BIJË E FAMILJES MUHAJ, KUSHERIRË E FAMILJES FERRI, MBESË E FAMILJES PRELVUKAJ
Prof. Dr. Naser Ferri
RINA (ISLAM) MUHAJ, ka mbaruar studimet Master në Departamentin e Shkencave Politike, programi Politikë Ndërkombëtare, të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Studimet Bachelor i përkasin po të njëjtës fushë. Gjatë studimeve ajo ka treguar interes të veçantë për të drejtën publike ndërkombëtare, çështjet e të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Studimet Master i përfundoi me temën e bazuar në hulumtime empirike “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të pakicave në të drejtën ndërkombëtare: rasti i shqiptarëve në Mal të Zi”. Pas përfundimit të studimeve, Rina është angazhuar në Zyrën Kombëtare Erasmus+ në Mal të Zi, ku punon si këshilltare e projekteve. Më parë, gjatë studimeve në Prishtinë, ajo ka ndjekur praktikën në Institutin Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).
Gjatë punës së saj në programin Erasmus+, Rina ka ndjekur zhvillimet e politikave dhe procesin e reformave të sistemit të arsimit të lartë në Mal të Zi. Ajo ka marrë pjesë në një varg seminaresh dhe konferencash të ndryshme kombëtare, rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare në lidhje me trendet, zhvillimet dhe sfidat aktuale në politikat e arsimit të lartë në Mal të Zi dhe në Evropë. Në kuadër te ciklit të ri të programit, ajo është përgjegjëse edhe për sektorin e rinisë, me ç’rast promovon mundësitë e programit, mbështet dhe rrjetëzon OJQ-të aktive në fushën e rinisë, autoritetet lokale më qëllim ngritjen e kapaciteteve të tyre. Ajo i është përkushtuar veçanërisht promovimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit për komponentin e gjithpërfshirjes dhe diversitetit të programit, duke bërë përpjekje për të arritur tek grupet dhe palët e nënpërfaqësuara dhe të margjinalizuara të shoqërisë, për t’a bërë qasjen dhe pjesëmarrjen në program njëlloj të barabartë për të gjithë.
Çështjet e të drejtave të pakicave dhe të popujve autokton mbeten pasioni dhe fusha kryesore e interesit të Rinës dhe ajo ka angazhim entuziuast në mbrojtjen dhe avokimin e tyre, kryesisht nëpërmjet platformave evropiane dhe ato të OKB-së. Ajo është pjesëmarrësja e parë nga Mali i Zi në programin prestigjioz të OKB-së për të drejtat e pakicave “OHCHR Minority Fellowship Programme”, e mbështetur nga Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) në Gjenevë, Zvicër. Ka bashkëpunuar dhe ka ndjekur programe të ndryshme akademike dhe trajnuese për çështjet e të drejtave të pakicave në akterët kryesorë evropianë mbi këtë fushë, si Këshilli i Evropës në Strasburg, Instituti Tom Lantos (TLI) në Budapest, Qendra Evropiane për Çështjet e Minoriteteve (ECMI), Grupi Evropian për të Drejtat e Minoriteteve (MRGE) dhe Bashkimi Federal i Kombësive Evropiane (FUEN). Në vitin 2022 Rina iu bashkua Grupit Evropian për të Drejtat e Minoriteteve si konsulente vullnetare. Më parë ajo ishte e angazhuar edhe si konsulente në një projekt të Institutit Tom Lantos.
Në nivel ndërkombëtar, ajo përpiqet t’u jap zë shqetësimeve të pakicave, sidomos asaj shqiptare në Mal të Zi, duke marrë pjesë dhe prezantuar kumtesa në Forumin Rajonal Evropian dhe atë të Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Minoriteteve, si ato të vitit 2021 dhe 2024 që trajtuan tematikat e parandalimit të konflikteve dhe përfaqësimit të pakicave në diskurset publike.
Familja e Rinës është me origjinë nga fshati Luhar i Malësisë së Mbishkodres (prej nga rrjedh edhe familja emblematike Ferri, e shpërngulur më vonë në Plavë), pas përfundimit të studimeve është kthyer në vendlindje dhe jeton në Dinoshë të komunës së Tuzit.
Falë punës dhe angazhimeve të saj, para Rinës është një karrierë e suksesshme profesionale lidhur me çka portali Plava e Gucia e përgëzon dhe i uron kësaj vajze modeste e punëtore suksese pa fund në të ardhmën !
)