti në Anglisht është botuar nga Universiteti kanadez “Toronto Press” dhe do ta përdorë atë si shembull për t’u shpjeguar studentëve të tij një mënyrë se si mund të bëhen kërkimet historike.
Botimi në shqip i këtij libri është prezantuar para publikut në Kosovë të mars të vitit 2019./VOA