Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Mali i Zi mund të ketë një kryeministër shqiptar, thotë përfaqësuesi i URA

Anëtari i Këshillit Qendror të Lëvizjes URA në Malin e Zi, Ilir Harasani shprehet se URA po drejton përpjekjet për krijimin e qeverisë së re të pakicës e mbështetur nga partitë pro perëndimore.

Kjo strategji, e mbështetur nga i dërguari i SHBA, Gabriel Escobar pritet t’i japë fund rolit destruktiv të partisë pro serbe Frontit Demokratik, që aktualisht URA e ka aleate në koalicion.

Harasani tha se në marrëveshjen për formimin e qeverisë së re, nga 7 përfaqësues politikë, 4 janë shqiptarë dhe në këto rrethana nuk e përjashtoi mundësinë që kryeministri i Malit të Zi të jetë për herë të parë një shqiptar.

“Me marrëveshjen që kemi bërë para një jave, mendoj se është një hap i mirë drejt së ardhmes dhe formimi ndoshta i një qeveri të re ku janë pjesë të gjitha nacionalitetet. Nga 7 nënshkruesit kemi serbë, malazez, boshnjak dhe shqiptarë. Nga ajo marrëveshje 4 janë shqiptarë. Në këtë rast, shqiptarëve u jepet mundësia që të kenë së paku 2 ministri dhe kryeministri ndoshta do të jetë shqiptar që është një arritje shumë e madhe”, tha Harasani për euronewsal.

Anëtari i Këshillit Qendror të Lëvizjes URA u shpreh gjatë intervistës në “Balkan Talks” se ka një konfuzion dhe mosmarrëveshje brenda mazhorancës. Sipas tij kjo ishte e pritshme pasi aleatët e koalicionit kanë ideologji të ndryshme.

“Është një situatë konfuze, në mazhorancë dhe në të gjithë parlamentin e Malit të Zi. Pas një viti e ca muajve nga formimi i qeverisë, ne kemi një mosmarrëveshje mes mazhorancës”, tha ai.

Exit mobile version