Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Ligji i shqiptarit dhe hakmarrja, 100 vite më parë – National Geographic

Shkëputur nga artikulli i gazetarit amerikan Theron J. Damon, botuar në revistën National Geographic më nëntor 1912:

Sot, ashtu si në të kaluarën, është e vërtetë që një në pesë malësorë flijohen prej hakmarrjes së tmerrshme, që vetëm qytetërimi mund ta çrrënjosë nga jeta e shqiptarit. Të qëllosh një person, edhe tinëz, është çështje e marrjes së gjakut. Asgjë tjetër nuk mund ta kthejë nderin e plagosur.

Nëse nuk vritet vetë vrasësi, atëherë një prej të afërmve duhet të jetë viktima, e kështu nis zinxhiri i pafund. Kur hakmarrja ka shkuar shumë larg, mund të blihet nëse ke para të mjaftueshme, ose mund të ndalet përmes disa prej kompleksiteteve të kodit të shqiptarit.

Askush nuk duhet të flasë për shqiptarin si njeri pa ligje. Ai zbaton në mënyrë skrupuloze atë që njeh dhe pranon: por, këta janë ligjet që i kanë dhënë natyra dhe zakonet, si dhe natyra e paraardhësve të tij shekuj më parë, të “kodifikuar” disi në shekullin 15, ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk janë hedhur asnjëherë në letër.

Disa prej rregullave të çuditshëm që udhëheqin jetën e tij janë: Persona që e kanë prejardhjen nga një stërgjysh i përbashkët mashkull, përmes linjës mashkullore, e konsiderojnë njëri-tjetrin vëllezër, ose vëlla e motër, e si pasojë martesa brenda fisit përjashtohet.

Të rinjtë mund të betohen për vëllazëri, dhe kjo krijon një marrëdhënie që i nënshtron të dy, bashkë me pasardhësit e tyre të disa brezave, para të njëjtave ligjeve martesore që rregullojnë edhe lidhjet e gjakut.

Personat që kanë të njëjtin kumbar nuk mund të martohen, dhe ka dy lloj kumbarësh: ai i pagëzimit dhe ai i flokut. Kur një fëmijë, vajzë apo djalë, mbush 2 vjeç, flokët e tij që deri atë çast nuk janë prekur prej gërshërëve, priten me ceremoni.

Prerjen e kryen kumbari, që më pas, nëse fëmija është i krishterë, lë nga një tufë flokësh për secilën majë të busullës duke krijuar një kryq. Nëse është mysliman, tri tufa për të formuar një trekëndësh. Në rastin e hakmarrjes, burri nuk duhet prekur nëse shoqërohet nga një fëmijë apo një grua.

Theron J. Damon – gazetar amerikan, korrespondent për Associated Press gjatë Luftës së Parë Botërore dhe kapiten në inteligjencën e ushtrisë amerikane.

Lexo artikullin e plotë këtu

Exit mobile version