Agjencia e lajmeve serbe, Tanjug, shkruan se gjatë ditës së nesërme në Washington mund të ketë një takim ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Megjithatë, siç shkruan ky medium, një takim i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht, përcjell Telegrafi.
Po sipas Tanjug, takimi mund të ndërmjetësohej nga i dërguari presidencial i SHBA për dialogun Prishtinë- Beograd, Richard Grenell.
Ndryshe, siç dihet, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjendet në Washington ku ka takuar ndër tjerash edhe sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo si dhe me Robert O’Brien, Këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Donald Trump.
Përveç tyre, presidenti ka zhvilluar takime dhe me kongresistin Eliot Engel dhe me të dërguarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mat Palmer, si dhe me përfaqësues nga Senati, Kongresi dhe nga institucionet qeveritare në Uashington.
“Një javë e suksesshme në SHBA, me plot takime miqësore dhe përmbajtjesore”, kishte shkruar gjatë ditës Thaçi në Facebook, duke publikuar edhe disa fotografi të takimeve.