Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Masakra e Rugovës – vazhdimësi e politikës gjenocidale ndaj shqiptarëve

Pazari i Pejës më 1909 (Foto: Gabriel Louis-Jara)

Në aspektin gjeopolitik hapësira etnogjeografike shqiptare ishte në qendër të vemendjes së diplomacisë së Fuqive të Mëdha nga pjesa e dytë e shek.XIX dhe më pas.Ishte koha e ngjarjeve të mëdha në aspektin regjional dhe ate europian, ku shqiptarët nën Perandorinë Osmane ishin të parët që u flijuan për interesat e të tjerëve. Ishin pikërisht fqinjët tanë sllavët dhe grekët që u zgjeruan territorialisht në dam të tokave shqiptare që u verifiku në Kongresin e Berlinit(1878).Ishte koha kur monarkitë ballkanike filluan legalizimin e spastrimin etnik duke u bazuar në programet shtetërore(Naçertania e Megalo idea). Në sajë të aleancës ballkanike të shtetëve ortodokse kundër Perandorisë Osmane në vitët 1912-13 shqiptarët përjetuan masakra me përmasa të  gjenocidit, sepse aleanca ballkanike synim parësor kishte ndarjen përkatësisht aneksimin  e territorëve shqiptare. Në sajë të urrejtjës patologjike nga masakrat e kryera nga serbët e malazezët e pësuan shqiptarët në Plavë-Guci,Pejë,Gjakovë,Lumë, Dibër etj. Ngjajshëm ndodhi edhe pas Luftës së Parë Botërore përsëri në Plavë-Guci dhe Rugovë(1919), ku u maskruan një numër i konsideruesëm i shqiptarëve, ndërsa ata që mbetën gjallë emigruan në Shqipëri. Një veprim i tillë nuk ishte i rastit por në sajë të politikës gjenocidale për spastrim etnik të tyre krahinave shqiptare në zonën kufitare në mes Shqipërisë dhe Mbretërisë SKS. Këto masakra paralajmëronin së njëjtë do të veprohej edhe në viset tjera në Kosovë e gjetiu ku ka shqiptarë, sepse territoret e aneksuara sllavet i donin pa shqiptarë.

Nga Nail  Draga

Rugova krahinë etnografike

Krahina etnografike e Rugovës gjindet në pjesën perëndimore të Kosovës, me sipërfaqe prej 195km2, me 13 vendbanime dhe një popullsi prej  2451 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1981. Ndërsa duke marrë parasysh së në vitin 1991, shqiptarët kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë, regjistrimi zyrtar  i radhës është mbajtur në vitin 2011 ku në Rugovë janë evidentuar 203 banorë(ESK,2011). Një e dhënë e tillë dëshmon se në sajë të luftës (1998 -1999) dhe pas saj  ky mjedis ka  pësuar rënie të popullsisë rreth 90% e popullsisë, duke migruar përkatësisht vendosur kryesisht në Pejë e gjetiu në Kosovë, por edhe në botën e jashtme.

Në të kaluarën për Rugovën janë publikuar artikuj, studime dhe botime të veçanta. Ndonëse një krahinë e vogël për nga sipërfaqja dhe numër relativisht të vogël banorësh, ka qenë i kushtezuar nga morfologjia e relievit malor, ajo ka përjetuar gjenocid të dyfishtë në dekadën e dytë të shek.XIX, nga ana e serbëve dhe malazezëve, me pasoja të mëdha për popullsinë vendase(1912 dhe 1919). Në sajë te të dhënave të deri tashme për këto masakra del se kanë ekzistuar të dhëna të kufizuara sepse në pushtetin monist temat e tilla nuk ishin të preferuara për hulumtim dhe publikimi i ngjarjeve të tilla. Andaj, angazhimi i studiuesve të ndryshëm, për të hulumtuar këto ngjarje duhet mbeshtetur, sepse opinioni i gjerë e  jo vetëm ai shkencor duhet të njoftohet  me të vërtetën e këtyre masakrave nga serbët e malazezët, si dhe politikën e tyre gjenocidale kundër shqiptarëve, duke aplikuar në praktikë spastrimin etnik ndaj një krahine e populluar ekskluzivisht prej shqiptarëve.

Politika gjenocidale serbe  kundër shqiptarëve

Tashmë dihet se politika gjenocidale serbe në programin e tyre politik të Naçertanies(1844) ishte  identike si ajo e grekëve(Megalo Idea),me të vetmin qellim për zgjerim territorial duke ëndërruar Serbinë mesjetare. Dhe në praktikë një ide e tillë filloi të realizohej nga viti 1876-1878, duke u legjitimuar në sajë të vendimit të Kongresit të Berlinit(1878). Fjala është pikërisht për Sanxhakun e Nishit ku ndaj shqiptarëve u bë spastrim etnik, duke dëbuar rreth 150.000 shqiptarë, nga gjithsej 614 vendbanime ku nga to 370 ishin të banura vetëm nga popullsia shqiptare, si dhe 244 vendbanime  tjera që ishin të përzira(shqiptar, serb e çërkez)  (Uka,1991:89-95).

Pikërisht gjatë operacionëve luftarake të ushtrisë serbe kundër Perandorisë Osmane  në Sanxhakun e Nishit në fund të vitit 1877  komanda ushtarake shpërndau një  proklamatë ku në mes tjerash  thuhet  se “ sa ma tepër të shpërngulni  shqiptarë, meritat e juaja ndaj atdheut janë më të mëdha”,(Uka, 1991:66)duke  mbetur  thënia raciste për tërë politikën serbe nga shekulli XIX e deri në ditët tona, ku dëshmi është edhe  lufta e fundit  në Kosovë(1998-1999).

Ngjarjet e zhvilluara me vonë  dhe harta e zgjerimit territorial të Serbisë e dëshmon më së miri një konstatim të tillë. Kemi të bëjmë me një politikë fashiste, e cila varësisht prej rrethanave të kohës paraqitej në modalitete të ndryshme, por objektivi mbetëj i njëjtë, ekspansion territorial dhe spastrim etnik e  demografik, kryesisht kundër shqiptarëve, por edhe  të atyre që nuk ishin  ortodoks, ku pjesëtarët e fesë islame e kanë përjetuar në lekurën e tyre.

Në mënyrë identike ka vepruar edhe principata e Malit të Zi, gjatë luftës kundër Perandorisë Osmane(1876-1878), përkatësisht  kundër shqiptarëve në ato vise e vendbanime qe iu dhuruan nga Kongresi i Berlinit(Draga,2017: 25-63).

Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës

Shqiptarët gjatë Luftës së Parë Botërore e sidomos në përfundimin e saj, ndodhëshin në një situatë jashtëzakonisht të rëndë. Gjendja ishte aq alarmante sa që paraqitej rreziku real për ekzistencën e shtetit të pavarur shqiptar. Fuqitë e Mëdha ngadhnjyese të luftës dhe shtetet shoviniste fqinje, kishin hartuar projekte e kishin nënshkruar marrëveshje, përmes të cilave jo vetëm njoheshin dhe snaksionoheshin traktatet e mëparshme antishqiptare, por kërkohej edhe copëtimi i Shqipërisë gjysmake. Këtyre planeve të Fuqive të Mëdha  dhe shtetëve fqinje kundër shtetit të pavarur shqiptarët u përpoqën që t ia kundërveheshin me të gjitha mundësistë dhe potencialin që kishin (Culaj, 2009:186).

Në skenë dolën forca të rëndësishme patriotike dhe demokratike që u vunë në ballë të shtetit, duke bërë përpkjekje dhe sakrifica për ruajtjen e tërësisë toksore, për  bashkimin  e territoreve shqiptare në një shtet të lirë dhe të pavarur si dhe për demokratizimin e  jetës së vendit. Gjithsesi këtu vlen të veçohet  Komiteti Mbrojtja Kombëtaree Kosovës, i cili luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjën e interesave të kombit dhe shtetit shqiptar, kundër pretendimeve të Fuqive të Mëdha dhe shteteve fqinje, e posaçërisht kundër  planeve dhe politikës antishqiptare të shovinistëve serbomëdhënj.

Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, si organizatë politike me program të përcaktuar politik, u themelua në Shkodër më 1 maj 1918, në kushte tepër të rënda  të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ky Komitet u formua kryesisht nga patriotët kosovarë, të cilët, për shkak të rrethanave të caktuara historike, kishin  mbetur brenda kufijve  të Shqipërisë politike, por që përpiqeshin më tërë forcën e tyre për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare dhe krijimin e një Shqipërie etnike dhe të pavarur. Komiteti  Mbrojtja Kombëtare e Kosovës qëndroi gjithnjë në ballë të punës për t’i zgjidhur  me sukses detyrat e shpëtimit  të Shqipërisë, për zhvlerësimin e traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, për sigurimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë dhe tërësisë toklësore të Shqipërisë, dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje, shpresonte në bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të lirë e sovran. Se çfarë qendrimi kishte  Komiteti i Kosovës ndaj çështjes kombëtare këtë e dëshmon programi themeltar i kësaj organizate kombëtare(Culaj,1997:187).

Ndonëse  mbante emrin e një përfaqësie krahinore në realitet ishte një organizatë e fuqishme politike kombëtare mbarëshqiptare dhe kishte pamjen e një partie të organizuar mjaft mirë e cila nuk i përfaqësonte e nuk i mbronte vetëm të drejtat e interesat e emigrantëve kosovarë e të popullit të Kosovës, por të mbarë kombit shqiptar.

Përveç veprimtarisë diplomatike Komiteti i Kosovës, me qendër në Shkodër  bënte edhe organizimin e lëvizjes nacionalçlirimtare, do të thot rezistencën e armatosur të popullit(Skendi,1992: 42).

Vazhdimësia e politikës gjenocidale kundër shqiptarëve

Masakra e Rugovës nuk duhet trajtuar si vepër kriminale e izoluar, por vazhdimësi e politikës gjenocidale të serbëve e malazezëve ndaj shqiptarëve, e cila ishte kundër eliminimit fizik të popullsisë së kësaj krahine. Kujtojmë me këtë rast masakrat e malazezëve në krahinën e Plavës e Gucisë(1912-1913), sidomos ate të datës 4 mars 1913 në vendin e quajtur Previ, si dhe konvertimin e shqiptarëve e boshnjakëve nga feja islame në ate ortodokse, dukuri e panjohur deri atëherë(Plava:2002,119-123, Harapi:2004,45-65,Cana:1996,94-139). Realizimi i dy masakrave në këtë krahinë (1912, 1919) brenda shtatë vitëve dëshmon një konstatim të tillë.

Pas përfundimiit të LPB,  pikërisht në vjeshtë të vitit 1918 ndodhi riokupimi serb i Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, tash në kuadrin e Mbretërisë SKS.Ishte kjo koha ku në viset shqiptare si Plava, Gucia dhe Rugova filloi rezistenca e popullit shqiptar të tyre krahinave, duke marrë përmasa në vitin 1919. Qellimi i pushtuesve ishte që kjo popullsi të dorëzojë armët, që ta kishte me lehtë okupimin dhe vendosjen e pushtetit ë tyre. Por, popullsia e Rugovës nuk ishte e këtij mendimi, sepse përvoja nga vitet e kaluara 1912-15 ishte ende e freskët dhe plagët ende të pa shëruara nga dhuna dhe masakrat e kryera prej tyre.

Lidhur me situatën në Rugovë,  burimet serbe cekin se “Raporte jo të këndshme po arrijnë nga fronti shqiptar.Me lajmëruan mbi lëvizjën e 1000 shqiptarëve nga Rugova drejt Pejës.Lëvizja është përgatitur edhe në Plavë e Guci, ku gjenden rreth 5000 shqiptarë të armatosur”.(Monografia Rugova, f.28).

Nga raportet ushtarake serbe që ka të bëjë me fillimin e shkurtit 1919, del se përcillej gjendja në Rugovë e rrethinë dhe lëvizja e popullsisë vendase për  t’iu kundërvenë forcave okupuese  serbe. Madje cekët se “në rrethin e Pejës dhe të Gjakovës situata është shumë kritike, se shqiptarët kanë filluar kryengritjen  e organizuar në baza shumë të gjëra”.(po aty, f.28).

Nuk ka dilemë se ky ishte alarm i mjaftueshëm për dërgimin e forcave ushtarake  për masa reperesive kundër shqiptarëve.

Për ta shtypur kryengritjen në Rugovë, Plavë e Guci, ushtria serbe dërgoi forca të mëdha nga Peja, kurse malazezët sulmuan nga veriperëndimi. U zhvilluan luftime në mes shqiptarëve dhe ushtrisë serbe. Gjatë depërtimit të tyre  në këto vise ushtria serbe bëri masakra duke vrarë njerëz e djegur fshatra. Sipas të dhënave bëhët fjalë për 864 persona të masakruar dhe 410 shtëpi të djegura. Më së shumti e pësoj fshati Shtupeqi i Madh.(Monografija Rugova,f.29).

Ndërsa në sajë të raportëve që i dërgoheshin  Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës në Shkodër prej datës 17-25 shkurt 1919, bilanci i të vrarëve dhe të masakruarve në Plavë e Guci e jepnin në 844 veta. Pastaj raportohej se serbët e malazezët kishin djegur  Plavën e Rugovën dhe së rreth 15000 shqiptarë kishin ikur në bjeshkë. Ata që nuk kishin mundur të iknin, nga pleqëria apo sëmundjet , të gjithë ishin masakruar.(H.Muja,Në fenë e të parëve, f.258).

Në bazë të dhënave nga Komitetin i Kosovës në Plavë e Guci vrasja e shqiptarëve vazhdoi edhe në vitin vijues 1920, ku jepen të dhënat për 537 të vrarë.(Po aty, 259.). Ndërsa sipas një burimi tjetër gjatë periudhës janar-shkurt 1919 në Kosovë janë vrarë 12.373 shqiptarë dhe mbi 8000 shqiptarë janë shpërngulur në Turqi(F.Buçinca-F.Dibrani,Mizoritë serbe në Vushtrri dhe rrethinë 1919-1956,f.87).

Me shpërthimin e kryengritjes në Rugovë janar-shkurt të vitit 1919, filloi njëherësh përgatitja e kryengritjes së përgjithshme, e cila duhet të shpërthente në pranverë, meqenëse situata ndërkombëtare konsiderohej e favorshme, dhe kishte gjasa që të korigjoheshin padrejtësitë e vitit 1913, kur u përcaktua kufiri i Shqipërisë. Fjala është për Konferencën e Paqës në Paris, ku u përcaktuan kufinjtë politik në Europë pas përfundimit të LPB.Por, siç dihet kërkesat e shqiptarëve për përmirësimin e kufinjëve nuk u moren parasysh sepse çdo gjë u vendos sipas interesave gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, që ishin në kundërshtim flagrant të së drejtës së shqiptarëve për bashkim me shtetin kombëtar.

Në sajë të tyre masakrave krahina e Rugovës u shpopullua tërësisht, sepse  ata që patën fat të mbesin gjallë u larguan nga Rugova, duke u vendosur kryesisht  në Shqipëri e gjetiu, për tu rikthyer vetëm pas vitit 1924, dhe rifilluar jetën në vendlindjen e tyre.

Çështje të veçantë paraqet numri i saktë i të masakruarve dhe atyre të cilët kanë emigruar si nga Plava, Gucia e Rugova, si dhe rikthimi i tyre i mëvonshëm në vendlindjet e tyre. Kujtojmë me këtë rast së në Shkodër u themeluan vendbanimet e reja me emrin  Gucia e Re, Gruda e Re, Hoti i Ri  duke dëshmuar origjinën e popullsisë nga krahinat qe kanë përjetuar masakra nga serbet e malazezet, nga viti 1912 e më pas. Ndonëse nuk u themelu vendbanimi i ri me emrin Rugova e Re, nuk do të thot se popullsia e Rugovës nuk u vendos në vendbanime e krahina të ndryshme të Shqipërisë, por ata kishin një shpërndarje më të gjerë territoriale, por me bindje për  rikthim si të krijohen kushtet  duke i mbetur besnik  vendlindjës së  tyre.

Nuk ka dilemë se qellimi gjeostrategjik i pushtuesëve serb dhe malazez  ishte spastrimi etnik i këtij territori të okupuar dhe shpërngulja e popullsisë së Rugovës si element i rrezikshëm në këtë mikroregjion, për të ndërprerë lidhjen unike të arealit shqiptar në këtë zonë kufitare. Ngjarjet e mëvonshme në tërë Kosovën e  dëshmojnë një konstatim të tillë, ku ekzistojnë dëshmi të shumta të dokumentura, se politika e spastrimit etnik ishte mision  shtetëror  e  pushtuesve serb në hapësirën etnogjeografike shqiptare.

Përfundim dhe propozime

Masakrat e  serbëve dhe malazezëve në Rugovë nuk duhet të trajtohen si krim i izoluar por si një vazhdimësi e politikës gjenocidale e programuar në qarqet shtetërore nga shekulli i kaluar.  Ndërsa është çështje për hulumtim të veçantë strategjia e politikës serbe e malazeze në regjionet kufitare sikurse janë Rugova, Plava e Gucia të cilat nga viti 1912 e deri në 1919, kanë përjetuar dy herë  gjenocid vetëm pse ishin shqiptarë. Dhe në sajë të krimeve të tilla të popullsia vendore ndodhi procesi i  emigrimit të dhunshëm të popullsisë vendase. Pikërisht në këtë aspekt e dhëna se nga masakrat serbe në  vitin 1919 ku janë evidentuar 844 viktima e  deri në vitin 1924 në Rugovë nuk kishte njëri të gjallë, dëshmon në mënyrë transparente  politikën e tokës së djegur dhe të  spastrimit etnik, që paraqet rast unik në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Por, më pas ata që kishin emigruar në vise të ndryshme shqiptare u kthyen në vendlindje duke rifilluar jetën në Rugovë, e cila  në varësi të rrethaneve të ndryshme shoqërore mbijetuan deri në ditët tona, duke dëshmuar vitalitetin etnik e antropologjik si rrallë kaush në hapësirën etnogjeografike shqiptare.

Dhe në fund dy propozime

1.Vendet e qytetëruara që respektojnë të kaluarën dhe sakrificat e mbijetesës, ndërojnë individet, ngjarjet dhe ata përjetësohen në monumente të ndryshme. Pikërisht, në rrethana të reja në Kosovën e pavarur, në vendin e Masakrës në Rugovë duhet të vendoset një monument me rastin e 100-vjetorit të saj, të gdhëndur aty emrat e viktimave. Dhe një monument i tillë, duhet të jetë dëshmi për kohën e kaluar dhe kohën tonë  për masakrat  nga pushtuesit serb në Kosovë. Një veprim i tillë është borxh për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e Kosovës.

2.Duke marrë parasysh se në të kaluarën shqiptarët kanë përjetuar masakra të ndryshme në nivel të gjenocidit, propozoj që të inicohet për botimin e një vëllimi të veçantë ku do të përmbledhen të gjitha masakrat e kryera nga serbet e malazezët në të kaluarën. Botimi i tillë përveç së në gjuhën shqipe duhet të përkthehet edhe në gjuhë të tjera si anglisht, gjermanisht, spanjisht, arabisht, turqisht, rusisht, serbisht etj. Vetëm një botim i tillë do të jetë dëshmi  në demaskimin e politikës gjenocidale të serbeve e malazezëve  ndaj shqiptarëve, përkatësisht të politikës së vazhdueshme të spastrimit etnik  të fqinjëve tanë, në hapësirën etnogjeografike shqiptare.

(Kumtesa është paraqitur në Simpoziumin  shkencor“100-vjetori i Masakrës së Malit të Zi dhe Serbisë në Shtupeq dhe katunde të tjera të Rugovës, më 1919”Pejë, 15-15 shkurt 2019)

Bibliografia kryesore:

1.Elmaz Plava, Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Tiranë, 2002

2.Rugova(monografi etnografike), ASHAK, Prishtinë, 1987

3.Limon Rushiti, Lëvizja kaçake në Kosovë 1918-1928, Prishtinë, 1981

4.Hakif Bajrami, Rrethanat shoqërore e politike në Kosovë 1918-1941, Prishtinë, 1981

5.Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913,Dokumente, Prishtinë, 1996

6.Hajrudin Muja, Në fenë e të parëve, LOGOS-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2013

7.Hasan I.Gjonbalaj, Paria e Krahinës së Plavës dhe e Gucisë(1878-1945), Drenusha, Prishtinë, 2009

8.Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”,ASHSH,Tiranë, 2004

9.Raymond  Poincare, Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës 1912-1913, LOGOS-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2009

10.Lush Culaj, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918-1924,IA,Prishtinë, 1997

11.Lush Culaj, Çështja Shqiptare në Konferencën e Parisit 1919-1920, IA,Prishtinë, 2010

12.Ž.Andrijašević-Z.Stanojević, Pokrštavanje Muslimana 1913, Podrgorica, 2003

13.Vakat Zuluma, Plav-Gusinje 1912/1913, Almanah br.55-56, Podgorica,2013

14.Sabit Ukaj, Shpërngulja e shqiptarëve nga Serbia Jugore 1877-78 dhe vendosja e tyre në Rrafshin e Kosovës,Botoi:“Zëri“,Prishtinë,1991

15.Nail  Draga, Etnia dhe hapësira, Art Club, Ulqin, 2017

16. Zef Mark Harapi, Ditt e trishtimit  n’ Pejë e nder rrethe 1912-1913, Dukagjini, Pejë, 2004

17. Eqber Skendi,Hoxhë Kadri Prishtina,Prishtinë, 1992

18.F.Buçinca-F.Dibrani,Mizoritë serbe në Vushtrri dhe rrethinë 1919-1956,Prishtinë,2009

19.Rexhep Dedushaj,Krahina e Plavës e Gucisë nepër shekuj,Nju Jork, 1993

20.Enti Statistikor i Kosovës, 2011

Exit mobile version