Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Ndër shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi prinë me numra më të vegjël të të prekurve, shëruarve dhe të vdekurve nga virusi Covid-19

Parametrat statistikore të organeve relevante të instituteve nacionale të shëndetit publik anë e kënd botës, opinionin publik çdo ditë e njoftojnë me situatën e gjendjes epidemiologjike të shkaktuar nga pandemia Covid-19. Shtetet e Evropës, ndër të cilat edhe ato të rajonit të Ballkanit Perëndimor, janë të prekura rëndë me koronavirus. Nga të dhënat e tyre të shprehura me shifra, rrjedhë se Mali i Zi është shteti me numër më të vogël rastesh të infektuar, shëruar dhe vdekur nga virusi në fjalë në rajonin e sipërpërmendur.

Shërbimi i Institutit të shëndetit publik, në raportin e vet ditor, opinionin e bën me dije se në 96 mostrat e testuara në laboratorët e vet të mikrobiologjisë molekulare, gjatë 24 orëve të fundit, në Mal të Zi janë regjistruar dy raste të reja të diagnostifikuara me virusin Covid-19: në Podgoricë – 1 dhe në Budvë – 1. Të dy rastet janë kontakte të rasteve të njohura më parë.

Në 48 mostrat e testuara dje (të hënën) prej orës 08:30 deri në 16:30, është identifikuar një rast i ri me rezultat pozitiv në koronavirus, i cili është nga Podgorica, dhe në 48 mostrat e testuara në intervalin kohorë 16:30 – 08:30, është regjistruar një rast i ri, rasti është nga Budva.

Të dhënat e sipërshënuara dëshmojnë se numri i të infektuarve (prekurve) me virusin Covid-19 ka arritur në 313 (174 meshkuj dhe 139 femra), prej të cilëve 55 janë fëmijë dhe të rinj (21 të moshës 0-9 vjeçare dhe 34 të moshës 10-19 vjeçare).

Gjendja numerike në komunat e prekura me Covid-19:

Podgoricë-161,

Tuz-37,

Nikshiq-33,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Plavë-6,

Budva-6,

Danillovgrad-3 dhe

Tivat-3.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues: drejtori i Qendrës Klinike të Malit të Zi në Podgoricë, dr. Jevto Erakoviq dhe ndihmësi i drejtorit të Institutit të shëndetit publik të Malit të Zi, dr. Senad Begiq, në konferencën për media kanë dhënë një sërë përgjigjesh koncize e analitike dhe me të dhëna të bollshme e gjithëpërfshirëse në pyetjet e shumta të gazetarëve.

Në fjalën e vet hyrëse, doktori Erakoviq përfaqësuesit e mediave dhe opinionin i ka njoftuar se në spitalet e caktuara për të prekurit me koronavirus në Mal të Zi, janë të hospitalizuar për përkujdesje dhe trajtim mjekësor 35 të sëmurë: në spitalin e Tivarit – 9 pacientë, në atë të Nikshiqit – 8 pacientë, në spitalin e Beranit – 1 pacient, dhe në Qendrën Klinike në Podgoricë – 17 pacientë, 12 prej të cilëve në Klinikën infektive, gjendja e të cilëve, ka theksuar ai, është e mirë dhe stabile dhe se te shumica e tyre testime e para në koronavirus kanë rezultuar negative, e në pritje janë rezultatet e

dyta nga të cilat do të varen kushtet e lëshimit të tyre të shpejt nga klinikat infektive, të shëruar në shtëpi. Ai ka konfirmuar se të hënën më 20.04. nga Klinika infektive, të shëruar janë lëshuar dy pacientë. Nga pesë pacientët e shtruar në Klinikën interne, tre prej tyre janë në përkujdesje të mjekimit intensiv, dy janë të kyçur në respirator, kurse gjendja e një pacienti është mjaft e komplikuar dhe e rëndë dhe se jeta e tyre është në rrezik.

Doktori Erakoviq, ka bërë me dije se të hënën ka qenë dita e 34 prej se është regjistruar infeksioni Covid-19 për herë të parë në Mal të Zi (më 17 mars), andaj është koha për një analizë dhe vështrim të detajuar mbi rrjedhat e shtrirjes dhe përhapjes së virusit në fjalë në Mal të Zi dhe mbi pasojat epidemiologjike të tij.

Ndërkaq, doktori Begiq, në fillim të konferencës ka njoftuar se në Mal të Zi, prej rasteve të para të regjistruara me koronavirus në Podgoricë e Ulqin (më 17 mars) e deri më tani, numri i të infektuarve ka arritur në 313, 5 persona kanë vdekur (të gjithë të gjinisë mashkullore), ndërsa si rezultat i punës së pamohueshme dhe angazhimit të përditshëm maksimal të të gjithë personelit mjekësor-medicinal, 88 të sëmurë janë shëruar nga virusi Covid-19, dhe për trajtim të mëtejmë janë në shtëpitë e veta, numri më i madh i të cilëve është në Podgoricë – 35, në Tuz – 23, Tivarë – 7, Andrijevicë – 6, Ulqin – 5, Budvë e Herceg Novi nga – 4, Tivat – 2 dhe Danillovgrad e Bijello Pole nga 1 i shëruar.

Situata e gjendjes epidemiologjike në shtete e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në 24 orët e fundit ka këto parametra:

Në Shqipëri: 609 të infektuar, 345 të shëruar dhe 26 të vdekur;

Në Kosovë: 598 të infektuar, 123 të shëruar dhe 15 të vdekur;

Në Serbi: 6630 të infektuar, 870 të shëruar dhe 1225të vdekur;

Në Kroaci: 1881 të infektuar, 771 të shëruar dhe 47 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1308 të infektuar, 381 të shëruar dhe 49 të vdekur;

Në Slloveni: 1344 të infektuar, 195 të shëruar dhe 77 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1225 të infektuar, 200 të shëruar dhe 54 të vdekur.

Në fund të këtij raporti, theksojmë se kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka kërkuar nga ministrat e Qeverisë dhe eprorët e institucioneve relevante, që të përgatitin planin e qëndrueshëm të zbutjes së masave mbrojtëse të prura më parë, në shumë faza gjatë 45 ditëve të ardhshme, e duke filluar prej sot (më 21 prill).

Ai ka theksuar se Mali i Zi ka arritur rezultate të lakmueshme në ballafaqimin me epideminë e virusit Covid-19. Andaj, duke i mbetur konsekuent detyrës parësore të mbrojtjes së qytetarëve, duhet të vazhdojnë jetën e vet ekonomike e shoqërore.

“Çdo fazë vijuese varet nga përgatitja jonë që të ruajmë rezultatet e arritura në zmbrapsjen e epidemisë. Ky është edhe parakusht i këndelljes ekonomike e shoqërore”, ka konfirmuar kryeministri Markoviq.

“Qeveria dhe Trupi nacional koordinues do t’i bëjnë përpjekjet maksimale, që në javët e ardhshme, po ashtu në faza dhe të vendosur, t’i krijojmë kushtet për normalizimin e situatës së krijuar nga virusi për qytetarë dhe ndërmarrës”, është shprehur kryeministri Markoviq.

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version