Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Manastiri i Deçanit s’e lejon afër vetes asfaltimin e 5km të rrugës Deçan – Plavë (video)

Përfundimisht Manastiri i Deçanit triumfon ndaj komunës. Arrin ta ndalojë ndërtimin e rrugës që e lidh këtë komunë me Malin e Zi përmes zonës së mbrojtur rreth manastirit, raporton KTV.

Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, pret që të arrihet mirëkuptim me përfaqësuesit e këtij institucioni fetar, në të kundërtën, do ta ndërtojnë rrugën nëpër një fshat tjetër.

Pesë kilometrat e rrugës, e cila e lidh Deçanin me kufirin e Malit të Zi përmes zonës së mbrojtur të Manastirit, nuk do të asfaltohen.

Ditë më parë, i gjithë kori diplomatik dhe akterët e përfshirë shkuan në Deçan, për t’u njoftuar nga afër me gjendjen reale në terren dhe u dakorduan që në atë pjesë të ndërpriten punimet.

Ata njëzëri thanë se edhe pa pëlqimin e Komisionit për Monitorim dhe Mbikëqyrje të Zonave të Veçanta, nuk do të mund të ndërtohet asgjë në këtë zonë.

Kështu ministrit Lekaj dhe kryetarit të komunës iu bë e ditur nga ndërkombëtarët se duhet respektuar Ligji për Mbrojtjen e Zonave të Veçanta.

E pikërisht neni 5 i këtij ligji thotë se në zona të veçanta nuk mund të ndërtohen rrugë.

Sipas kryetarit të komunës, këtë gjendje e krijuan dhjetë vjet më parë deputetët e legjislaturës së vitit 2008, kur e miratuan këtë ligj.

Shoqëria Civile në këtë komunë këtë e sheh si lojë të dyfishtë të ndërkombëtarëve.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës zotohet se do ta respektojë ujdinë e arritur me ndërkombëtarët, duke besuar se në një të ardhme të afërt do ta asfaltojnë edhe atë pjesë.

“Të gjitha marrëveshjet që janë në frymën e ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës do t’i respektojmë me përpikëri dhe investimet do të bëhen gjithnjë në frymën e mirëkuptimit e të bashkëpunimit me të gjithë faktorët relevantë”.

Punimet për rrugën Deçan- Plavë nisën në muajin maj, derisa në pjesën rreth zonës së mbrojtur të manastirit u lejua të vendoset vetëm pllaka por jo edhe ndërtimi i rrugës.

Kjo për shkak se Manastiri nuk po lejon që të ndërtohet asfalt brenda zonës së mbrojtur.

 

https://video.gjirafa.com/koha?video=decanrruga&t=20.06

Exit mobile version