Më datën 5 korrik, Këshilli i Lartë Gjyqësor i Serbisë ka nxjerrë vendim për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të përkatësisë nacionale serbe për Gjykatën Themelore në Bujanoc.
Në këtë gjykatë janë vetëm dy gjyqtarë nga përkatësia nacionale shqiptare, ndërsa gjithë gjyqtarët e tjerë janë nga përkatësia serbe, edhe pse komuna e Bujanocit është me shumicë shqiptare, edhe sipas regjistrimit të fundit.
Në letër, edhe Kushtetuta e Serbisë e ndalon diskriminimin, duke përfshirë edhe Ligjin për gjyqtarët, ku ceket se:
“Gjatë propozimit për zgjedhjen e gjyqtarit dhe gjatë zgjedhjes së gjyqtarit është i ndaluar diskriminimi në çdo formë.”
Jo vetëm në Bujanoc, por edhe në Preshevë e Medvegjë nuk ka përfaqësim, jo vetëm në gjykata, por edhe në Prokurori Themelore. Ky është një vazhdë e diskriminimit, është demotivim kur kemi kuadro që i plotësojnë kushtet. Është për të mbytur vullnetin e shfaqur për gjyqtarët shqiptarë, të gjithë ata që i kanë plotësuar kushtet nuk mbetet tjetër vetëm të migrojnë, sepse ka diskriminim gjithëandej.
Diskriminimi në polici – zingjirin komandues, në përfaqësim në institucione lokale dhe qendrore të Republikës së Serbisë, në përdorimin e gjuhës shqipe, të simbolit kombëtar, shëndetësi, administratë tatimore. Ka diskriminim edhe në kulturë, në informim, në investime të zhvillimit ekonomik. Diskriminimi edhe në pasivizimin e adresave – një pastrim etnik i heshtur.
Shqiptarët në Serbi jetojnë në kushte pushtimi klasik, duke iu ekspozuar frikës, urrejtjes, militarizimit, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje e asimilim.
© Refik HASANI
—