Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, ka shpallur fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni të Veriut në kampin shqiptar për koalicionin VLEN.
Përmes një postimi në Facebook, Mexhiti ka thënë se “sot fituan shqiptarët, fituan qytetarët që besuan në ndryshim”.
“VLEN është fituesi i madh i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut — kjo fitore legjitimon me votën e sovranit vullnetin tonë për rotacion politik dhe për një të ardhme më të mirë”, shkroi ai.
Mexhiti theksoi se nga nesër, kryetarët e zgjedhur “nisin punën me përgjegjësi dhe përkushtim”. “Ne jemi të vendosur të punojmë çdo ditë për zhvillimin e vendbanimeve tona dhe për mirëqenien e çdo qytetari”, shtoi.
“Sonte fillon një erë e re politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Vota juaj na nderoi, por edhe na obligon që të mos ndalemi me punë!”, deklaroi ai.

