Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Mandela i Plavës dhe Gucisë

Veprimtari i denjë i çështjes kombëtare, atdhetari i mirënjohur, i burgosuri politik dhe piloti i parë shqiptar i Aviacionit ushtarak, Rexhep Gali Balidemaj, nga krahina e Plavë-Gucisë, në gjysmën e dytë të muajit dhjetor të këtij viti, mbushi 99 vjet jete dhe filloi vitin e mbramë të 100-vjetorit – të një shekulli të plotë të veprimtarisë së tij të bujshme, të vrullshme dhe shumë dimensionale

Shaban Hasangjekaj

Për aktivitetin shumë përfshirës dhe për figurën e ndritur e markante të tij në sensibilizimin e çështjes mbarë kombëtare shqiptare, është shkruar, folur e raportuar në shumë media të shkruara e elektronike, në ca portale të rrjeteve shoqërore dhe në vepra letrare të autorëve shqiptar, ndër të cilat veçojmë shkrimet e veprimtarit dhe publicistit ulqinak, Gjylaver Avdiut, në veprën e tij me titull “Pishtarët e lirisë” dhe në faqet e portalit “Plava e Gucia Sot” me seli në Nju Jork, të drejtorit dhe pronarit të tij, vuthjanit Esat Gjonbalaj, shënimet e të cilëve i kam shfrytëzuar për koncipimin dhe hartimin e portretit në fjalë.
Rexhep Gali Balidemaj, u lind më 19 nëntor të vitit 1922, në fshatin Martinaj të Komunës së Gucisë, nga e ëma Sutë Goçaj – Balidemaj dhe i ati Gal Shabani Balidemaj, i bajrakut të vëllazërisë Selcë të fisit Kelmend, familje kjo bujare, atdhetare dhe mikpritëse e bukëdhënëse. Katër klasat e ciklit të ultë (I-IV) të shkollës fillore i kreu në fshatin e lindjes – në Martinaj, ndërsa katër klasat e ciklit të lartë (V-VIII) që atëherë quheshin gjimnaz, i kreu në Plavë në gjuhën serbe, pasi nuk ekzistonin shkolla me mësim në gjuhën shqipe.
Ndonëse Rexhepi ishte djalë i shkathtë, i mprehtë dhe me vizion e horizont të gjerë, si i tillë i ra në sy ministrit shqiptar, Qazim Koçulli, i cili në vitin 1941 vizitoi trevën e krahinës së Plavë-Gucisë. Me iniciativën e tij, Rexhepi shkoi në Tiranë, ku u regjistrua në gjimnaz. Meqë ishte i brumosur me ndjenja patriotike e atdhetare, së shpejti ra në kontakt me të rinjtë antifashist shqiptar, si Kajo Karafili, Qemal Stafa, etj. me të cilët së bashku mori pjesë në disa aksione antifashiste.
Në verën e vitit 1943, Rexhepi kthehet në vendlindje, ku angazhohet në Lëvizjen e të rinjve të Plavës dhe Gucisë. Në vjeshtën e atij viti regjistrohet në aradhet partizane me të cilat luftoi deri në Trieste të Sllovenisë.
Pas kapitullimit të Gjermanisë, Rexhepi edukimin dhe arsimimin e vet të mëtejmë e vazhdon në Beograd ku me sukses e kryen kursin për shifrant. Në vitin 1946, pasi kaloi me sukses të gjitha testet e aftësive fizike e mendore (psikofizike), Rexhepi dërgohet në Kievë të Bashkimit sovjetik, ku qëndron dy vite dhe aftësohet për pilot. Kështu ai edhe bëhet piloti i parë shqiptar i Aviacionit ushtarak. Në vitin 1948, kthehet në Zagreb të Kroacisë dhe fillon punën si pilot ushtarak.
Me shpalljen e Rezolutës së Informbyrosë në vitin 1948, Rexhep Gali përcaktohet për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, sepse në anën e Rezolutës ishte Shqipëria, andaj sipas bindjeve të tij, ku ishte Shqipëria, ishte edhe ai. Në vitin 1949 arrestohet si informbyroist dhe dënohet me 6 vjet burg. Dënimin e vuan në burgun më famëkeq të ish-Jugosllavisë, në Goli Otok. Aty u keqtrajtua, jo vetëm si informbyroist, por edhe si shqiptar. Megjithatë, Rexhepi i përballon të gjitha torturat e persekutimet dhe pas vuajtjes së dënimit, në vitin 1956 kthehet në vendlindje. Nga UDB-ja ai përcjellët vazhdimisht dhe si pretekst ajo gjen një rast kur Rexhepi del në mbrojtje të një bashkëfshatari të vet, të cilin donin ta arrestonin. Kjo atyre u mjaftoi që ta akuzonin dhe në bazë të nenit 133, për propagandë armiqësore me gojë, dënohet me tre vjet burg, të cilat i vuan në Burgun e Kotorrit në Mal të Zi. Pas vuajtjes së këtij dënimi, Rexhepi sërish kthehet në vendlindje, ku me ndihmën e ca të afërmve të tij, punësohet rojtar pyjesh në Drejtorinë e sektorit për pyje në Plavë. Edhe pse nuk kishte asnjë shkas dhe mundësi veprimi, UDB-ja vazhdimisht i krijonte insinuatë, ashtu që pas tri vitesh pune, sërish arrestohet dhe dënohet me dy vjet burg, të cilat i vuan në Ishullin Gërgur të Kroacisë. Pas daljes nga burgu, megjithëse ishte i martuar dhe me dy fëmijë, nuk kishte kurrfarë mundësie të punësohej sërish.
Në Konferencën e Brioneve të vitit 1965, u aprovua një rezolutë, në bazë të së cilës u ndalua ndjekja e të dënuarve si informbyroistë, disa bashkëvendës të tij, të cilët jetonin dhe punonin në Prishtinë, Rexhepin e punësojnë në ndërmarrjen ndërtimore “Ramiz Sadiku”, ku punon deri në vitin 1981. Edhe pse ishte bukur i moshuar, ai në shpirt ishte ende i ri dhe se burgu e torturat në vend që ta ligështonin, e kanë kalitur e frymëzuar. Me të dëgjuar për demonstratat e studentëve në vitin 1981, ai u bashkëngjitet atyre dhe së bashku me shumë të rinj sërish arrestohet nga policia serbe. Edhe pse ishte i moshuar, me procedurë të përshpejtuar e dënojnë me dy muaj burg, të cilat i vuan në Burgun e Lipjanit. Qëndrimin e vet në burg, Rexhepi e shfrytëzon për tu njoftuar me veprimtarë të rinj të çështjes kombëtare shqiptare, dhe pasi del nga burgu e vazhdon veprimtarinë e vet. Në atë kohë ka qenë vështirë të veprohet, por veprimtarët shqiptarë kishin zbuluar një formë të re veprimi, e cila quhej “treshe”. Treshet kanë qenë grupe të vogla prej 3 aktivistësh, ku secili prej tyre ishte pjesëtarë i një “tresheje” tjetër, për të cilën shokët e treshes së tij nuk kishin dijeni. Ky sistem u tregua efikas sepse të arrestuarit edhe po të dinin, nuk mund të tregonin vetëm për veprimtarët e treshes së vet, ashtu që këputej zingjiri i arrestimeve. Edhe pse në moshë të thyer, por nga pamja fizike dukej vital, Rexhepi u bë pjesëtar i treshes ku veproi deri në vitin 1983, kur arrestohet sërish dhe dënohet me pesë vjet burg, me akuzën për agjitacion e propagandë armiqësore.
Për veprimtarinë e Rexhepit në Prishtinë kishin dëgjuar të gjithë, andaj atë e merr në mbrojtje avokati i mirënjohur kosovar Bajram Kelmendi dhe falë angazhimit të tij profesional, dënimi i ulet (reduktohet) nga 5 në 3 vjet burg, të cilat i vuan në burgjet e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjyrakocit.
Mosdorëzimi tani më, është bërë pjesë e jetës së tij, andaj ai merr pjesë në protestën e organizuar me rastin e vrasjes së dëshmores Ylfete Humolli, dhe për këtë shkak dënohet me dy muaj burg nga Gjykata për kundërvajtje.
Rexhep Gali Balidemaj, është një nga shembujt më kuptimplotë që në mënyrë reale e personifikon shprehjen “Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare”. Ai një të gjashtën e pjesës së jetës dhe veprimtarisë së vet të bujshme e shumë përfshirëse 100 vjeçare (një shekullore), 16,4 vjet të jetës së vet i ka kaluar në qelitë e kazamateve të burgjeve në qendrat e ndryshme të Malit të Zi, Kosovës, Kroacisë e Serbisë, por edhe përkundër vuajtjeve, torturave e persekutimeve që ato i sollën, ai asnjëherë nuk u gjunjëzua, por mbeti burrë e trim i denjë dhe atdhetar i paepur dhe i paluhatur i kombit dhe vatanit të vet. Ai ishte dhe mbetet simbol e burim frymëzimi për të rinjtë, por edhe për moshat tjera, jo vetëm nga treva e krahinës së Plavës dhe Gucisë, por edhe për hapësirën mbarëkombëtare shqiptare.
Rexhep Gali Balidemaj, në moshën 100-vjeçare jeton në Nju Jork me tre djemtë, me ngritje të lartë profesionale, Naimin, Nerimin e Kujtimin. Mjerisht bashkëshortja e dashur dhe e çmuar e tij Rabë Kukaj – Balidemaj, i ka vdekur para ca vjetësh. Karakteristikë e veçantë për Rexhepin është se ai padyshim është njeriu më i moshuar ndër popullatën shqiptare të trevës së Plavës dhe Gucisë, e ndoshta edhe ndër konfesionet tjera të këtij nënqielli.
Në fund, theksojmë se popullata shqiptare e trevës së Plavës dhe Gucisë, në veçanti të rinjtë, Rexhep Galin Balidemaj, me admirim dhe me krenari e quajnë “Mandella i Plavës dhe Gucisë”.

Exit mobile version