Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Ndahet nga jeta në Sarajevë Prof. Dr. Ibrahim Ahmetaj, intelektuali i shquar nga Vuthajt

Plava e Gucia Sot | 25 tetor 2026

Një lajm i hidhur ka prekur sot Vuthajt, krahinën e Plavë-Gucisë dhe komunitetin shqiptar. Në Sarajevë ka ndërruar jetë Prof. Dr. Ibrahim Muzli Ahmetajs lindur më 1943 në Vuthaj, intelektual, profesor dhe studiues i njohur.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur vëllai i të ndjerit, Myftar Ahmetaj, përmes një njoftimi publik në rrjetin social Facebook.

Prof. Dr. Ibrahim Ahmetaj i përkiste brezit të intelektualëve shqiptarë nga treva e Plavë-Gucisë, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre në fushën e dijes dhe të shkencës dhanë kontribut në studimin dhe njohjen e çështjeve historike, gjeografike dhe demografike.

Në veprimtarinë e tij shkencore, ai u mor me studimin e hapësirave shqiptare, veçanërisht të trevave shqiptare në Mal të Zi, si dhe me çështje që lidhen me praninë dhe zhvillimet demografike të shqiptarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ndër punimet e tij përmendet monografia „Kërkime gjeografike në territoret shqiptare në Mal të Zi“, si dhe studimi mbi lëvizjet demogjeografike të popullsisë shqiptare në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë shekullit XX.

Në shkrimet dhe hulumtimet e tij vend të rëndësishëm zinin edhe Vuthajt dhe treva e Plavë-Gucisë, prej nga kishte origjinën dhe me të cilën ruajti lidhje të veçanta.

Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të dhimbshme për familjen Ahmetaj, për të afërmit, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan për kontributin e tij intelektual e shkencor.

Njoftimi i familjes Ahmetaj

Në njoftimin e publikuar nga vëllai i tij, Myftar Ahmetaj, thuhet:

„Me dhimbje të thellë njoftojmë familjarët, miqtë, shokët, kolegët dhe të gjithë të njohurit se sot ndërroi jetë vëllau jonë, Prof. Dr. Ibrahim Muzli Ahmetaj.

Largimi i tij nga kjo jetë është një humbje e madhe për familjen tonë, të afërmit dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan si njeri, profesor dhe studiues.

Varrimi do të bëhet në Vuthaj, për kohën dhe datën do të ju njoftojmë.

Të pikëlluar, familja Ahmetaj.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!“

Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit do të zhvillohet në Vuthaj, ndërsa data dhe ora do të bëhen të ditura më vonë.

Me ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Ibrahim Ahmetajt, Vuthajt dhe mbarë treva e Plavë-Gucisë humbën një intelektual të çmuar, emri dhe kontributi shkencor i të cilit mbeten pjesë e trashëgimisë intelektuale të kësaj treve.

Portali „Plava e Gucia Sot“ i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ahmetaj, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tij!

Plava e Gucia Sot

Exit mobile version