Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Mali i Zi në përballje të përditshme drejt fitores ndaj pandemisë Covid-19

Për faqen e Portalit “Plava e Gucia Sot”

Shaban Hasangjekaj

Situata epidemiologjike në Mal të Zi është e volitshme, stabile dhe nën kontroll të plotë dhe se prej ditës në ditë është në përparim dhe përmirësim të dukshëm. Më se dy të tretat e të infektuarve janë shëruar, e numri i rasteve të reja të prekura me koronavirus është minimal. Edhe numri i të vdekurve të infektuar me virus është i vogël. Regjimi i kushteve jetësore të qytetarëve në karantinë në ca vatra të infektimit është në heqje e sipër. Zbutja, por edhe reduktimi i ca masave të përkohshme ka ndikuar në ringjalljen e jetës dhe të lëvizjes së lirë, por edhe në aktivitetin e veprimtarive të tyre të përditshme.

Duke pasur këto dhe shumë fakte të tjera parasysh, rrjedh konstatimi se Mali i Zi përditë është duke u përballur drejt fitores ndaj pandemisë Covid-19.

Konstatimin e sipërcekur pak a shumë e argumentojnë rezultatet e fundit të Institutit për shëndetin publik të cilat konfirmojnë se në 210 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë së tij gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i diagnostikuar pozitiv në virusin Covid-19.

Të dhënat në fjalë, janë rezultat i dy testimeve laboratorike në mostrat e dyshuara në intervalet kohore: 08:30-18:15 në 93 persona dhe 18:15-08:45 në 117 persona.

Në këtë drejtim theksojmë se kjo është dita e gjashtë deri më tani që në testimet laboratorike nuk është regjistruar asnjë rast i ri i infektuar me koronavirus.

Mbështetur në të dhënat e sipërshënuara, numri total i të infektuarve me Covid-19, prej rastit të parë e deri më tani në Mal të Zi, mbetet i pandryshuar – i ditës së mëparshme, 322, prej të cilëve 59 janë fëmijë dhe të rinj të moshave 0-19 vjeçare.

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-164,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Ndonëse në ditët e vikendit dhe të festave shtetërore e ndërkombëtare nuk mbahen konferencat për gazetarë, ku komunikohen detajisht të dhënat epidemiologjike në Mal të Zi, ato për media dhe opinion i kumton shërbimi relevant i Institutit për shëndetin publik.

Në komunikatën e tyre thuhet se në 24 orët e fundit në Mal të Zi nuk janë regjistruar raste të reja të prekura me koronavirus dhe se prej rastit të parë e deri më sot janë të regjistruar 322 raste të infektuara, prej të cilave 240 janë shëruar, 21 prej të cilëve janë shpallur të shëruar në 24 orët e fundit dhe 7 kanë vdekur. Të infektuar aktiv kanë mbetur 75 persona dhe nën mbikëqyrje janë 1730 qytetarë.

Në spitale janë të hospitalizuar 7 të sëmurë të infektuar me koronavirus: 4 në Qendrën klinike në Podgoricë, 2 në Spitalin e Tivarit dhe 1 në atë të Beranit.

Në Klinikën infektive të Qendrës klinike në oksigjeno-terapi gjenden 3 të sëmurë, kurse në Klinikën interne për përkujdesje intensive gjenden 2 pacientë, njëri prej të cilëve është në rrezik jete dhe i kyçur në respirator.

Në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të organeve të tyre relevante, situata epidemiologjike ka këta parametra:

Në Shqipëri: 789 të infektuar, 519 të shëruar dhe 31 të vdekur;

Në Kosovë: 813 të infektuar, 298 të shëruar dhe 22 të vdekur;

Në Serbi: 9205 të infektuar, 1379 të shëruar dhe 185 të vdekur;

Në Kroaci: 2085 të infektuar, 1421 të shëruar dhe 75 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1781 të infektuar, 755 të shëruar dhe 70 të vdekur;

Në Slloveni: 1439 të infektuar, 239 të shëruar dhe 94 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1494 të infektuar, 807 të shëruar dhe 81 të vdekur.

Exit mobile version