Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Lika: Kalaja e Ulqinit po humb autenticitetin për shkak të neglizhencës dhe ndërtimeve të pakontrolluara

Kalaja e Ulqinit, pasuri kulturore me rëndësi kombëtare dhe pjesë e Listës Tentative të UNESCO-s që nga viti 2018, po përballet me rrezik serioz të humbjes së autenticitetit të saj, për shkak të ndërhyrjeve ndërtimore pa respektimin e rregullave profesionale dhe konservuese, si dhe mungesës së reagimit nga shërbimet inspektuese përkatëse. Drejtoria për Mbrojtjen e Pasurive Kulturore ka deklaruar për agjencinë MINA se nuk është e kënaqur me gjendjen aktuale të Kalasë së Ulqinit, duke theksuar se gjatë dekadave të fundit janë realizuar ndërtime dhe rikonstruksione pa përfshirjen e profesionistëve dhe pa respektimin e procedurave ligjore, çka ka çuar në degradimin e vlerave kulturore të kësaj tërësie historike. Sipas Drejtorisë, problematike janë veçanërisht rikonstruksionet e objekteve ku përdhesat shndërrohen në hapësira gastronomike, krijimi i platoreve mbi rrënojat e objekteve të shembura që përdoren si terasa për lokale, si dhe platotë pa funksion të qartë, të cilat përbëjnë terren të gatshëm për ndërtime të reja të paligjshme. Edhe pse Drejtoria ka kryer kontrolle në terren dhe ka evidentuar ndërhyrje të shumta të paligjshme, në shumë raste kanë munguar reagimet e shërbimeve inspektuese kompetente. Arkitektja nga Ulqini, Zenepa Lika, vlerëson se gjendja e Kalasë është shqetësuese dhe se kjo situatë është rezultat i viteve të neglizhencës dhe mosveprimit institucional. Ajo paralajmëron se muret mbrojtëse, veçanërisht ato jugore, kanë dhënë sinjale paralajmëruese për një kohë të gjatë përpara se të ndodhnin dëmtime serioze dhe shembje, ndërsa shenja të dobësimit strukturor janë tashmë të dukshme edhe në muret veriore. Sipas Likës, ndërhyrjet e papërshtatshme, përdorimi i materialeve jo tradicionale, objektet e lëna në gjendje rrënoje, si dhe komercializimi i tepruar me reklama dhe panele pa kriter estetik, po e ndryshojnë ndjeshëm karakterin historik të Kalasë. Ajo thekson gjithashtu se aktivitetet intensive turistike, zhurma dhe vibrimet në zonën poshtë Kalasë gjatë sezonit veror, e dëmtojnë ambientin dhe mund të kenë ndikim negativ në stabilitetin e mureve mbrojtëse. Drejtoria për Mbrojtjen e Pasurive Kulturore nënvizon se masat e mbrojtjes për Kalanë e Ulqinit janë të përcaktuara qartë në Studimin për Mbrojtjen e Pasurive Kulturore për nevojat e Planit Hapësinor të Komunës së Ulqinit nga viti 2016. Këto masa parashikojnë ndalimin e ndërtimeve të reja brenda Kalasë, përveç rikonstruksioneve të bazuara në dokumentacion autentik, si dhe zbatimin e projekteve konservuese me mbikëqyrje profesionale. Megjithatë, sipas Drejtorisë, problemi kryesor mbetet mungesa e zbatimit konsekuent të ligjit. Lika thekson se Kalaja e Ulqinit nuk duhet të shihet vetëm si një atraksion sezonal turistik, por si një hapësirë kulturore dhe historike që duhet të jetojë gjatë gjithë vitit. Ajo vlerëson se përgjegjësia për ruajtjen e saj është e përbashkët, por se rolin kyç e kanë shteti dhe pushteti lokal, të cilët duhet të sigurojnë menaxhim të qëndrueshëm, kontroll të rreptë ndaj ndërtimeve të paligjshme dhe përfshirje aktive të komunitetit profesional dhe lokal. Nëse vazhdon kjo qasje, paralajmëron Lika, Ulqini rrezikon të humbasë identitetin e tij historik, ndërsa dëmtimi i kësaj trashëgimie kulturore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare do të ishte i pakthyeshëm.

Exit mobile version