Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Mali i Zi, tri ditë radhazi pa asnjë rast të ri të preku me virusin Covid-19

Se situata epidemiologjike në Mal të Zi është vërtetë e volitshme, e qëndrueshme, stabile dhe nën kontroll, e dëshmojnë të dhënat e rezultateve laboratorike të mikrobiologjisë molekulare të Institutit për shëndetin publik nga mostrat e testuara në tri ditët e fundit radhazi, të cilat rezultojnë se në Mal të Zi nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me virusin Covid-19.

Reflektim konkret i gjithë kësaj, është raporti i fundit i Institutit të sipërpërmendur, i cili tregon se në 140 mostrat e testuara në laboratorët e tij gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i diagnostifikuar me virusin Covid-19.

Të dhënat në fjalë, janë rezultat i dy testimeve laboratorike në mostrat e dyshuara në intervalet kohore: 08:45-20:40 në 59 persona dhe 20:40-8:45 në 81 persona.

Vlen edhe njëherë të theksohet fakti se gjatë tri ditëve (72 orëve) të fundit në Mal të Zi nuk ka rast të ri të prekur me koronavirus dhe se me këtë gjendje epidemiologjike Mali i Zi dukshëm prin ndër shtetet e rajonit.

Falë të dhënave të sipërshënuara, numri total i të prekurve me koronavirus në Mal të Zi deri më tani mbetet i pandryshuar – ai i ditës paraprake 321, prej të cilëve 58 janë fëmijë dhe të rinj.

Tabela e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-163,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues: ministrja e ekonomisë, Dragica Sekulliq, drejtori i Qendrës urgjente në Qendrën klinike të Malit të Zi, dr. Nermin Avdiq dhe ndihmës drejtori i Institutit për shëndetin publik, dr. Senad Begiq, në konferencën e rregullt për gazetarë, në elaborimet e veta kanë dhënë një sërë të dhënash shumëpërfshirëse, analitike e koncize, lidhur me situatën epidemiologjike në Mal të Zi, e pastaj në pyetjet e gazetarëve të pranishëm, kanë dhënë përgjigje të detajuara të drejtpërdrejta.

Dr. Begiq, në hapje të konferencës, të pranishmit i ka njoftuar se në testimet e 24 orëve të fundit në laboratorët e Institutit të cilin e menaxhon, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me virusin Covid-19, madje, kjo është dita e tretë me radhë që laboratorët nuk kanë regjistruar asnjë rast të ri të prekur me virus, dhe se numri total i të prekurve deri më tani mbetet ai i ditës paraprake, 321. Ka konfirmuar të dhënën e lumtur se në dy testimet e njëpasnjëshme të mostrave të infektuara me koronavirus që janë kryer në laboratorët e Institutit, negativ kanë rezultuar 10 persona, të cilët janë shpallur të shëruar dhe janë liruar të shkojnë në shtëpitë e tyre, dhe se numri total i të shëruarve ka shkuar në 199, dhe gati dy fish është më i madh se numri momental i të prekurve aktiv, i cili është 115, kurse nën mbikëqyrje

janë 1819 qytetarë. Në fund ka bërë me dije se komunat e Danillovgradit dhe Tivatit, nuk kanë më të infektuar me koronavirus.

Kolegu i tij dr. Avdiq, raportin e vet ia ka përqendruar të sëmurëve nga koronavirusi të hospitalizuar në Qendrën klinike në Podgoricë, si dhe në spitalet në Tivarë e Nikshiq. Ka theksuar se për trajtim mjekësor në spitale gjenden 13 pacientë: 8 në Qendrën klinike në Podgoricë, 3 në Spitalin e Tivarit dhe 2 në atë të Nikshiqit.

Ka konfirmuar se në Klinikën infektive të Qendrës klinike janë 5 të sëmurë nga virusi dhe se gjendja e tyre është e qëndrueshme. Në Klinikën interne, nën kujdesjen intensive gjenden 3 të sëmurë. Pas dy testimeve të njëpasnjëshme të tij, të cilat kanë rezultuar negativ në koronavirus, një pacient do të lirohet si i shëruar, kurse dy të tjerët në jetë të rrezikuar, janë të kyçur në respiratorë.

Në elaborimin e vet konciz dhe gjithëpërfshirës, ministrja e Ekonomisë, Dragica Sekulliq, të pranishmit i ka njoftuar se në mbledhjen e Trupin nacional koordinues që do të mbahet sot, do të definohen masat të cilat do të jetësohen prej 4 majit. Ajo po ashtu, ka dhënë edhe një vistër të dhënash lidhur me veprimtaritë e ndryshme në jetën e përditshme të qytetarëve në gjendje epidemiologjike.

Në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të organeve të tyre relevante, situata epidemiologjike ka këta parametra:

Në Shqipëri: 766 të infektuar, 455 të shëruar dhe 30 të vdekur;

Në Kosovë: 790 të infektuar, 232 të shëruar dhe 22 të vdekur;

Në Serbi: 8497 të infektuar, 1260 të shëruar dhe 168 të vdekur;

Në Kroaci: 2047 të infektuar, 1232 të shëruar dhe 63 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1651 të infektuar, 720 të shëruar dhe 64 të vdekur;

Në Slloveni: 1418 të infektuar, 230 të shëruar dhe 89 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1421 të infektuar, 589 të shëruar dhe 71 të vdekur.

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version