Site icon PLAVA E GUCIA SOT

(MOS) RESPEKTIMI I VLERAVE DEMOKRATIKE NË KOSOVË NGA AMBASADORI RICHARD GRENELL

Agim Alickaj

Letër e hapur Presidentit Amerikan Donald J.Trump

Nga. Agim Aliçkaj

I nderuari Zoti President Trump,

Më vjen shumë keq, që më duhet të ju drejtohem për një çështje krejt tjetër, në këto momente të vështira, kur jeni të angazhuar me tërë qënien për shpëtimin e popullit amerikan dhe të mbarë botës nga virusi katil covid-19.

Para tri dekadave, si mijëra shqiptarë të tjerë nga Kosova u detyrova ta lëshoj vendin tim të dashur. Ishim të ndjekur nga represioni i shtetit diktatorial, komunist dhe terrorist serb të kriminelit Slobodan Millosheviç. Pata fatin e mirë që erdha në shtetin më të fortë dhe më demokratik të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, simbolit të lirisë dhe drejtësisë, garantuesit të sigurisë së mbarë botës, përkrahësin më të madh të kombit shqiptar.

Pasuan luftrat mizore të Serbisë kundër popujve të ish-Jugosllavisë, sllovenve, kroatve, boshnjakve dhe shqiptarve. Filloi gjenocidi, pastrimet etnike dhe masakrat monstruoze në Bosnje  dhe Kosovë.  Nënat shqiptare të Kosovës ende i vajtojnë bijt e tyre të zhdukur. Pasojat e tmerrshme të luftës ende rëndojnë mbi kujtesën e popullit të Kosovës.

Faktet dhe dokumentet historike tregojnë për krimet e Serbisë dhe fqinjëve tjerë ndaj shqiptarëve dhe grabitjen e tokave të tyre. Tregojnë për rezistencën heroike të popullit shqiptar, gjithmonë në mbrojtje të lirisë së vet. Tregojnë edhe për respektin e tij për popujt, kombet, racat dhe besimet e e tjera fetare, për shpirtin fisnik dhe tolerancën. Mjafton të përmendet shpëtimi i të gjithë hebrenjve që jetonin apo erdhën në tokat shqiptare pasi përndiqeshin nga nazistët (gjatë Holokaustit) ku në mbrojtje të tyre mori pjesë edhe babai im Arif Aliçkaj.

Amerika e Presidentit Klinton, e ndihmuar nga shtetet e tjera të NATO-s, si shumë herë të tjera gjatë historisë, doli në mbrojtje të viktimës së pafajshme, doli në anën e drejtësisë dhe së vërtetës. Me bombardimin e agresorit Serb në vitin 1999, e ndihmoi popullin e Kosovës për ta fituar lirinë.  Lirinë për të cilën luftuan dhe u sakrifikuan djemt dhe vajzat më të mira të popullit shqiptar, brez pas brezi për më shumë se një shekull.

Amerika e Presidentit Bush, pas shumë vitesh bisedime të vështira e të lodhshme, nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari e ndihmoi Kosovën për ta shpallur pavarësinë e kufizuar për të cilën populli shqiptar i Kosovës, me dhimbje në zemër, bëri kompromisin më të madh të mundshëm. Kjo pavarësi, pas ankesës së Serbisë u shpall e ligjshme dhe u konfirmua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ajo përmbante një gjë të mirë dhe shumë të rëndësishme, nuk u preken kufijtë e Republikës së Kosovës. Por, përmbante dy gabime të mëdha, të padrejta dhe shumë të rënda. Së pari, në bisedime dhe në marrëveshje nuk u përfshinë të drejtat e popullit shqiptar që jetonin në tokat e veta në Serbi, të cilat duhej barazuar 100% me të drejtat e minoritetit serb në Kosovë.  Së dyti, nuk u dënua agresori serb përveç Millosheviçit dhe disa kriminelë të tjerë, nuk u detyrua fajtori që të kërkojë falje, t’i paguaj dëmet e luftës dhe t’i kthente të pagjeturit familjeve shqiptare në vuajtje të pafund.

Këto gabime të pafalshme ia mundësuan Serbisë, e cila edhe sot e kësaj dite udhëhiqet nga bashkëmendimtarë dhe bashkëpuntorë të Millosheviçit, të fillloi një ofensivë të paparë armiqësore kundër shtetit të ri të Kosovës. Me propagandë shtetërore mashtruese të bazuar në gënjeshtra të kulluara dhe pa kurrëfarë faktesh, veçanërisht me veprime shumë të shtrenjta lobiste në Uashington, Serbia ia arriti qëllimit që në opinionin ndërkombëtar, të shiqohet si viktimë dhe jo si agresore. Në këtë ndërmarrje të ndyrë e ndihmuan edhe politikanët dhe qeveritë e dështuara të Kosovës që ia arritën ta marrin pushtetin pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova.  Në vend se të merren me ndërtimin dhe forcimin e shtetit demokratik ata u dhanë mbas punëve të ndyra, antidemokratike dhe shkatërruese për shtetin.

Amerika e Presidentit Trump, na gëzoi shumë disa muaj më parë kur u angazhua serisht për  zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb. Menduam se, në pajtim me vlerat e përherëshme amerikane, Ambasadori Richard Grenell I Ngarkuari i juaj për bisedimet Kosovë- Serbi, do të punoi dhe veproi drejt, siç e presim nga një përfaqësues i Amerikës, do të bënte presion mbi agresorin serb për t’ja njohur të drejtën e viktimës popullit të Kosovës për ekzistencë në tokat e veta shekullore.

Fillimisht Ambasadori Grenell kërkoi që Kosova të anullojë pa kushte tarifat 100% për mallrat serbe, ndërsa Serbia të ndalë veprimtarinë armiqësore kundër popullit shqiptar. Këtë e kuptuam si dëshirë të tij për ndërmjetësim të paanshëm. Por, pas një kohe të shkurtër ai kaloi plotësisht dhe në mënyrë të hapur në anën e agresorit serb. Kur Serbia e kundërshtoi publikisht duke deklaruar se do të vazhdojë me veprime armiqësore dhe se nuk e njeh kurrë pavarësinë ai nuk u zemërua fare, e harroi presionin ndaj Serbisë por vazhdoi me presion ndaj Kosovës. E mundësoi vazhdimin e kontakteve dhe bisedimeve sekrete në mes të Presidentit serb Aleksander Vuçiç dhe Presidentit kosovar Thaçi. I pari, shovinist dhe urrejtës i përbetuar i popullit shqiptar, kuadër dhe bashkëpunëtor i kriminelit serb Millosheviç me prapavijë të mundëshme kriminale. I dyti, Hashim Thaçi politikan i urryer nga shumica e popullsisë së Kosovës si përgjegjësi kryesor për dështimet e njëpasnjëshme 20 vjeçare, i cili në bazë të kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk ka të drejtë as të udhëheqë  bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ishte absurde kërkesa e Ambasadorit Grenell për heqje të tarifave, për të mundësuar dialogun me Serbinë, në të njejtën kohë kur bisedimet zhvilloheshin pandalur me dyer të mbyllura. Qeveria e re demokratike e Kosovës, qeveria e antikorrupsionit dhe shpresës më në krye liderët më të votuar nga populli Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, nuk e kundërshtoi atë. Me respekt të madh për Amerikën, ata dolën me propozim real dhe logjik për heqjen e tarifave. Vepruan në pajtim me premtimet e dhëna votuesve njësoj si ju Zoti President. Kjo nuk u pranua nga ambasadori. Aktivitetet që pasuan, sjellja në Uashington e Thaçit që përfaqëson partinë më të madhe në opozitë- PDK dhe sidomos e Hysenit që përfaqëson partnerin e koalicionit-LDK, na bëjnë të dyshojmë se ai e inkurajoi rrëzimin e qeverisë legjitime të Kosovës. Ishte e pabesueshme dhe e dhimbshme deklarata e Ambasadorit Tuaj,  në përkrahje të mbajtjes së mbledhjes së parlamentit për shqyrtim të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kushte të jashtëzakonshme, kur Kosova, Amerika dhe mbarë bota po luftojnë për jetë a vdekje me Covid-19. Pjesa më e madhe e botës demokratike ishin kundër, përfshirë edhe Spanjen e cila nuk konsiderohet përkrahëse e Kosovës.

Me këtë rast dëshiroj të citoj raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Eurodeputeten Viola von-Cramon: “Një autogol i SHBA-s në Kosovë me një dimension historik. E pabesueshme, e papërgjegjshme.”

Zoti President Donald J. Trump, më lejoni, që si amerikan i devotshëm dhe republikan konservativ, ta shfrytëzoj të drejtën time për liri të shprehjes, me qëllim të mirë por me zemër të lënduar, t’i paraqes para jush edhe disa vërejtje të mija konkrete dhe më të drejtpërdrejta.

-Më pëlqen dhe e përkrah platformën tuaj “America First” dhe deklaratën tuaj  në OKB se edhe liderët e tjerë kanë të drejtë ta bëjnë të njëjten gjë për shtetet që ata i përfaqësojnë. Pse kjo e drejtë iu mohua në mënyrë flagrante Kryeministrit Kurti? Veprimet e fundit të ambasadorit tuaj i shërbejnë interesave hegjemoniste serbo-ruse në Ballkan dhe mund të kualifikohen si “Serbia first, Rusia second, Amerika third and Kosova last”. Gjithashtu më pëlqen thënia tjetër e juaja: “Let’s Make America Great Again” por në rastin konkret i ngjanë më shumë thënies “Let’s Make Serbia Great Again”.

-Gjatë ballafaqimit Tuaj në Kongresin Amerikan me përpjekjen e Partisë Demokrate për votë mosbesimi ndaj jush (impeachment) duke ju akuzuar “si të shitur” te Rusia deklaruat: “Kjo është “gjuajtje shtrigash” dhe “nuk duhet t’i ndodhë më kurrë asnji presidenti”. Pse duhej t’i ndodhte e njëjta gjë kryeministrit Kurti me pëlqimin e ambasadorit tuaj, vetëm pse mbrojti interesat e vendit të vet?

E përshëndes deklaratën e fundit të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit Amerikan se në takimet e organizuara nga Ambasadori Grenell nuk është biseduar për ndarjen e Kosovës. Po për çka është biseduar dhe pse ato nuk ishin transparente?  Dhe shtrohet pyetja edhe më e rëndësishme, nëse populli i Kosovës, pas të gjitha presioneve, nuk e pranon kurrsesi shkëmbimin territorial të negociuara nga Thaçi-Vuçiç, a do ta mbrojë Amerika sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, në kufijt me të cilët e njohu Kosovën në vitin 2008? Pse kohëve të fundit sovraniteti dhe integriteti territorial nuk po përmenden fare?

-Si është e mundur që Amerika e Presidentit Trump tu jap përkrahje politikanëve të cilët vetë i kritikonte si të korruptuar, disa prej tyre edhe si kriminelë të partive që qeverisin Kosovën prej shpalljes së pavarësisë   e deri me sot?!  Si mund të pranohen si legjitimë në bisedime për zgjidhje të problemit ata që e krijuan vetë problemin, ata që e sollën Kosovën para shkatërrimit duke i sjellë fatkeqësi popullit të vet dhe probleme të mëdha Amerikës kur ajo ka nevojë të angazhohet në çështje shumë më të rëndësishme?!  Si është e munduar që të përkrahet rrëzimi i qeverisë të sapoformuar demokratike të Kosovës, e cila për 40 ditë pune tregoi se ka aftësi për ta ngritur vendin nga varfëria dhe gjendja e pashpresë?! Më falni Zoti President, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat demokratike të Amerikës sonë të dashur. Me këtë akt anti-demokratik, administrata e juaj mori përgjegjësinë për destabilitetin dhe trazirat potenciale që mund të shkaktohen pas largimit të rrezikut nga virusi Corona, në Kosovë, Ballkan dhe mbarë Evropën.

-Pas kthimit nga Amerika, i trimëruar nga Ambasadori Grenell, presidenti Thaçi doli në sulm të hapur, jodiplomatik dhe arrogant kundër përfaqësuesve Evropian. Si mendojnë ata se mund ta “detyrojnë” Evropën të përkrahë një zgjidhje të imponuar, pa pjesëmarrjen dhe pa pëlqimin e saj, kur dihet se edhe Kosova edhe Serbia gjenden në Evropë?

– Me veprimet e fundit të Presidentit Thaçi me pak shokët e tij në Kosovë, të përkrahur nga një pjesë e rëndësishme e administratës tuaj, Serbisë iu shtuan apetitet për plaçkitje të mëtutjeshme të tokave shqiptare. Për një kohë të gjatë në të kaluarën historike, ajo ka rrëmbyer dhe i ka pastruar nga populli shqiptar Nishin, Toplicën, Leskovcin, Sanxhakun dhe toka të tjera. Pas marrjes së Mitrovicës dhe Veriut të Kosovës ajo nuk do të ndalet, do të kërkojë Podujevën, Gjilanin, Prizrenin, Shkodrën, Durrësin dhe ndoshta Prishtinën e Tiranën. Dokumentacioni nga burime të paanëshme historike për këtë ekziston. Një gjë është e qartë. Serbia do të ndalet vetëm atëherë kur të bindet se nuk ka shance për të grabitur më toka shqiptare.

-Zgjidhja përfundimtare është e vështirë, por e mundshme dhe e thjeshtë. Amerika, dhe bota demokratike që e ka njohur Kosovën në kufijt ekzistues duhet të ia bëjë të ditur Serbisë se puna e kufijve ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. E do të bëhet garantimi në mënyrë të njejtë i të gjitha të drejtave humane, politike dhe njerëzore të serbëve në Kosovë dhe të shqiptarve në Serbi. Pra vetëm duhet presioni i mirëfillët dhe i vendosur i Amerikës dhe shteteve demokratike të Evropës mbi Serbinë.

Problemi nuk është në Kosovë por në Serbi sepse ajo është e sëmurë nga urrejtja për shqiptarët dhe kombet e tjera përreth. Vetëm me shërimin e saj problemet mund  të zgjidhen. Alternativa e shkëmbimit të territoreve është shumë e komplikuar dhe e pamundur të realizohet, pasi kjo shkakton trazira në Ballkan dhe destabilizon mbarë Evropën me dekada të tjera.

-Dëshiroj të theksoj se këto që i paraqita para jush, nuk janë vetëm mendime dhe qëndrime të mijat por të më shumë se 90% të qindra-mijëra pjestarëve të mërgatës shqiptare në Amerikë, Evropë dhe anë e mbanë botës, si dhe të më shumë se 60% të shqiptarve në trojet e veta në Ballkan. Mendoj se është më rendësi të ju bëj të ditur se nuk i përkas dhe nuk përkrah asnjë parti politike në Kosovë. Si shumë bashkatdhetar të tjerë të mij, i përkrah vetëm ata lider që punojnë më përkushtim në të mirë të popullit dhe kombit.

Ju lutem Zoti President Trump!

Mos e largoni popullin mik shqiptar që e do Amerikën me zemër dhe pa hile. Serbia mund të shtiret, por të gjithë e dijnë se populli serb me shumicë e do më shumë Rusinë se sa Ameriken, kjo nuk do të ndryshojë kurrë.

Zoti ju bekoftë juve, familjen tuaj dhe kombin Amerikan!

Zoti e bekoftë kombin shqiptar!

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane dhe anëtar i Këshillit të Vatrës

Exit mobile version