Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Liria e besimeve fetare e simboleve kombëtare në Mal të Zi ngadhënjim i shqiptarëve

nga: Azgan Haklaj

Konfiskimi i pronave të paligjshme të Kishës Ortodokse Serbe fundi i trashigimisë së Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene.
Të njëjtin ligj duhet ta miratojë edhe Parlamenti i Kosovës.
Shterrimi i ëndrrave të Jugosllavisë së tretë apo Serbisë së madhe.

Ajo që ndodhi këto ditë në Parlamentit e Malit të Zi me rastin e aprovimit të ligjit për lirinë e besimeve fetare e të drejtën e pakicave për të promovuar me rastin e festave të tyre kombëtare flamujt e identitetin e tyre kulturor ishte përfundimisht shkërmoqja e ëndrrës mashtruese e shovinistit diktator Aleksandër Vuçiç për krijimin e Mbretërisë së tretë serbo- sllave në Ballkan.

Duke e konsideruar Malin e Zi si hallkën më të dobët të domenit të tij në Ballkan Vuçiç dhe liderët e tjerë të nacionalizmit serbomadh u befasuan me bomhën që u plasi në Mal të Zi, vetëm pak kohë pasi promovuan me Esadistin e fundit ndër shqiptar Edi Rama Projektin famëkeq, antishqiptar e antiAmerikan, “Minishengenin” Ballkanik, në një aleancë gangsterësh të Ballkanit të frymëzuar nga Rusia, kundër Ramush Haradinajt, i cili shterroi ëndrrat serbiane për ndarjen e Kosovës.

MiniShengeni Ballkanik tashmë është e qartë së ka qëllim aneksimin e Kosovës, izolimin e ndalimin e rrugëtimit EuroAtlantik të saj dhe shërben si bajpas për daljen e Serbisë në det, zbutjen e taksës ndaj saj të vendosur nga qëveria Haradinaj, hakmarrjen ndaj BE-së , për refuzimin e hapjes së negociatave dhe krijimin e Jugosllavsë së re, apo Serbisë së madhe.

Ashtu si në referendumin për shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia, njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Qeveria Malazeze, votimin për antarësimin në Nato, parandalimin e grushti të shtetit, përcaktimin e busullës përendimore të Qeverisë Malazeze, ngadhnjimin në zgjedhjet e pushtetit lokal të Tuzit, edhe kësaj here partitë politike shqiptare Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, burrat dhe gratë në Mal të Zi, stërnipat e Agronit dhe Teutës, të Gjon Balës, të Balshajve e Kastriotëve, të Ali Pashë Gucisë dhe Jakup Ferrit, Hodo Sokolit e Baca Kurtit, Ded Gjon Lulit, Norës së Kelmendit e Tring Smajles ja vunë kufinin tek thana Kishës Shoviniste Ortodokse Serbe, e cila nuk ngopet duke zaptuar pasuri e kulte të shenjta të popujve të tjerë, duke mbetur keshtu shtrati e gjeneratori shekullor i nacionalizmit e shovinizmit serbomadh.

Partitë politike e deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi u banë interpret të vendosur në mbrojtje të të drejtave historike e kombëtare të shqiptarëve.

Viti 1918 nuk është sanksionuar kot në ligjin për liritë fetare që u miratua në Parlamentin e Malit të Zi.

Deri në këtë vit ekuilibrat politik në Ballkan dhe të drejtat e popujve të shtypur garantoheshin nga Perandoria e Habsburgëve.

Me renien e Perandorisë Austrohungareze dhe krijimin mbi gërmadhat e saj të Mbretërisë Hegjemoniste Serbo-Kroate-Sllovene, kufijtë e të cilës u mbrojtën padrejtësisht nga Konferenca e Paqes në Paris 100 vjet më parë fillon etapa e dytë e shovinizmit serbomadh, pas Epokës së Perandorisë së Car Dushanit të shekullit të Xlll-të, e cila megjithëse e pati jetën e shkurtër, la pas tmerre, shkatërrime e barbari të tilla, të cilat kanë mbetur të pashlyera në shekuj në memorien historike të shqiptarëve dhe popujve të tjerë në Ballkanin Perendimor, përfshirë dhe grekët të cilët i dhanë Botës dritën e civilizimit, të demokracisë dhe të një filozofie të cilën dhe sot pas 2500 vjetësh Bota nuk ka arritur ta tejkalojë akoma.

Sipas Ligjit të Ri Malazez të gjitha pronat e Kishës Serbe të cilat që para vitit 1918 nuk janë të hipotekuara e të njohura si trashigimi e saj kalojnë në pronësi publike dhe prona të tilla ka shumë jo vetëm në Mal të Zi.

Peshkopi Jerimie i Beogradit dhe Kisha Serbe janë zënë në grackë dhe me kot përpëliten e veshin mantelin e persekutimit për të nxitur përplasje civile në Mal të Zi.

Është e njohur botërisht se shqiptarët janë jo vetëm një nga kombet më të lashtë të Europës, por përtej këtij fakti edhe bashkëthemelues të krishtërimit sëbashku me grekët dhe latinët.

Konstandini Perandori Dardan i Bizantit njohu krishtërimin si fe zyrtare me Ediktin e Milanos në vitin 313 pas Krishtit.

Në Arealin e Malit të Zi të sotëm lindën e udhëhoqën mbretëritë e principatat e tyre Mbretëresha Teuta, Balshajt e Princi i Zetës Stefan Crnojeviç, nip i Gjergji të Parë Balsha e dhënder i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti ( Skënderbeu).

Ai ishte pjesëmarrës në Besëlidhjen e Lezhës sëbashku me djemt e tij dhe përkrahu pa rezerva luftën antiosmane.

Edhe sot në një manastir në Zhabjak prehen eshtrat e Princeshës, Shenjtores Mara, motrës së Moisiut tonë, Gjergjit të madh, deshmi autentike e autoktonisë shqiptare të këtyre trevave.

Në Mal të Zi ndodhen varret e Korifejëve Gjon Buzuku, autor i parë i Shqipes së shkruar dhe Imzot Dom Simon Filipaj, përkthyesit integral e gjenial të Biblës.

Në Ulqinin e lashtë shqiptar pushon në amshim Imer Prizreni, Kryetar i Qeverisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila me betejat e saj legjendare për mbrojtjen e trojeve etnike të Atdheut ripërtëriti Epokën e Motit të Madh Gjergj Kastriotit, i cili ashtu si Shën Gjergji vrau kulçedrën edhe Skënderbeu vrau kulçedrën aziatike.

140 vjet më parë Ushtria e Lidhjes Shqiptare e Prizrenit e udhëhequr nga Ali Ibra, Haxhi Zeka, Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri u ndesh në Betejën Homerike të Nokshiqit për mbrojtjen e Plavë- Gucisë me forcat malazeze të Mark e Teodor Milanit, të cilat i shpartalluan plotësisht duke u shkaktuar mijëra të vrarë.

Aq të përgjakshme kanë qënë luftimet derisa është skuqur Lumi Lim nga gjaku i derdhur dhe kokat e të vrarëve rrokullisesin si gurë nëpër ujë.

Është pikërisht kjo histori e lavdishme, kjo trashigimi kulturore e shpirtërore që i bëri shqiptarët e Malit të Zi të vendosur në mbrojtje të Krishtërimit Apostolik Shqiptar duke e bërë të vetin binomin e Fishtës së Madh e klerikëve të tjerë kotolikë :

“Për Atdhe e për Fe”.

Ligji për lirinë fetare inspiruar nga konventat e OKB- së dhe të Parisit e nga parimet mbi të cilat është themeluar dhe vepron Europa e bashkuar është kafshatë që nuk e kapërdijnë pasardhësit e Car Dushanëve, Garashaninëve, Karaxhiçëve, Çubriolloviçëve shovinistë.

Jugosllavia e parë dhe e dytë janë gremisur tashmë në humnerat e historisë.

Kjo e treta e Vuçiçit e Peshkopit Jeremie hangri grushta vdekjeprurëse në Samitin e Berlinit nga Kryeministri Haradinaj, i cili i vetëm ja doli të shterrojë ëndrrat serbiane dhe ndaloj planin ogurzi për ndarjen e Kosovës dhe këto ditë në Mal të Zi pësoi nokdaunin e fundit.

Historia është udhërrëfyesja e pagabueshme e kombeve të civilizuara e ndërkaq ajo ndëshkon ata që kërkojnë të riciklojnë në shekullin e 21- të politikat barbare të Mesjetës së hershme e të kohës së Luftës së Ftohtë.

Shqiptarët e Malit të Zi me vendosmëri e vizion u gjendën si gjithmonë në kahjen e duhur të historisë.

Exit mobile version