Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Ndryshohet kodi zgjedhor: Shtetasit shqiptar jashtë vendit fitojnë të drejtën për të votuar

Kuvendi i Shqipërisë vendosi ndryshimin e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Vota e shtetasve shqiptarë jashtë vendit  tashmë do të garantohet njësoj si për shtetasit shqiptarë që do të votojnë në Shqipëri. Ndryshimet janë produkt i konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës në Këshillin Politik.

Ndryshimet e miratuara në Kodin Zgjedhor përcaktojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si institucionin i cili do të drejtojë dhe mbikëqyrë procesin për votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë të bëjnë me të drejtën e votës për zgjedhësit që kanë vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, votimi nga jashtë vendit do të organizohet dhe administrohet nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve. Ai do të vendosë për sistemin e rregullave dhe procedurat e votimit jashtë vendit.

Vota e votuesve nga jashtë vendit do të administrohet nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj.

Votimi nga jashtë vendit do të quhet i çelur nga dita që KQZ nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit, ose sipas rastit dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve jashtë vendit.

Rregullat për administrimin e materialit zgjedhor ose të informacionit të votimit, të regjistruar dhe ruajtur nga sistemet e teknologjisë informatike, për votimin nga jashtë vendit si dhe për testimin parazgjedhor dhe verifikimin parazgjedhor të sistemeve, janë pjesë e rregullave të përgjithshme që Komisioni Qendror Zgjedhor do të miratojë për administrimin e materialit zgjedhor apo për përdorimin e sistemeve të teknologjisë informatike në zgjedhje.

Në Kodin Zgjedhor është përcaktuar se garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materialit zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim nuk mund të jenë më të ulta se sa ato për votimin brenda vendit.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë zbatim i të drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Këto ndryshime ishin përgjigje e kërkesave të hershme të komuniteteve shqiptare në diasporë.

Dy nenet kryesore për të drejtën e votës së shtetasve shqiptarë jashtë vendit, miratuar në Kodin Zgjedhor me konsesusin e të gjitha palëve politike, të mazhorancës dhe opozitës, janë Neni 24 dhe Neni 25.

Neni 24

Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë vendit

KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë.

Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij ligji.

KQZ-ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit.

Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së.

Neni 25

Procedura e votimit nga jashtë vendit

Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj.

Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit ose, sipas rastit, dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit. Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë më në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur më pas. Nëse votimi nga jashtë vendit bëhet elektronik, sistemi elektronik i votimit mbyllet në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit.

Rregullat për administrimin e materialit zgjedhor ose të informacionit të votimit, të regjistruar dhe ruajtur nga sistemet e teknologjisë informatike, për votimin nga jashtë vendit, si dhe për testimin parazgjedhor dhe verifikimin paszgjedhor të sistemeve, janë pjesë e rregullave të përgjithshme që KQZ-ja miraton për administrimin e materialit zgjedhor apo për përdorimin e sistemeve të teknologjisë informatike në zgjedhje. Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materiali zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim nuk mund të jenë më të ulta se sa ato për votimin brenda vendi

Exit mobile version