Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Mali i Zi sot mbylli pesë kapituj të rinj në negociatat me BE-në

“Nuk ka rrugë të përsosur, por ka rezultat të përsosur. I yni është pikërisht i tillë”, ka deklaruar kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq.

Mali i Zi ka mbyllur sot edhe pesë kapituj negociues me Bashkimin Evropian, ka konfirmuar, në emër të shtetit kryesues të BE-së, ministrja daneze për çështje evropiane, Marie Bjerre. Komisarja e BE-së për zgjerim, Marta Kos, ka thënë se Mali i Zi nuk ka qenë kurrë më afër BE-së, ndërsa kryeministri malazez Milojko Spajiq, i cili së bashku me ekipin e tij mori pjesë në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel, u shpreh i lumtur dhe krenar për arritjet e deritanishme të vendit.

Negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në BE kanë nisur më 29 qershor 2012.

REZULTAT I JASHTËZAKONSHËM

Sot Mali i Zi mbylli kapitujt: Kapitulli 3, e drejta e themelimit të ndërmarrjeve dhe liria e ofrimit të shërbimeve,     kapitulli 4, lëvizja e lirë e kapitalit, kapitulli 6,  drejta e shoqërive tregtare, kapitulli 11, bujqësia dhe zhvillimi rural dhe kapitulli 13, peshkimi.

Më herët, Mali i Zi kishte mbyllur 7 kapituj, dhe me gjithsej 12 kapituj të mbyllur deri tani, ka përshkuar rreth një të tretën e rrugës drejt anëtarësimit në BE. Edhe pse si Qeveria e Malit të Zi ashtu edhe institucionet evropiane shprehen optimiste, duke pasur parasysh interesat dhe potencialin destabilizues të “palëve të treta”, mbetet pyetja nëse Mali i Zi do të arrijë vërtet t’i mbyllë të gjitha 33 kapitujt deri në fund të vitit 2026 dhe të bëhet anëtar i plotë i BE-së më 1 janar 2028.

Kryeministri Spajiq mbetet optimist.

“Puna e palodhur sjell rezultate të jashtëzakonshme. Sot mbyllëm 5 kapituj negociues me Bashkimin Evropian dhe, me gjithsej 12 kapituj të mbyllur, kaluam një të tretën e rrugës. Në vitin 2026 hyjmë me shumë shpresë dhe energji që të jetë edhe më i mirë, më i fokusuar, me më shumë bashkëpunim ndërinstitucional, besim dhe diplomaci, në mënyrë që vitin pasues ta presim me kënaqësinë e një pune të përfunduar. Jam mirënjohës ndaj ministrave, ekipeve, deputetëve dhe kolegëve që gjithmonë gjejnë kompromise që na çojnë përpara. Nuk ka rrugë të përsosur, por ka rezultat të përsosur. I yni është pikërisht i tillë”, ka shkruar Spajiq në rrjetin X, duke shtuar se Mali i Zi është gati të hyjë në vitin 2026 me shumë energji dhe forcë dhe të mbyllë të gjitha kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm.

Shefi i diplomacisë malazeze, Ervin Ibrahimoviq, i cili po ashtu mori pjesë sot në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel, ka theksuar se dinamika e përshpejtuar e mbylljes së kapitujve negociues përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në rrugën evropiane të Malit të Zi, duke falënderuar njëkohësisht shtetet anëtare të BE-së dhe Komisionin Evropian për besimin, mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin e fuqishëm.

Është prononcuar edhe ministrja e Integrimeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq.

“E premtuar – e realizuar! Epilog i shkëlqyer i vitit më të suksesshëm në integrimin evropian të Malit të Zi – mbyllëm edhe 5 kapituj negociues. Viti që vjen do të jetë vendimtar dhe nuk ka vend për relaksim; kërkohet angazhim i plotë i të gjithëve, si në nivel teknik ashtu edhe politik. Mali i Zi është gati për hapin e radhës drejt anëtarësimit në BE. Është koha për BE-në!”, ka deklaruar Gorçeviq.

“HOP!”

Para fillimit të Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel dhe publikimit zyrtar të lajmit për mbylljen e kapitujve, ka reaguar zëvendëskryeministri për çështje të jashtme dhe evropiane, Filip Ivanoviq, me një mesazh të shkurtër, i cili duket se i drejtohej kryesisht presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Hop!”, ka shkruar Ivanoviq në rrjetin X, duke shpërndarë informacionin se Konferenca Ndërqeveritare me Malin e Zi ishte caktuar për sot.

Ivanoviq ka reaguar ndaj një komenti që disa ditë më parë presidenti i Serbisë ia kishte drejtuar kryeministrit të Malit të Zi. Gjatë një vizite të fundit në Bruksel, Vuçiq u kishte propozuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen njëkohësisht në BE. Sipas tij, askush nuk kishte reaguar ndaj këtij propozimi.

“Thjesht më dëgjuan”, u kishte thënë Vuçiq gazetarëve.

Ndërkohë, atij i ishte përgjigjur kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq.

“Jam dakord që e gjithë Ballkani Perëndimor duhet ta ketë BE-në si destinacion përfundimtar. Megjithatë, ne do t’ju presim atje që nga viti 2028 dhe shpresojmë që të përshpejtoni me të vërtetë dhe t’i nxisni kandidatët e tjerë nga rajoni”, kishte deklaruar Spajiq.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, dhe presidenti Vuçiq i ishin përgjigjur me ironi kryeministrit malazez, duke thënë se është në rregull “të jesh ambicioz, por fillimisht duhet të kërcesh, e pastaj të thuash hop”.

Pikërisht këtë “hop” e përsëriti sot zëvendëskryeministri i Malit të Zi për çështje të jashtme dhe evropiane, Filip Ivanoviq.

Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe mbulon temat nga rajoni.

Exit mobile version