Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Monografi për pedagogun dhe intelektualin Gjergj Hasanaj

Nail  Draga , Ulqin

MONOGRAFI PËR PEDAGOGUN DHE INTELEKTUALIN E NDERUAR 

Palokë Berisha, Biografia dhe veprimtaria e Gjergj Hasanajt, BKSHMZ, Ulqin, 2020 

Në lidhje me  zhvillimin e arsimit të shqiptarët në Mal të Zi opinioni është i njohur për kontributin e pedagogut dhe studiuesit prof.dr.Palokë Berisha, i cili deri më tash ka publikuar në një numër të konsideruar të botimeve të veçanta, duke e trajtuar këtë çështje në mënyrë profesionale si rrallë kush deri  ne ditët tona. Gamës së tyre botimeve kohë më parë i shtohet edhe monografia kushtuar Gjergj Hasanajt, mësimdhënësit, publicistit, fokloristit dhe intelektualit i cili ishte model për kohën e tij, jo vetëm në Malësi.  

Në këtë botim autori  fillimisht ofron të dhëna  për rregullimin shoqëror në Malësi në përgjithësi e për Trieshin në veçanti, prejardhjen e Hasanajve, duke vazhduar me shkollimin e Gjergjit dhe kthimin e tij në vendlindje  si mësues, e më pas si arsimtar i gjuhës shqipe dhe drejtor i shkollës për rreth njezet vite. Të dhënat e prezantuara në këtë botim monografik  dëshmojnë përpjekjen  e autorit për të  ofruar të dhëna të cilat kanë qenë pothuaj të panjohura për opinion e gjerë. 

Pushteti mbylli shkollat më mësim në gjuhën shqipe 

Pikërisht, duke e lexuar këtë libër lexuesi do të ballafaqohet me sfidat e shqiptarëve për të mbijetuar në këtë mjedis sikurse edhe në viset tjera shqiptare në Mal të Zi. Ishin këto kohë të vështira ku pushteti me qasje hegjemoniste bënte eksperimente në fushën e arsimit në shkollat më mësim në gjuhën shqipe, sepse në vitin shkollor 1956/57  mbylli shkollat më mësim në gjuhën shqipe në Ulqin, Shtoj, Malësi e Guci. Ishte ky një diskrimin kombëtar i realizuar edhe me ndihmën e disa shqipfolësve, të cilët ishin bashkëpunëtorë të pushtetit. Me këtë rast duhet të themi se kishte paknaqësi nga prindërit e nga nxënësit për mbylljen e shkollave më mësim në gjuhën shqipe, ku rasti me tipik është nga  shkolla e Gucisë ku u larguan 22 nxënës të cilët shkuan në Shqipëri. 

Vlerësim për punën arsimore 

Të gjithë ata të cilët e kanë njohur  Gjergj Hasanajn e vlerësojnë dhe  e kujtojnë si njëriun modest, pegagog  model, arsimtar të gjuhës shqipe, drejtor shkolle, mbledhës të folklorit  dhe intelektual i veçantë për kohën në mjedisin e tij.  Angazhimi i tij në fushën e arsimit  sfidoi rrethanat e kohës, që dëshmohet me avancimin e shkollës katërvjeçare në ate tetëvjeçare, që ishte një fitore e madhe në rrethanat e kohës, për poziten e drejtorit të shkollës detyrë të cilën e ka ushtruar rreth dy dekada Ai ka merita të mëdha që më mbeshtetjen e disa mësimdhënësve arriti ta emërtojë shkollën me emrin e heroit tonë kombëtarë “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”,  me 25.5.1968, dëshmi e guximit intelektual e partiotik në rrethanat  shoqërore të kohës. 

Pasioni për veprimtarinë botuese  

Ndonëse për nga profili profesional ishte mësimdhënës, ai nuk ishte statik, por ka treguar interesim në botimin e artikujve të ndryshëm nga fusha e pedagogjisë, gjuhësisë, letersisë dhe të historisë. Ishte ky një angazhim me plot pasion duke dhënë kontributin e tij për çështjet e trajtuara, të cilat janë botuar në revistat në gjuhën shqipe si “Përparimi”, “Fjala”,”Rilindja”, në Prishtinë.Ndërsa një numër i konsideruar i këngëve i janë botuar në blenët e këngëve popullore të Institutit Albanologjik në Prishtinë.  

Po ashtu  ka botuar artikuj  edhe në gjuhën serbokroate në disa gazeta në Podgoricë siç ishin “Titogradska tribina”, “Prosvjetni rad”dhe “Pobjeda”.  

Duke marrë parasysh kontekstin e kohës del qartë se kemi të bëjmë me një person ambicioz i cili me pasion është angazhuar dhe dëshmuar si askush në atë kohë për çështjet arsimore, gjuhësore, kulturore e shoqërore  të shqiptarëve në viset e tyre në Mal të Zi. Ishte nder të rrallët që kishte bashkëpunim me Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë  Shqipe në Tiranë. 

Në sajë të angazhimit  disa vjeçar në mbledhjen e foklorit shqiptar në viset shqiptare në Mal të Zi  botoi    veprën “Malësori këndon” në vitin 1971, në Cetinë me shpenzime vetanake. Kemi të bëjmë me veprën e tij jetësore,  që është vlerësuar si botim me vlerë të veçantë jo vetëm për shqiptarët në Mal të Zi por edhe më gjërë. 

Përpjekjët për t`u punësuar jashtë arsimit  

Ndonëse ishte i dalluar në fushën e arsimit fillimisht si mësues e më pas si arsimtar i gjuhës shqipe  dhe drejtor i shkollës, ai është përpjekur për tu punësuar  jashtë arsimit. Sipas të dhënave që ofron autori i monografisë, ai ka treguar interesim për tu punësuar në cilësinë e këshilltarit pedagogjik për shkollat më mësim në gjuhën shqipe, bashkëpunëtor për emisionin në gjuhën shqipe  në Radio Televizionin e Malit të Zi dhe së fundi gazetar-korrespondent për Malin e Zi në  gazetën “Rilindja”. Ndonëse në sajë të përgatitjes profesionale  dhe të përvojës së punës, në çdo vend që konkuronte kishte përparësi në krahasim me konkurentet tjerë, por ai nuk u pranu në asnjë vend pune.  

Nuk ka dilemë se refuzimi i tij ishte i motivuar politikisht ndonëse ishte anëtar i partisë, pushteti nuk kishte besim, duke refuzuar çdo ankesë të tij. Nuk ka dilemë se pushteti monist ka mbeshtetur individë të tjerë me të përshtashëm që ishte praktikë e kohës, duke refuzuar kuadrat me integritet personal e profesional që punonin në favor të mbrojtjës së identitetit kombëtar të shqiptarëve në këtë mjedis. 

Nail Draga , duke folur për librin …

Emigrimi i imponuar në SHBA 

Por, botimit të veprës “Malësori këndon” e cila ishte e para për folklorin shqiptar të shqiptarëve në këtë mjedis sipas dëshmive ai nuk ishte i qetë nga ana e pushtetit. Fillimisht  e larguan nga partia, e më te edhe nga puna. I ndodhur në rrethana të papërshtashme  për të jetuar u detyrua të lëshoj vendlindjen në vitin 1972, duke u vendosur në Detroit-SHBA. Ishte ky vendim i imponuar duke u larguar  me familje nga vendlindja ku  kishte kontribuar si rrallë kush jo vetëm në fushën e arsimit në Triesh e Malësi.  

Nuk ka dilemë se Gjergj Hasanaj është shëmbulli tipik se si pushteti i kohës ka përdorur të gjitha metodat destruktive, madje edhe bashkëvendasit dhe  disa mësimdhënës  gjeloz dhe egoist të shkollës ku punonte për të eliminuar këtë personalitet me vlera arsimore, shoqërore  dhe kombëtare. Një veprim i tillë nuk ishte rastësi por metodë perfide e pushtetit komunist  i cili kudo kishte bashkëpunëtorët e vet, ku Gjergj Hasanaj është dëshmi autentike e fushatës antishqiptare. Veprime të tilla destruktive kundër drejtuesve të shkollave ka pasur edhe në Ulqin, Katërkollë etj, sepse pushtetit iu pengonin personat me dinjitet profesional e kombëtar.  

Vrasja enigmatike  

Vendosja e tij me familje në Detroit, nuk ishte e lehtë për tu përshtatur në rrethana të reja jete e pune.Por, ai edhe këtu survejohej nga UDB-a jugosllave e cila këtu kishte bashkëpunëtorët e vet, fatkeqësisht shqipfolësa të cilët edhe në emigrim punonin për të tjerët kundër shqiptarëve. 

U vra në banesë me 26.6.1978 në rrethana të paqarta, ndërsa me nderime është varrosur në Malësi. Në lidhje me vrasjen e tij është folur se është realizuar nga ana e UDB-ës përmes bashkëpunëtorëve të tyre shqipfolës, por, kjo çështje ënde nuk është ndriçuar. 

Kemi të bëjmë me këtë periudhë kohore e cila duhet të hulumtohet nga studiues në të ardhmën, sepse kjo vrasje nuk është e vetmja realizuar kundër shqiptarëve në Detroit. Një veprim i tillë është obligim  moral dhe profesional, si kompletim  me rastin e ribotimit eventual të këtij libri. Në veçanti kemi të bëjmë me dosjën e Gjergj Hasanajt  dhe shumë shqiptarëve të tjerë të cilat janë  në sirtarët e arkivit të UDB-së së kohës në Podgoricë, që ende janë të   panjohura si për individët,  familjarët e tyre dhe opinion e gjërë.  

Një gjë është e sigurt se ai u vra sepse  antishqiptareve  iu pengonte qendrimi dhe ndikimi i tij tek malësorët  në diasporë në ruajtjën e identitetit kombëtar shqiptar. 

Mungon nderimi  në Malësi   

Për personalitetet e ndryshme që kanë bërë emër në sajë të punës dhe veprimtarisë thuhet se janë të pavdekshëm.Pikërisht  i tillë është Gjergj Hasanaj, sepse ai ka lënë emër si mësimdhënës, drejtor i shkollës, publicist e folklorist  ku vepra”Malësori këndon” është dëshmi e vlerave etnokulturore mbarëkombëtare. 

Andaj  duke marrë parasysh këto vlerësime do të ishte në nderin e Komunës së Malësisë me qendër në Tuz, që  emri i Gjergj Hasanajt t`i vendosët ndonjë sheshi, rruge apo subjekti  edukativ e arsimor në Malësi. Një veprim i tillë kur Malësia është komunë e pavarur  është obligim moral  për të nderuar  personalitetet  sikurse vepron bota e qytetëruar, pa hezituar sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.  

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Tuz, më 25 gusht 2022) 

Exit mobile version