Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Mali i Zi në rrugëtim të ngadalshëm, por të sigurt, drejt daljes nga kriza e pandemisë Covid-19

Padyshim, Mali i zi është vendi më i suksesshëm ndër shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në betejën e pa kompromis kundër armikut të padukshëm dhe të pamëshirshëm – pandemisë Covid-19, pasojat e të cilit në shëndetin dhe jetën e njerëzve, janë të rënda alarmante, e madje edhe drastike në tërë rruzullin tokësor.

Angazhimi dhe puna sistematike, mirë dhe me kohë e planifikuar, por edhe e realizuar, e të gjitha subjekteve relevante të Malit të Zi në parandalimin e hapjes së virusit Covid-19, kanë dhënë rezultatet e veta të volitshme dhe vërtetë të larta. Në ditët e fundit rastet e reja me të prekur me koronavirus janë minimale, kurse numri i të shëruarve në rritje e sipër dhe se dy herë është më i madh se ai i të prekurve aktiv. Raportet e gjendjes epidemiologjike dëshmojnë me shifra e fjalë rezultatet e larta të arritura në këtë drejtim, të cilave shumëkush ua ka lakmi. Andaj, me angazhim dhe me plot vigjilencë e dinjitet mund të thuhet, por pse jo edhe të konstatohet se Mali i Zi me hapa të ngadalshëm, por të sigurt po rrugëton drejt daljes nga kriza epidemiologjike e shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Raporti i fundit i Institutit të shëndetit publik njofton se pas tri ditëve radhazi pa raste të reja të prekur me koronavirus, në 162 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të tij gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, është regjistruar një rast i ri i prekur me virusin Covid-19. Rasti është nga Podgorica dhe është rast familjar i rasteve të mëparshme.

Në 40 mostrat e testuara dje (të mërkurën) prej orës 08:45 deri në atë 16:45, është identifikuar një rast i ri i diagnostikuar me koronavirus dhe në 122 mostrat e testuara në intervalin kohor 16:45-08:30, nuk është regjistruar asnjë rast i ri.

Ky rezultat, po ashtu dëshmon se gjendja epidemiologjike në vend është e volitshme, stabile e nën kontroll dhe se në lakoren (grafikonin) e saj vërehen parametra progresiv.

Të dhënat e sipërshënuara dëshmojnë se numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi prej rastit të parë e deri më tani, ka shkuar në 322, prej të cilëve 59 janë fëmijë dhe të rinj të moshës 0-19 vjeçare.

Tabela e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-164,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues: kryeshefja e Repartit për sëmundje infektive në Institutin për shëndetin publik, dr. e shkencave medicinale, Sanja Medenica dhe ndihmës drejtori i Qendrës klinike të Malit të Zi, Nemanja Radojeviq, në konferencën e rregullt për gazetarë, në elaborimet e veta kanë dhënë një vistër të dhënash shumë përfshirëse analitike e koncize lidhur me gjendjen momentale epidemiologjike në Mal të Zi, e më pas në pyetjet e gazetarëve të pranishëm kanë dhënë përgjigje të drejtpërdrejta e konkrete.

Në hapje të konferencës, dr. Medenica ka konfirmuar se pas tri ditëve radhazi pa raste të reja të prekura me virusin Covid-19, në testimet e 24 orëve të fundit laboratorët e Institutit për shëndetin publik kanë regjistruar një rast të ri të prekur me koronavirus, nga Podgorica, dhe është kontakt i rasteve të mëparshme dhe se me këtë numri total i të prekurve është rritur në 322. Në vazhdim ka konfirmuar lajmin e lumtur se në dy testimet e njëpasnjëshme në mostrat e prekura më parë me koronavirus, të kryera në laboratorët e Institutit, negativ kanë rezultuar 7 të testuar (persona), të cilët janë shpallur të shëruar dhe janë liruar të shkojnë në shtëpi, e me të cilët numri total i të shëruarve ka arritur në 206 dhe se dy herë është më i madh se numri i të infektuarve momental aktiv. Ka bërë me dije se në dy testimet e sotme në të infektuar, pritet të shpallen të shëruar edhe një numër i konsiderueshëm i tyre. Numri momental i të prekurve aktiv me virus është 109, kurse ai i të vdekurve 7.

Kolegu i dr. Medenicës, dr. Radojeviq, komunikatën e vet ia ka përkushtuar të infektuarve nga virusi Covid-19 të hospitalizuar për trajtim mjekësor në spitale. Ka theksuar se prej gjithsej 10 sish në Qendrën klinike në Podgoricë gjenden 7 pacientë dhe në Spitalin e Tivarit 3 sish. 2 pacientët e Spitalit të Nikshiqit të shpallur sipas testimeve negativ në koronavirus, të shëruar, janë liruar dhe kanë shkuar në shtëpi.

Në Klinikën infektive të Qendrës klinike gjenden 4 të sëmurë, në oksigjeno-terapi, gjendja e të cilëve është e qëndrueshme dhe stabile. 3 të tjerë janë në Klinikën interne. 1 në përkujdesje intensive, kurse 2 të rrezikuar në jetë, janë të kyçur në respiratorë.

Në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të organeve të tyre relevante, situata epidemiologjike ka këta parametra:

Në Shqipëri: 773 të infektuar, 470 të shëruar dhe 31 të vdekur;

Në Kosovë: 799 të infektuar, 249 të shëruar dhe 22 të vdekur;

Në Serbi: 8724 të infektuar, 1292 të shëruar dhe 173 të vdekur;

Në Kroaci: 2062 të infektuar, 1288 të shëruar dhe 67 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1725 të infektuar, 720 të shëruar dhe 65 të vdekur;

Në Slloveni: 1418 të infektuar, 1091 të shëruar dhe 89 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1442 të infektuar, 627 të shëruar dhe 73 të vdekur.

Për faqen e Portalit “Plava e Gucia Sot”

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version